
Takimi mes Edi Ramës dhe Kyriakos Mitsotakis në Athinë ka rikthyer në vëmendje përpjekjet për një marrëveshje të re strategjike mes dy vendeve, me fokus zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbartura dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Dy liderët u takuan në kuadër të Forumit Ekonomik të Delphit, ku theksuan progresin e bërë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe nevojën për të avancuar më tej këtë raport në funksion të stabilitetit rajonal dhe integrimit europian.
Kryeministri grek, Mitsotakis, vlerësoi zhvillimet pozitive dhe nënvizoi rëndësinë e momentit aktual për të adresuar çështjet e hapura. “Është gjithmonë mirë të vlerësojmë progresin e rëndësishëm që është arritur në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme për rrugën e vështirë që po ndiqni drejt Bashkimit Evropian.” Ai shtoi gjithashtu: “Besoj se kemi një mundësi të rëndësishme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura në lidhje me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të konsoliduar miqësinë e vërtetë midis dy popujve tanë.”

Nga ana e tij, Rama theksoi vullnetin për të çuar përpara marrëveshjen e re strategjike dhe për të lënë pas të kaluarën. “Jemi shumë të etur të vazhdojmë dhe të përfundojmë atë që ramë dakord së bashku, një dokument të guximshëm partneriteti strategjik ku të gjitha çështjet trajtohen dhe nuk ka më çështje të pazgjidhura midis nesh.”
Pas takimit në një reagim të tijin publik, Rama u shpreh gjithashtu për raportin personal me homologun grek dhe objektivat e përbashkëta, “Na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri.” Ai gjithashtu theksoi se po punojnë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik.



