

Ndonëse turizmi ka qenë sektori më i debatuar i momentit, Shqipëria mbetet një destinacion i preferuar për një sërë personazhesh të njohura, përfshirë botën e politikës si dhe atë të televizionit.
Midis këtyre personazheve të politikës ndërkombëtare, përmendim kryeministren italiane Giorgia Melonin, vajzën e ish-presidentit Donald Trump, Ivanka Trumpin, si dhe diplomatin amerikan Richard Grenellin. Ndërsa nga bota e artit dhe televizionit përmendim William Oliver Stone. Por çfarë i tërheq këta personazhe drejt Shqipërisë?
I marrim me radhë…

Ivanka Trump
Për Ivanka Trumpin, disa mediat raportojnë se ajo ndodhet në Shqipëri, pasi kanë parë jahtin e saj duke u ankoruar pranë plazhit të Qeparoit.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Ivanka Trump viziton dhe tregon interes për Shqipërinë, pasi ajo e ka vizituar vendin tonë edhe në vitin 2021, për shkak të interesit që kishte lidhur me projektin e bashkëshortit të saj Jared Kushner, për të ndërtuar një komunitet luksoz eko-resort të markës në ishullin e Sazanit (lexo këtu).
Edhe vitin e kaluar ajo zgjodhi t’i kalonte pushimet në jugun e Shqipërisë, së bashku me bashkëshortin. Ata zgjodhën të vizitonin vende si: Butrinti, Sazani dhe Kepi i Rodonit. Kështu që përpos argëtimit, natyrës, padyshim Ivanka Trumpin drejt Shqipërisë e tërheqin dhe paratë që do të bëjë me Sazanin.

Giorgia Meloni
Kryeministria e Italisë, Giorgia Meloni zgjodhi po ashtu të kalonte disa ditë pushime në jugun e Shqipërisë. Vitin e kaluar së bashku me familjen e saj, Meloni pushoi në qytetin e Vlorës dhe plazhin e Dhërmiut. Kryeministria e Italisë qëndroi për dy ditë në rezidencën qeveritare dhe u shoqërua me skafin e autoriteteve shqiptare. Përpos pushimeve, Melonin e tërheq në Shqipëri marrëveshja që ka bërë me kryeministrin Edi Rama për kampin e refugjatëve që do të hapet në Gjadër të Shëngjinit (lexo këtu). Sipas kësaj marrëveshjeje, e cila ka një afat 5-vjeçar, emigrantët që tentojnë të hyjnë në Itali do të sillen në Shqipëri, deri në pritje të miratimit të kërkesë për azil apo dëbimit të tyre në atdhe.

Richard Grenell
Ndër të tjerë dhe Richard Grenell, ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi zgjodhi të vizitonte Shqipërinë për një javë vitin e kaluar. Ai ka ardhur dhe në Qershor të këtij viti me familjarë të tij në jug të vendit.
I pyetur në një intervistë me Çim Pekën, Grenell u shpreh se ka mbetur i mrekulluar nga bregdeti shqiptar. “Unë e dua ushqimin, I dua njerëzit, e dua kulturën shqiptare.”-ka thënë Grenell. Por udhëtimet e shpeshta të Grenellit nuk janë thjesht për të shijuar bregdetin tonë më shumë se sa për synimet afatgjatë që ka për investimet. Me Ivanka Trumpin, atë e bashkon investimi në Sazan.
“Projekti ynë është fenomenal. Unë kam shpenzuar shumë sezone verore në bregdetin shqiptar dhe më duket shumë më i bukur se Greqia dhe shumë më i bukur se vendet e tjera që vizitojnë amerikanët. Prandaj ne ishim shumë entuziastë të investonim në një rajon që e njohim, që e duam.”- ka deklaruar Grenelli në një intervistë për gazetarin Çim Peka në “SyriTV”, ku ka pranuar se ka qenë ai që e ka bindur Kushnerin të investojë.

William Oliver Stone
Përtej figurave politike, mund të përmendim dhe të tjerë personazhe të njohur, të botës së artit e televizionit të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.
Një ndër to është regjisori i kinematografisë botërore dhe fituesi i disa çmimeve “Oscar”, William Oliver Stone, i cili vizitoi Shqipërinë në fillim të muajit Korrik të këtij viti. Stone ishte i shoqëruar nga gruaja si dhe miqtë e tij, të cilët së bashku pushuan në plazhet e jugut.

Jack Ma
Jack Ma, bashkëthemeluesi i “Alibaba Group”, vizitoi vendin tonë vitin e kalur dhe qëndroi për disa ditë në Tiranë. Multimiliarderi u pa në një nga lokalet e Tiranës duke drekuar me stafin e ambasadës kineze dhe miqtë e tij. Ma u largua nga Shqipëria me datë 13 korrik me premtimin se do të rikthehet.

Darren Jason Watkins Jr
Po ashtu dhe vlogeri i njohur amerikan Darren Jason Watkins Jr, i njohur si Shoë Speed vizitoi këtë vit Tiranën. Ai u shpreh shumë i lumtur për vizitën dhe për ndjesinë që i dhuruan shqiptarët. Ai vizitoi dhe kryeministrin Edi Rama në zyrën e tij, me të cilin foli për pasionin për pikturën. Rama i tregoi atij kopshtin në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë dhe Speed mbeti i habitur. Ai tha: “Vërtet s’kam parë një gjë të tillë më përpara”.
Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha
Ndër të tjera, këngëtaret me origjinë shqiptare si Rita Ora, Dua Lipa apo Bebe Rexha e kanë vizituar vazhdimisht Shqipërinë dhe e kanë bërtitur këtë fort dhe në rrjetet e tyre sociale, duke promovuar natyrën, kuzhinën dhe gjithçka tjetër që ka për të ofruar vendi ynë. Ato sigurisht i tërheqin rrënjët që kanë në Shqipëri, por në rastin e Dua Lipës dhe interesat të tjera, pasi po ndërton një rezidencë superluksoze në Sarandë, përballë ishullit grek të Korfuzit, me pamje nga deti Jon.

Vizita më e fundit nga tre këngëtaret shqiptare ishte ajo e Bebe Rexhes në fund të korrikut, konkretisht ajo ka vizituar Dibrën e Madhe në Maqedoninë e Veriut, por ka qëndruar dhe në Tiranë dhe pothuajse çdo ditë publikonte foto e video. Ajo u takua dhe me kushëriren e saj të largët, politikanen Monika Kryemadhi.
Por në një moment pati edhe kritika në rrjet, duke qenë se quajti Shqipëri të gjitha trevat shqiptare që janë pjesë e Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut e madje dhe Kosovën. Pas kritikave, ajo tha se në shpirtin e saj nuk njeh kufij dhe nuk futet në debatet e kufijve shtetërorë dhe nuk ka patur atë qëllim.
Janë disa nga revistat ndërkombëtare, të cilat e kanë renditur vendin tonë në 10-shen e vendeve që duhen vizituar, ndër të cilat mund të përmendim revistën britanike “Time Out”, e cila vë në pah natyrën e vendit pasi përmendet malet me shtigje ecjeje, rrënojat e lashta si dhe plazhet mahnitëse për t’u eksploruar.


