Nga Sonila Meço

Në Venecia, buzë Ponte Rialto-s, aty ku mahnitet çdo turist, mori vëmendjen time një “ishull” i bukur ku flitej shqip pastër, me mall e mirësi. Mes tavolinash të zëna turistësh, kapicë në pritje për një vendth dhe gotash që trokasin duke qesëndisur gondolat e panumërta, gjeta një Shqipëri të heshtur, por dinjitoze. Djem shqiptarë që punonin si kamerierë, menaxherë me përkushtim dhe standard të lartë në një nga restorantet më të frekuentuara, “Sommariva”.

Pronari i restorantit, nga Skrapari kishte zgjedhur të punësonte vetëm shqiptarë. Jo për patetizëm kombëtar, por sepse dinte me kë kishte të bënte. Ata nuk ishin aty për të mbushur boshllëqe që i krijojnë italianët, por për të fituar vend në një sistem që i teston: me ligj, me gjuhë, me profesionalizëm, me përgjegjësi. Kishin hyrë në një rend që kërkon shumë dhe të jep në masën që përmbush detyrimet.

Dhe teksa po dëgjoja Mikelen e lindur në Itali të më tregonte për nanën e kthyme n’Shkodër për arsye familjare, Arsenin si magnet për myshterinjtë me oratorinë e elegancën në prezantim, Armandon gjithë “rrezatim” energjie pozitive në shërbim të jashtëzakonshëm dhe Marion plot klas e kujdes në sugjerimet ndaj çdo klienti, të gjithë bashkë duke u krenuar me atë sipërmarrje kryekëput shqiptare…pra m’u në mes të këtij festivali kombëtar nën urën e Rialtos, një koleg më shkruante nga Tirana për mënyrën se si diskutimi mbi emigracionin tek ne është ngatërruar si mos më keq.

Me një sentimentalizëm të butë, por politikisht të rrezikshëm, dëgjon si kundëpërgjigje ndaj reflektimit tonë si gazetarë e qytetarë të këtij vendi për zbrazjen e Shqipërisë dhe rolin zëvendësues që po marrin emigrantët që vijnë, se “edhe ne kemi qenë emigrantë”, dhe se “duhet të mirëpresim të huajt siç kemi dashur të na mirëpresin”.

Në parim, s’ka asgjë të gabuar. Në praktikë, ka shumçka të shtrembëruar. Përfshi mungesën e citimit tonë të saktë. Sepse ekziston një zakon i vjetër mes atyre që nuk duan të ndryshojnë sistemin. I deformojnë mendimet e tjetrit duke i kthyer polemikat në akte epërsie morale. Por qëllova mu në zemër të emigracionit kur po me zemër, kolegu ndihej i keqardhur për krahasimet pa vend.

Emigranti shqiptar në Itali hyri në një sistem që e detyroi të përpiqej: me punë të vështira, me vite pa dokumente, me përballje të ashpra kulturore. U tolerua si sfidë, jo si zgjidhje për të mbushur boshllëkun prej ikjeve masive të popullatës. Dhe nëse arriti të ndërtojë jetën, e bëri duke respektuar rregullat e një rendi që ekzistonte para tij.

Ndërsa në Shqipëri, të huajt që vijnë sot hyjnë në boshllëk. Nuk i pret një sistem që i rregullon, i përzgjedh, i integron. I pret mungesa e një populli që ikën, paga minimale që i largon forcën aktive dhe një shtet që sheh në ta një zgjidhje të lirë, pa zë, pa kërkesa.

Pagat e emigrantëve shqiptarë ishin më të larta se rroga mesatare shqiptare, integrimi i tyre kushtëzohej me gjuhë, taksa, shkollim. Ndërsa Shqipëria sot zëvendëson, jo plotëson, sepse pagën e ulët që refuzon një 25-vjeçar shqiptar ia ulin edhe më poshtë një 25-vjeçari bangladeshas a indian. Ky nuk është zhvillim, por zhvlerësim i punës, vlerë e hequr në ekonomi.

Kjo është arsyeja pse nuk janë e njëjta gjë. Jo për shkak të kombësisë, por për shkak të kushteve strukturore. Njëri vjen për të hyrë në një sistem. Tjetri ftohet për të mos e vënë në dyshim mungesën e një sistemi.

Kjo nuk është frikë nga tjetri. Në asnjë mënyrë. Kjo është analizë e asaj që ndodh kur një vend zëvendëson vetveten. Shqipëria sot nuk po ndërton një model bashkëjetese, por po mbush boshllëqe në punësim me ata që nuk kanë “luksin” të bëjnë pyetje. Dhe kjo nuk është “mikpritje”. Është “zbrazje e organizuar”.

Në një vend me shtresë të mesme që mpaket çdo vit, me të rinj që ikin dhe me arsim që degradon, të huajt nuk janë problem. Por të trajtohen si zgjidhje, pa adresuar asnjë nga shkaqet e largimit të shqiptarëve, kjo është formulë dështimi me breza.

Në Venecia, djemtë tanë më treguan se integrimi është rezultat përpjekjeje, jo dëshire. Në Shqipëri, shteti ynë na tregon se mjafton mungesa që të ketë zëvendësim. Dhe ky është dallimi që shumë refuzojnë ta shohin: jo mes “nesh dhe atyre”, por mes një rendi që kërkon përpjekje e përfshirje dhe një boshllëku që mjaftohet me praninë.

Ndaj nuk i frikësohem atyre që vijnë. I trembem mungesës së një Shqipërie që i përgjigjet të vetëve me dinjitet. Dhe kur e them këtë, nuk përjashtoj askënd. Thjesht refuzoj të hesht për zëvendësimin e gjithçkaje që jemi, me gjithçka që ndodh të jetë në dispozicion.

Në Venecia, buzë Ponte Rialto-s, takova djem shqiptarë, të edukuar, të saktë, të dallueshëm në standard. Kanë hyrë në një sistem që i mat, i kontrollon, i përzgjedh.

Nuk janë vendosur aty për zëvendësim, por si dëshmi që edhe një shqiptar, në një sistem që funksionon, mund të fitojë hapësirë me dinjitet.

Dhe vijmë këtu tek lehtësia me të cilën, në Shqipëri, një përpjekje për të artikuluar boshllëkun e braktisjes dhe zëvendësimit të shqiptarëve etiketohet si paragjykim. Kjo nuk është çështje ndjeshmërie kulturore, por strukture. Nuk është frikë nga tjetri, por pamjaftueshmëri e vetvetes. Dhe nëse ka një përjashtim të heshtur në këtë debat, nuk është ai ndaj të huajve. Është përjashtimi i shqiptarëve nga Shqipëria. Si të mjaftonte fjala “përfshirje” për të mbuluar faktin se një vend po mbushet jo sepse po zhvillohet, por sepse po zbrazet.

E vërteta është se një vend nuk bëhet kozmopolit vetëm nga prezenca e të tjerëve, por edhe nga aftësia për të ruajtur të vetët. E kuptoj se kjo nuk tingëllon rehat për disa. Por është më e ndershmja nga të gjitha. Dhe ndonjëherë është mu bash ndershmëria që ngjan si përjashtim, sepse jemi mësuar t’ia lehtësojmë ndërgjegjen vetes me marinim propagande, e jo t’i kërkojmë llogari si sovran.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14