
Në Shqipëri nuk do ketë më 61 bashki, por vetëm 46. Propozimi i PS-së u kundërshtua ashpër nga banorët e zonave të cilët dolën në protesta ku pati edhe braktisje e djegie të teserave të partisë. Kjo nuk ndryshoi asgjë, fuqia e kartonave shuajti edhe zërat kundër brenda mazhorancës, si Erjon Braçe apo Elisa Spiropali. Sipas hartës së re territoriale Fushë Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosi me Matin, Rrogozhina me Kavajën, Dimali e Poliçani me Beratin, Patosi me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Maliqi me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, Cërriku e Belshi me Elbasanin dhe Prrenjasi me Elbasanin.

Po mbi çfarë kriteresh janë zgjedhur bashkitë që u shkrinë me të tjerat, si Cërriku, Dimali apo Klosi? Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i “Institutit për Bashkitë”, në një intervistë për Gogo.al sqaron se: “Mazhoranca e ka argumentuar shkrirjen me nevojën për konsolidim territorial, forcim të kapaciteteve administrative e financiare dhe përmirësim të shërbimeve. Por problemi është se nuk është provuar bindshëm pse pikërisht këto 15 bashki duhej të shkriheshin dhe të tjerat jo. Popullsia apo madhësia, të marra veçmas, nuk mjaftojnë për të përcaktuar qëndrueshmërinë e një bashkie”.

Sipas tij kriteret duhet të ishin peshuar kundrejt performancës, financave, territorit, aksesit në shërbime dhe interesave të komunitetit. “Nuk mund të anashkalohen as kundërshtimet e qytetarëve dhe të këshillave bashkiakë, përfshirë Klosin, ku këshilli u shpreh unanimisht kundër bashkimit”, thotë ai. Haxhimali i referohet Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, në rekomandimin e 28 tetorit 2026, ku është ngritur shqetësimi se “konsultimet nuk duket se siguruan pjesëmarrjen reale dhe në kohë të komuniteteve të prekura”. Ai thekson se reforma duhet të mbështetet në kritere të qarta dhe prova, jo vetëm në një vendim për reduktimin e numrit të bashkive.
Sa e lehtë do të jetë tani për një banor të fshatrave të thella të marrë një shërbim nga bashkia e madhe? Haxhimali shprehet se: “Kjo mbetet për t’u provuar. Bashkimi territorial nuk garanton automatikisht shërbime më të mira apo më të afërta. Qeveria argumenton se shumë shërbime merren online. Kjo është pozitive, por bashkia nuk është vetëm sportel dhe digjitalizimi nuk zëvendëson praninë institucionale në territory”.
Ai e sqaron përmes një shembulli konkret: “Një i moshuar në një fshat të largët, një familje që kërkon ndihmë sociale apo një fermer që ka nevojë për ndërhyrje në terren nuk i zgjidh domosdoshmërisht problemet përmes telefonit”. Sipas Haxhimalit duhen garantuar zyra shërbimi funksionale, personel në territor dhe standarde të matshme për kohën dhe koston e marrjes së shërbimeve. “Qytetari nuk duhet të udhëtojë më larg apo të paguajë më shumë vetëm sepse bashkia e tij u shkri”, thotë ai.
Lidhur me shkrirjen e bashkive me identiet si Maliqi, Divjaka apo Poliçani ai siguron se: “Identiteti historik, kulturor dhe ekonomik i këtyre komuniteteve nuk zhduket me ligj, por ato humbasin statusin e bashkisë më vete, kryetarin dhe këshillin e tyre të zgjedhur, si edhe vendimmarrjen e veçantë mbi buxhetin dhe prioritetet vendore”. Për Haxhimalin, Maliqi, Divjaka apo Poliçani etj, kanë karakteristika dhe nevoja zhvillimi të ndryshme. Ai paralajmëron se pas bashkimit, interesat e tyre do të konkurrojnë me ato të territoreve më të mëdha, por thekson se: “Kjo nuk do të thotë se zhvillimi i tyre mund të përkeqësohet, por kërkon garanci për përfaqësimin dhe shpërndarjen e investimeve”. Eksperti veçon qëndresën e banorëve duke thënë se: “Protestat e qytetarëve, peticionet dhe kundërshtimet e të zgjedhurve vendorë treguan se shqetësimi nuk ishte vetëm politik, por edhe komunitar. Një komunitet nuk duhet të humbasë peshën e tij në vendimmarrje vetëm sepse humbet statusin administrative”.
Pyetjes se çfarë të drejtash apo mundësish humbet një banor pas shkrirjes së bashkive, Haxhimali i përgjigjet duke thënë se: “Qytetari nuk humbet të drejtën e votës, as të drejtën për shërbime publike. Por mund të humbasë mundësinë reale për të ndikuar në vendimmarrjen vendore me të njëjtën peshë si më pare”. Me ndryshimet e reja paraqiten një sërë ndryshimesh. Haxhimali shpjegon se banori tani “Nuk zgjedh më një kryetar që përgjigjet vetëm për territorin e tij dhe nuk ka më një këshill bashkiak që vendos posaçërisht për buxhetin, investimet dhe prioritetet e komunitetit. Këto kompetenca kalojnë te bashkia e re, por përfaqësimi dhe ndikimi politik nuk transferohen automatikisht në të njëjtën masë. Këtu qëndron dallimi mes të drejtës formale dhe mundësisë reale për ta ushtruar atë. Qytetari mund ta ruajë votën, por komuniteti të ketë më pak zë. Demokracia vendore nuk matet vetëm me votën, por edhe me ndikimin e saj në vendimmarrje”.
Sa i përket mundësisë për mbulimin me fonde edhe të zonave të thella të bashkive që janë shkrirë, ai e sheh në varësi të mënyrës së financimit dhe prioriteteve që do të vendosin bashkitë e reja. “Një bashki më e madhe mund të ketë kapacitete më të mira për projekte dhe investime. Por ekziston edhe rreziku që fondet të përqendrohen në qendrat urbane, ku ka më shumë popullsi dhe peshë elektorale”, thotë ai. Eksperti kërkon të bëhet transparencë për investimet sipas territoreve të ish-bashkive dhe një formulë financimi që merr parasysh jo vetëm popullsinë, por edhe sipërfaqen, distancat, varfërinë dhe kostot e shërbimeve. “Fondi duhet të ndjekë nevojën e qytetarit, jo vetëm numrin e votuesve apo afërsinë me qendrën e bashkisë”, thekson Haxhimali.
Sa e centralizon pushtetin votimi i Reformës Territoriale? Për këtë eksperti argumenton se: “Reduktimi nga 61 në 46 bashki nuk do të thotë automatikisht centralizim i pushtetit te Qeveria. Por ai përqendron vendimmarrjen vendore në më pak institucione dhe mund të dobësojë ndikimin e komuniteteve që humbasin bashkitë e tyre.”
Për Haxhimalin problemi bëhet më serioz kur konsolidimi territorial nuk shoqërohet me decentralizim real të kompetencave, financave dhe vendimmarrjes. Ai citon rekomandimet e Kongresit të Këshillit të Evropës të miratuara më 28 tetor 2026. “Ka evidentuar shqetësime për centralizimin e vazhdueshëm të kompetencave, kufizimet e autonomisë financiare dhe konsultimin e pamjaftueshëm të komuniteteve”, shton ai duke tërhequr vëmendjen se: “Reforma nuk duhet gjykuar vetëm nga numrri apo. krijimi. Bashkive te mëdha, por me atë se ku ndodhet pushteti real për të vendosur dhe për të administruar burimet publike”.


