
TikTok, një nga aplikacionet më të përfolura kohët e fundit, është vendosur të mbyllet nga qeveria shqiptare pas ngjarjeve që kanë pasur pasoja tragjike, si dhe pas situatave të tjera që kanë shkaktuar debate. Po a ndodhi me të vërtetë kjo mbyllje?
Pasi ngjarjes së rëndë mes dy të miturve, ku njëri prej tyre humbi jetën, dhe pas lidhjes së incidentit me përdorimin e TikTok-ut, qeveria shqiptare dhe Edi Rama, vendosi mbylljen e këtij aplikacioni. “Problemi sot nuk janë fëmijët tanë, problemi sot jemi ne, problemi sot është shoqëria jonë, problemi sot është TikTok dhe gjithë të tjerët që po i marrin fëmijët tanë peng,” tha Rama, duke shpjeguar se ky ndalim është për mbrojtjen e të miturve dhe fëmijëve. Ky është i pari ndalim i këtij lloji në Evropë dhe është thënë se do të qëndrojë në fuqi për një vit. “Për një vit, ne do ta mbyllim plotësisht atë për të gjithë. Nuk do të ketë TikTok në Shqipëri,” shtoi Rama pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesve.

Megjithatë, ndalimi i TikTok-ut u paralajmërua për datën 13 mars 2025, por nuk ndodhi ashtu siç ishte parashikuar. Dy ditë më pas, më 15 mars 2025, kreu i opozitës, Sali Berisha, thirri një protestë kundër vendimit të qeverisë për të bllokuar TikTok. Berisha e quajti këtë një veprim për të penguar fushatën elektorale, duke e lidhur mbylljen me përdorimin e platformës nga shumë të rinj dhe influencues, të cilët mund të ishin pjesë e aktivitetit politik.

Por edhe pas thirrjes së Berishës që ti bashkohen atij në protestën kundër mbylljes së TikTok-ut influencerat nuk kanë reaguar duke qëndruar pasiv dhe duke vazhduar aktivitetin e tyre normal në platformë.
Një reportazh i Agjencisë së Lajmeve “Reuters” ka theksuar mendimet e ndryshme të qytetarëve për këtë masë. Disa e shohin ndalimin si një mundësi për të luftuar fenomenin e dhunës të përhapur në TikTok, kryesisht mes të rinjve ndërsa të tjerë e shohin si një dëm për bizneset që përdorin platformën për marketing.
Pas diskutimit për mbylljen e TikTok-ut pati diskutime për përdorimin e mënyrave alternative siç është VPN-ja. Ndërkohë që specialisti i IT-së Besmir Semanaj i cili ka folur në emisjonin “Sot Live në Shqipëri” deklaroi se përdorimi i VPN-ve është i ligjshëm, por duhet të jenë të sigurta për të shmangur problemet me sigurinë. Sipas tij, një ditë pas shpalljes së ndalimit të TikTok-ut, një kompani VPN-je raportoi një rritje të madhe të instalimeve nga Shqipëria.
Çfarë po ndodh në vendet e tjera të botës?
Së fundi në Finlandë u raportua një rast vetëvrasje nga një njëmbëdhjetë vjeçar i cili kishte ndjekur disa video në TikTok. “Tiktok i rekomandoi përmbajtje rreth vetëvrasjes një djali 11-vjeçar finlandez me pasoja të rënda. Ndërkohë, një studim vë në pikëpyetje pretendimet e Tiktok për mbrojtjen e të rinjve” Gjithashtu një raport i nxjerrë nga Finlanda tregon se mbi 30% e vetëvrasjeve të adoleshentëve ishin të lidhura me videot e publikuara në TikTok, ku promovoheshin mesazhe të dhunshme dhe pabarazi gjinore. Edhe pse janë bërë kërkesa për heqjen e këtyre videove, TikTok ka fshirë vetëm disa nga ato që përmbanin dhunë.
Në përfundim, ndalimi i TikTok-ut edhe pse në Shqipëri ka shkaktuar një valë diskutimesh dhe një reagim të shpejtë nga përdoruesit dhe ekspertët ende nuk kemi asgjë konkrete. Aplikacioni mbetet i hapur dhe reagimet mbetën pas në ditët e para të publikimit të lajmit. Megjithatë koha do të tregojë nëse ky vendim do të ketë ndikimin e duhur për të luftuar dhunën dhe për të mbrojtur të rinjtë, ose nëse do të sjellë pasoja të tjera për përdoruesit dhe bizneset që mbështeten në këtë platformë.


