
Nga Indrit Vokshi
Padrejtësi se e quajtën të korruptuar?
Po ju vetë e dini se pasurimi nisi me kontrabandën e naftës në vitet 1990 me kompaninë “Shqiponja”. Ju e dini kujt i shkonin gjithë tenderat dhe pse. Ju e dini edhe Rezart Taçin. E dini edhe biznesin miliona dollarë i cili shpërtheu hava dhe vrau njerëz. Edhe tenderat e rrugëve ku ka pasur 3 miliard euro fond në 8 vjet. I dini edhe tokat. Edhe përqindjet. Ju dini gjithçka. Pse bëni sikur nuk i dini dhe thoni “Jo po, Amerika i bëri padrejtësi”. Jo po, Sorosi.
Ku është padrejtësia këtu? Pse e quani padrejtësi damkën i korruptuar, kur ju vetë i dini mirë gjërat? A doni të na bëni për budallenj a si?
Njejtë vepron Edi Rama, veçse me teknologji më të avancuar korrupsioni. Nëse Amerika e quan Edi Ramën të korruptuar, dhe mijëra socialistë ngrihen dhe e quajnë padrejtësi akuzën amerikane, a dmth kjo se Rama nuk është i korruptuar vetëm pse ashtu thonë mijëra socialistë? Jo. Rama vazhdon mbetet i tillë, incineratorët, resortet, pallatet; smund tia numërosh, aq shumë vjedhje ka.
Ky është një vend ku hajduti fiton atë lloj vetëbesimi, saqë e quan padrejtësi dhe shkelje dinjiteti nëse ia përmend vjedhjet që ka kryer. A e keni parë Edi Ramën kur gazetarët e kapin mat me pyetje mbi korrupsionin e tenderat dhe iu thotë “Tiu vijë turp”, gjoja ky si i lënduar; pra duhet t’i vijë turp gazetarit që ia përmend vjedhjen, jo politikanit që vjedh. Edhe në rastin e këtij shokut, Sali Berisha, u quaka shkelje dinjiteti personal se Amerika e quajti të korruptuar. Pash Zotin.
Jeni bërë si fëmijët 15 vjeçarë të Medelinit në Kolumbi të cilët adhuronin Pablo Escobar; aty prej mizerjes së getos e quanin heroin e tyre, mbrojtësin e madh, e po tiu thoshte dikush se ai është vrasës, ata nuk e pranonin. Dmth e dinin mirë, sepse i kishin parë me sytë e tyre vrasjet e tij, rrëfenin edhe me krenari për vrasjet e tij. Mirëpo nuk e pranonin ndër sy të të huajve, sepse e donin vrasësin e tyre. Vrasësi ishte përfaqësuesi i tyre identitar.
Ju nuk e kuptoni çfarë imoraliteti po kryeni. Kush e grabiti Shqipërinë këto 35 vjet? Si u krijuan këto “dinasti” të pasura politike, ekonomike, mediatike? Me çfarë u krijuan? A punuan e prodhuan diçka këta apo përdorën pushtetin për pasurim?
Se Ilir Meta thotë se nuk ka vjedhur. Berisha thotë nuk ka vjedhur është super i ndershëm. Rama gjithashtu thotë nuk ka vjedhur. Atëherë kush vodhi në ketë vend? Meqë këta nuk kanë vjedhur, kush vodhi? Kush e themeloi gjithë ketë padrejtësi?
Ka nja 20 vjet që janë të njejtat kompani e persona të të dy krahëve të cilat na vjedhin te nafta, te tenderat, te ushqimet, na zaptojnë tokat, na shaktërrojnë shtetin, ligjin, gjykatat, policinë, arsimin, shëndetësinë etj. Janë të njejtët njerëz të cilët rezultojnë klientelë e të dyja palëve politike dhe mbajtës të lekëve të tyre.
Atëherë si i bie, kush ka vjedhur në ketë vend, alienët?
Ju nuk e kuptoni se jeni viktima sociale. Viktima të dëshpëruara në një shoqëri në kaos, viktima aq për keqardhje, sa kuptimin e jetës kërkoni ta gjeni tek agresorët dhe dhunuesit e këtij vendi. Dalin berishistët thonë u korigjua padrejtësia sepse i fyen dinjitetin atij. Dalin ramistët thonë se protestën e organizojnë armiqtë e Shqipërisë edhe pse Rama ia ka nxjerrë ujin e zi këtij vendi dhe bashkë me çetën hajdute me këmisha e kravata, janë armiq të mëdhenj të Shqipërisë sepse po shkatërrojnë jetesën në ketë vend.
Del Rama thotë mos më prekni sepse kam 800 mijë vota. Del Berisha thotë mos më prekni sepse kam 500 mijë vota. Pra e dinë se çfarë kanë bërë e çfarë kanë shkatërruar por mbrohen me votat. Mbrohen duke iu përdorur ju si mbrurojë.
Një skllavëri mendore e frikshme dhe turpëruese. A e kuptoni se po ua bëre mbarë këta nuk lënë gjë pa bërë? E kanë dëshmuar në 35 vjet. Edhe para 35 vjetësh por në këto 35 pluralizëm po them. Në vend që tiu vini frena duke i mbajtur nën përgjegjësi e duke i bojkotuar, ju ua bëni mbarë. Pak përgjegjësi e ka njeriu për vend të vet, smund të mbytet nga verbëria e tifozlliku.


