
Një situatë e tensionuar ndodhi gjatë një debati në Universitetin e Tetovës, ku Ministrja e Arsimit dhe Shkencës e Vesna Janevska u përball me gazetarët shqiptarë lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe gjatë komunikimit publik. Situata u filloi të tensionohej pasi ministrja kërkoi që pyetjet dhe diskutimet të zhvilloheshin në maqedonisht, duke theksuar se kjo është gjuha zyrtare e vendit. Debati po zhvillohej në kuadër të diskutimeve për propozim-ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë, në një ambient universitar ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Sipas të pranishmëve, Janevska u kërkoi profesorëve dhe drejtuesve të universitetit që të flisnin maqedonisht, me arsyetimin se nuk i kuptonte plotësisht deklaratat në shqip.

“Unë nuk duhet të kem përkthyes, ju duhet ta dini gjuhën maqedonase. Unë pak kuptoj, por për të mos gabuar në përkthim, ju lutem të më përktheni në mënyrën më të kulturuar,” – u shpreh ministrja gjatë debatit. Gazetarët reaguan menjëherë, duke i kujtuar se ndodhej në Tetovë, ku gjuha shqipe është gjerësisht në përdorim. “Herën tjetër, kur të vini në Tetovë, duhet të merrni një përkthyes,” – iu drejtuan ata ministres.
Pas insistimit të saj që komunikimi të bëhej në maqedonisht, gazetarët vendosën të ndërpresin intervistën, duke i hequr mikrofonët si shenjë proteste ndaj kërkesës së saj.

Ministrja deklaroi gjithashtu: “Maqedonia e Veriut ka një gjuhë zyrtare dhe një tjetër që e flasin komunitetet,” deklaratë që u interpretua si relativizim i statusit të gjuhës shqipe në vend.
Ngjarja ka nxitur reagime politike. Partia opozitare shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi pas deklaratave të ministres, duke theksuar se gjuha shqipe nuk është “gjuhë komuniteti”, por gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj. “Kjo nuk është çështje dëshire personale e një ministri apo ministreje, por detyrim institucional,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Kjo nuk është hera e parë që Janevska përfshihet në polemika të ngjashme. Në një rast të mëparshëm, ajo i ka kërkuar kryetarit të Tetovës, Bilal Kasami, të fliste maqedonisht gjatë një komunikimi publik, me arsyetimin se nuk e kuptonte shqipen. Kasami, megjithatë, vijoi deklaratën e tij në gjuhën shqipe.
Ngjarja e fundit ka rihapur debatin mbi përdorimin e gjuhëve zyrtare në institucionet e Maqedonisë së Veriut dhe mbi respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend.


