
Protesta më jetëgjatë në Shqipëri, e njohur gjerësisht si “Revolucioni Flamingo”, nisur fillimisht si një kauzë mjedisore nga rrethimi i tokave në Zvërnec, u shndërrua shpejt në një përbashkim shqetësimesh dhe kauzash që lidhen me korrupsionin në nivele të larta të qeverisjes, mungesën e zhvillimit ekonomik, kushtet e vështira në marrjen e shërbimeve shëndetësore, nivelin e dobët arsimor dhe emigrimin e të rinjve si shumatore e së tërës. Ndërsa protestuesit kanë tejmbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për mbi 73 ditë me radhë, në shenjë revolte kundër klasës poltike 35-vjeçare, nuk kanë pranuar as afrimin e partive të vogla, duke u shprehur se nuk përfaqësohen prej askujt.
Nuk kanë munguar as rastet, kur grupimet politike të partive të reja, si “Mundësia” apo “Shqipëria Bëhet” janë larguar me brohorima nga qytetarët, të cilët janë shprehur të vendosur se kauza e tyre nuk mund të marrë ngjyresa politike.
Pavarësisht se janë përzënë nga protestuesit, pa mundur të rrëmbejnë mikrofonin e tribunës, që mund të sillte udhëheqjen e revoltës së qytetarëve prej tyre, liderët e padëgjuar dhe të papranuar në shesh kanë bërë një hap pas, duke e zhvilluar diskursin e tyre nga një kënd i largët dhe duke postuar video në mbështetje të “flamingove” në rrjetet sociale.
Nga një vëzhgim i kryer nga Gogo.al në rrjetet sociale të të dy krerëve të partive të vogla, Agron Shehaj dhe Arlind Qori, vihet re se postimet nga protestat kanë qenë të përditshme, herë duke u mjaftuar me një video, herë-herë me instensitet të shtuar.
Në 20 ditët e fundit të protestës, kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj ka transmetuar live marshimet nga sheshi “Skënderbej” drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” (30-35 minuta në total), pa shfaqur imazhin e tij. Megjithatë, ai ka zgjedhur një tjetër formë ekspozimi, duke bërë video me qytetarë që e përshëndesin në shesh, me makina që ndalin drejt tij, me njerëz që shprehen se ai është mundësia për të ardhmen. Po ashtu, Shehaj në formatin video-reels ka zhvilluar bashkëbisedime me deputetin Erald Kapri, si dhe aktivistë të partisë së tyre, të cilët bashkërisht kanë drejtuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se fundi i qeverisjes së tij është i afërt. Diskursi i tyre është përqëndruar kryesisht te korrupsioni dhe vjedhja e parave publike nga funksionarë të lartë shtetërorë, pa u ndalur në problematika të tjera socio-ekonomike. Paralelisht Shehaj ka zhvilluar edhe disa episode në Kuvend, duke marrë me forcë një dokument të klasifikuar të këtij institucioni, akt për të cilin u përjashtua nga seancat plenare për 60 ditë me radhë.
A do të mundet Shehaj të bëhet zëri i munguar i revoltës qytetare?

Sa u takon problematikave sociale, ka postuar gjerësisht kreu i “Lëvizja Bashkë’, Arlind Qori, i cili ndryshe nga Shehaj nuk e ka transmetuar në video-live protestën, por ka publikuar çdo natë video në formatin “reels”, në trajtën stand-up, duke pasqyruar shqetësime nga më të ndryshmet, artikuluar nga qytetarët edhe në tribunën e kësaj proteste. Nga pabarazia sociale, tek oligarkia, çmimet e larta të karburanteve, ushqimeve dhe qiratë e banesave, Qori është përqendruar te diskursi i së majtës me fokus problematikat sociale dhe luftimin për ideale, por duke theksuar se i përket një të majte moderne dhe jo si ajo “e maskarenjve”.
Ajo që vërehet është se Qori nuk qëndron në protestë si vëzhgues i jashtëm, por rreket të bëhet pjesë integrale e revoltës së qytetarëve, duke dalë në shesh me një grupim aktivistësh, të cilët brohorasin me altoparlantë thirrje, si “Revolucion”. Madje, në një stand-up të tij ai shtron pyetjen: Pse qytetarët thërrasin “Revolucion?”.
Denduria më e madhe e postimeve të Qorit është në ditën e 60-të të protestës, përkatësisht më 29 korrik, me 6 të tilla, duke arguemtuar se përse duhet të rrëzohet nga pushteti Edi Rama apo duke pyetur drejtpërdrejt kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballën se a mundet të numërojë çdo protestues në shesh. Po ashtu, një tipologji tjetër e postimeve të Qorit janë intervistat me gazetarë të huaj, në të cilat sqaron arsyet e protestave dhe çfarë synojnë të arrijnë qytetarët përmes tyre. Një formë kjo, e tejçimit të zërit të tij dhe forcës që përfaqëson përtej platformave mediatike shqiptare.


Shehaj dhe Qori kanë zgjedhur të njëjtën formë proteste, nga pranishmëria në atë reale, te lufta dhe për vëmendje në rrjetet sociale, por a do të arrijë ndonjëherë momenti kur njëri prej tyre apo të dy bashkë të kanalizojnë energjinë politike të protestës?


