Sot në pesë bashki të vendit, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë po mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryetarët e rinj të bashkive. Në këto zgjedhje marrin pjesë gjithsej 13 kandidatë, përfshirë kandidatë të pavarur dhe përfaqësues të Partive Socialiste e Demokrate.
Procesi i votimit nisi paraditen e sotme, ku disa qendra u përballen me probleme teknike dhe vonesa. Në Vlorë, katër qendra votimi nuk kishin nisur procesin në kohë, për shkak se pajisjet e identifikimit biometrik nuk njihnin shenjat e gishtërinjve të qytetarëve dhe komisionet nuk gjenin regjistrat e votuesve. Në Berat, një qendër votimi për 3,270 votues ka pasur probleme me kamerat e sigurisë. Ndërsa në Dukat, votuesi i parë pas 2 orësh pa asnjë të tillë nuk ka mundur të ushtrojë të drejtën e tij pasi kishte harruar kartën e identitetit.

Në Cërrik, kandidati i pavarur Amarildo Hoxha i bëri thirrje qytetarëve të votojnë masivisht dhe u shpreh që pret që procesi të zhvillohet pa ndërhyrje nga jashtë. Deri në këtë moment, pjesëmarrja në këtë bashki është e ulët, rreth 7.21%, duke reflektuar interesin e ulët në këto zona përsa i përket votimit.
Sipas Komisionerit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, pjesëmarrja në të gjitha pesë bashkitë deri në orën 13:00 është 13%, me Matin që shënon pjesëmarrjen më të lartë dhe Vlorën më të ulët. Grupi më aktiv në votime është ai i moshës 55-64 vjeç, ndërsa më pak kanë votuar të rinjtë 18-22 vjeç. Celibashi theksoi se nuk janë raportuar persona të paautorizuar pranë qendrave të votimit dhe se situatat të pakëndëshme nuk kanë ndodhur duke mos penguar kështu edhe procesin e votimit.

Pavarësisht sfidave teknike dhe pjesëmarrjes së ulët, qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 18:00, dhe qytetarët që ende nuk kanë votuar kanë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre. Ndërsa presim rezultatet për kryetarët e rinj të pesë bashkive, numërimi i votave pritet të përfundojë mesditën e së hënës.


