
Dy shkrime investiguese që gazetarja Desada Metaj publikoi në portalin “VNA”, lidhur me pretendimet për tendera të dyshmitë që kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka kryer si titullar i Institucionit u bënë shkak, sipas gazetares që ty i fundit t’i dërgojë mesazhe intimiduese.
Pas kësaj situate që nuk po ndiqej në rrugë zyrtare nga ana e Celibashit, por diskutimi përshkallëzoi në intimidim me mesazhe telefonike, gazetarja Metaj ka reaguar publikisht, duke u shprehur se VNA është e gatshme të publikojë çdo sqarim zyrtar të KQZ-së për procedurat e tenderit.
Gazetarja bën të ditur se një sqarim i tillë nuk erdhi nga ana e institucionit që drejtohet nga Celibashi, duke shtuar se kreu i KQZ-së kishte thirrur në zyrë subjektin që nuk e kishte fituar tenderin.
“Një sqarim i tillë nuk erdhi. Në vend të tij, sot kam mësuar se z. Celibashi ka thirrur në zyrë subjektin që nuk ka fituar tenderin. Pas këtij takimi, pronari i këtij subjekti, Granit Gjana, më ka telefonuar për të më thënë se z. Celibashi i kishte kërkuar të më kontaktonte, me qëllim që unë të mos merresha më me të”, shkruan Metaj.
Dy shkrimet investiguese të VNA-së mund t’i lexoni këtu:
Më tej ajo sqaron se nuk e njeh pronarin e subjektit Granit Gjanën dhe se ai nuk është personi që është ankuar në VNA për problematikën e tenderave në KQZ.
“Ndërkohë, z. Celibashi më ka dërguar mesazhe dhe më ka telefonuar me një gjuhë që, për mendimin tim, nuk i shkon një zyrtari të lartë shtetëror, aq më pak drejtuesit të institucionit që administron zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë. E siguroj z. Celibashi se nuk më intimidon as me gjuhë juridike, as me presione politike, as me telefonata jashtë çdo standardi institucional”, vijon më tej Desada Metaj.
Në përfundim të shkrimit, gazetarja sugjeron se rruga që duhet të ndjekë Celibashi është shumë e thjeshtë: “Të dërgojë një sqarim zyrtar, të paraqesë dokumente, ose t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë. Për çdo rast, mesazhet dhe telefonatat me të mund t’i vë në dispozicion të drejtësisë”.
Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH), duke kërkuar komunikim institucional, transparent dhe pa gjuhë apo veprime që mund të perceptohen si presion ndaj gazetarëve. Sipas AGSH-së, përpjekja për të ndikuar nëpërmjet personave të tretë, është e papranueshme dhe cenon rëndë pavarësinë editoriale.



