Nga Doriana Musai

Të heqësh Parkun Rinia do të thotë të vrasësh një vend që qyteti nuk e prodhon dot më. Mund të mbjellësh pemë diku tjetër, por nuk mund të zhvendosësh bashkë me to kujtesën, takimet dhe jetën që breza njerëzish kanë ndërtuar aty. Një park në qendër është një vend ku mund të qëndrosh pa paguar, pa qenë klient, pa pasur një arsye tjetër përveç dëshirës për të qenë në qytetin tënd. Aty fëmijët, të moshuarit, banorët dhe kalimtarët ndajnë të njëjtën hapësirë. Kjo është pjesë e qytetërimit që kemi ndërtuar.

Prandaj vrasja e qytetit është edhe vrasje e kujtesës së njerëzve. Është fshirje e historisë. E quajmë urbicid, sepse shkatërrimi i vendeve prek edhe jetën kolektive që ato mbajnë. Mund të ndodhë ngadalë, ndërhyrje pas ndërhyrjeje, derisa një ditë e kuptojmë se qyteti është ende aty, por ne nuk kemi më vend brenda tij. Nuk ka asnjë garanci se ajo që po ndërtohet do të prodhojë qytet. Kur banimi, parqet dhe vendet e takimit u lënë hapësirë zyrave dhe aktiviteteve që mbyllen në fund të orarit të punës, kush do ta jetojë qendrën në mbrëmje? Kush do të ketë arsye të qëndrojë aty? Një qendër mund të jetë plot ndërtesa dhe sërish e zbrazët nga jeta.

As emërtimi «smart city», as kamerat dhe policia nuk e zëvendësojnë praninë e njerëzve, marrëdhëniet dhe kujdesin e përditshëm për një vend. Përse duhet ta humbasim këtë pasuri të Tiranës vetëm sepse marketingu na e shet zëvendësimin e saj si modernitet? Çfarë zhvillimi është ai që na lë më pak hapësirë për të jetuar bashkë? Dhe kush ka të drejtë të vendosë për këtë humbje? Një hapësirë e përbashkët nuk mund të trajtohet si një parcelë e lirë për zhvillim. Vlera e saj për qytetin përfshin edhe atë që nuk shitet: mundësinë për të pushuar, për t’u takuar, për të kujtuar dhe për t’u ndier pjesë e tij.

Historia i kujton vendimmarrësit edhe për vendet që mbrojtën, edhe për ato që shkatërruan. Gjurmët e vendimeve të tyre mbeten në qytet, ndërsa pasojat i jetojnë brezat që vijnë. Parku Rinia duhet të ruhet si hapësirë publike dhe si pjesë e pandashme e jetës së Tiranës. Çdo propozim që prek të ardhmen e tij duhet të bëhet publik dhe të përballet me zërin e qytetarëve përpara se të merret një vendim. Ta zbrazësh Tiranën nga njerëzit dhe ta mbushësh me ndërtesa pa jetë, duke i hequr vendet që e bëjnë të përbashkët, është e pafalshme. Është ta urresh këtë qytet.

LËR NJË KOMENT

Justina Shiroka Pula është zyrtarisht Presidente e Republikës së Kosovës. Ajo u votua gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pak minuta para skadimit të afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit....
/ Oct 7
Nga Xhensil Shkëmbi Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid. Maricarmen...
/ Oct 8
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Presidenti Donald Trump tha se do të shkarkonte dy këshilltarë të lartë zgjedhorë nëse angazhimi i tyre për fushatën e Mirolad Dodik në Republikën Srpska do të paraqiste konflikt interesi...
/ Oct 7