Gjykata e Apelit ka dënuar këtë të enjte me 1 vit burg deputetin e PD-së, Ervin Salianjin, duke lënë në fuqi vendimin e marrë rreth 5 vite më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Çështja e njohur si “Babalja” është ajo që çon deputetin në burg, nën akuzën për “kallëzim të rremë” mbi audio-përgjimin e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Ky ishte një denoncim në vazhdën e denoncimeve që opozita bëri në vitin 2018 ndaj qeverisë për lidhje me trafikantë dhe personazhe të krimit të organizuar.

Çështja “Babale”

Më 14 Maj të vitit 2018 Ervin Salianji doli në një konferencë për shtyp nga selia blu krah të tjerë kolegëve të Partisë Demokratike, si Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibej, duke nxjerrë një rregjistrim në audio të një personi që sipas PD-së ishte Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe Fatmir Xhafajt. Audio implikonte vëllain e ministrit, me një dërgesë kanabisi drejt Italisë. Audio ishte regjistruar nga Albert Veliu (i njohur si Babalja) në një lokal në Vlorë në prill të vitit 2018.

Mirëpo Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë në dhjetor të vitit 2019 arritën në përfundimin se audio-përgjimi ishte inskenim dhe se njeriu që ishte hequr si Agron Xhafaj ishte Fredi Alizoti. Konkretisht, Gjykata e Tiranës i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit duke dënuar me 1 vit burg deputetin e PD-së Ervin Salianji, 3 vjet dhe 5 muaj burgim Albert Veliun, 2 vjet burg Fredi Alizotin, si dhe 6 muaj burg gazetarin Jetmir Olldashi i cili i kishte dhënë Veliut pajisjen përgjuese. Këtij të fundit, dënimi iu konvertua në 100 orë pune në shërbim publik.

Si e priti Salianji vendimin?

Kur Salianji doli nga gjykata këtë të enjte, pasi u njoh me vendimit, e quajti veten para gazetarëve si të dënuar politik. Po ashtu ai tha se një nga gjyqtaret e Apelit që mori vendimin ndaj tij, është kunata e zv/kryeministres Belinda Balluku. “Siç e ndoqët në seancë, gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur. Fatmir Xhafaj ka ndërtuar këtë proces, për të sjellë nëpërmjet avokatit të tij vendimmarrjen me vulë të njomë. Gjykata në mënyrë të paprecedentë pranoi fillimisht si prove dhe pastaj tha është e shkruar. Është njësoj sikur të të gjykojë një funksionar i PS-së. Një nga gjyqtaret është kunata e Belinda Ballukut. Mendoni ju që ajo do japë drejtësi për një përfaqësues të PD-së?! Një prej gjyqtarëve të tjerë, super ordiner që do keni prova në të ardhmen për të, është një njeri që thotë në çdo tavolinë se do të shkojë në Gjykatë të Lartë dhe për të shkuar të Gjykatën e Lartë unë vras njeri, jo më të jap një vendim për një politikan të opozitës. Pra në të gjithë elementët, e bën këtë vendimmarrje politike, një dënim politik, njësoj si agjitacioni e propaganda dikur.”- tha Salianji.

Ai shtoi se nuk kishte bërë një betejë për veten, por një betejë për shoqërinë kundër trafikantëve të drogës. Këtë dënim, Salianji e lidhi me fushatën elektorale që po afron: “E gjitha kjo bëhet para zgjedhjeve. Jam në dispozicion dhe në përballje me bandat. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh. Do ta bëj nga burgu.” Ai shtoi se vendimi i dhënë këtë të enjte, do të ankimohet nga avokatët mbrojtës. Avokati i tij, Redi Ramaj tha një prononcim për mediat se dënimi i sotëm ishte me prova të fabrikuara dhe politik.

Dënimi i Salianjit trondit opozitën

Ndërkohë dënimi i Gjykatës së Apelit me 1 vit burg për deputetin Salianji ka shkaktuar lëvizje brenda Partisë Demokratike, e cila ka njoftuar një mbledhje urgjente të grupit parlamentar. Ervin Salianji është drejtues politik i PD-së në Elbasan dhe deri më tani ka qenë deputeti i parë demokrat dhe më aktivi deri më tani, që ka shkuar në terren për t’u takuar me njerëzit dhe për t’u përgatitur për fushatë (lexo këtu).

Partia Demokratike e ka konsideruar vendimin e gjykatës një hakmarrje të verbër politike ndaj Salianjit, për shkak të denoncimeve të tij ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. “Sot Ervin Salianji u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa në një akt hakmarrje të verbër politike për faktin e vetëm se deputeti Salianji vërtetoi lidhjen dhe veprimtarinë kriminale të narko-trafikantit ndërkombëtar vëllait të Fatmir Xhafës, ministër trafikant, dhe Edi Ramës kreu i narko-shtetit shqiptar.“- thuhet në deklaratën e PD-së. Më tej në reagim thuhet se dënimi i sotëm i Ervin Salianjit dëshmon “se në këtë vend droga dhe krimi i lidhur me qeverinë janë vendim-marrësit kryesorë në narko-shtetin shqiptar”. 

Deputeti i PD-së Edi Paloka ka reaguar në lidhje vendimin e Apelit për Salianjin duke thënë se ky ishte një mesazh për gjithë deputetët e tjerë që të mbyllin gojën. “Është një konfirmim i asaj që unë dhe të tjerë e kemi konfirmuar që nuk jemi duke shkuar në diktaturë, por jemi në diktature. Unë kam pasur dyshime se vendimi është marrë prej kohësh. Më shumë sesa vendimi, sot është dhënë një mesazh. Mesazhi i Ramës është, se unë ju kam në dorë, pavarësisht se Xhafa ka lëvizur gurët; ‘Ju kam në dorë, kontrolloj drejtësinë, mos hapni gojën se do përfundoni në qelitë e burgut’. Ky është mesazh për të gjithë ne.”- tha Paloka. Deputetja tjetër e PD-së, Dhurata Çupi, gjithashtu reagoi duke thënë se “sot është një ditë e keqe” dhe se dënimi i Salianjit sipas saj nuk është një vendim i dhënë nga drejtësia, por nga qeveria që kontrollon segmente të rëndësishme në çdo institucion të drejtësisë.

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka parë këtë si një hakmarrje nga ana e maxhorancës:” Gjykatat marrin vendime politike. Kjo është hakmarrje e qartë ndaj deputetit Salianji, për denoncimet që ka bërë kundër trafikut të drogës, ku janë të përfshirë deputetë të maxhorancës dhe është përpjekje që ai të jetë deputet i parlamentit të Shqipërisë. Besoj se është hakmarrje dhe për fitoren e Bashkisë së Kavajës, nga një sistem kriminal drejtësie.”

Kush e zëvendëson Salianjin në Kuvend

Ky vendim i Gjykatës së Apelit, i heq Salianjit mandatin e deputetit dhe vendin e tij tanimë pritet ta zërë Andrea Mano, i cili në zgjedhjet e fundit mori 5465 vota. Ky i fundit ka qenë ish-kryetari i Partisë Demokratike në qytetin e Korçës si dhe ish-kandidat për kryetar bashkie.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11