Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar pasi gazetari Blendi Fevziu ka deklaruar në emision se të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër TV sikur janë në punë”. Rama ironizon duke shkruar se Fevziu i ka rënë fort kambanës. Ai citon Fevziun si cili ka garantuar se “Kjo është praktikë e paprecedentë, jashtë çdo standardi demokratik dhe nuk përdoret në asnjë vend tjetër të botës”. Duke hedhur poshtë deklaratat e gazetarit, kryeministri Rama sqaron se: “Jo vetëm garancia e dhënë nga Fevziu nuk gjen mbështetje në asnjë fakt të regjistrit të udhëtimeve të ministrave (të cilët edhe kur dalin për arsye personale jashtë vendit e bëjnë me një kërkesë për leje dhe vetëm me miratim) po është kaq larg realitetit, sa edhe vetë fakti që prej vitesh s’ka më kaseta në nahijen tonë”. Rama i kundërpërgjigjet duke i kujtuar Fevziut se: “E vetmja arsye që unë i gjej kësaj bubullime janë 7 udhëtimet e fundit të Fevziut në Amerikën Latine, ku Fevziu bashkë me Baton Haxhiun, andej hante mëngjes me llapingachos në Ekuador ose rrufiste kafen e famshme Caranavi 8500 këmbë mbi nivelin e detit në Bolivi dhe këtej grindej live në Opinion deri në mesnatë po me Batonin – natyrisht bashkë me korin e llazoreve të sallonit të tij – sa për kronikën e zezë të javës e sa për përgjimet e zbardhura të ditës…”

Kryeministri jep me detajet udhëtimet e Fevziut në kohën kur në televizion transmetoheshin debatet për policinë dhe rendin në Shqipëri e duke e etiketuar Fevziun si demokrat që Venezuela nuk e kishte lejuar të futej në kufi: “E që të jem korrekt me faktet, udhëtimet mbetën 6 sepse teksa kaseta e “TV Klanit”, transmetonte Fevziun që i kërkonte llogari live natën në ekran policisë shqiptare për gjendjen e rendit publik, Fevziu i vërtetë i jepte llogari live paradite policisë venezuelane pse dreqin donte të hynte në atë vend. Dhe ndërkohë që live këtej në “Opinion”, Fevziu me kostum e kravatë nxiste deri vonë sherrin e panelit me policinë, live andej në kufirin e Venezuelës policia e kthente mbrapsht Fevziun me këmishë me lule e kapele kashte, duke e konsideruar një demokrat shumë fanatik për të vizituar atë narkodiktaturë shumë krenare.”

Kreu i qeverisë ia kujton Fevziut se ishte jashtë vendit, kur në TV dukej se transmetimi bëhej live: “Kjo shaka e mbështetur në fakte reale, ishte goxha më shumë se gjysma e të vërtetës dhe nuk kishte absolutisht qëllim të nxirrte ndonjë inat të paprecedent jashtë çdo standarti demokratik me Blendi Fevziun, sepse është liria e tij të shkojë ku të dojë dhe e drejta e “TV Klanit” që ta transmetojë “Opinionin” live në mungesë të Fevziut.”

Në fund Rama shprehet i gatshëm të përballet me gazetarin për ta bërë edhe më serioz shqetësimin që ai ka ngritur në emisionet e veta: “Por nëse Fevziu e do fare seriozisht këtë temën idiotike të kasetave, e po të dojë edhe të udhëtimeve jashtë shtetit të ministrave natyrisht, atëherë dihet botërisht, unë jam gjithnjë i tiji, gati për t’u përballur me opozitën e vetme që ka mbetur pa dalë krejt mendsh e boje në këtë vend – pavarësisht lajthitjeve të teketukshme live si kjo e 7 ministrave, të cilat kanë edhe anën e tyre humoristike.”-mbyll Rama postimin në rrjete sociale të cilin e ka nisur ironikisht me fjalët:” Breaking News”.

Përgjigjet Fevziu

Fevziu zgjedh t’i kundërpërgjigjet Ramës me një fragment nga emisioni i tij i djeshëm, ku thotë se ministrat sfilonin mes sipërfaqeve të përmbytura duke bërë muhabet me veten si një shëmtim moral: “Kryeministri i Shqipërisë ishte shqetësuar nga një fragment i emisionit të djeshëm në “Opinion”, ku ministrat dhe drejtorët e tij sfilonin mes sipërfaqeve të përmbytura duke bërë muhabet me vete. Po po, me veten, duke u parë në sy, ndjekur nga një kameraman i ministrisë që ecte mbrapsht. Këto pamje të transmetuara live thuajse kudo, ishin për mua, jo vetëm një shëmtim moral, por edhe një lloj papërgjegjshmërie, që ministrave të sotëm i vjen nga impotenca e ideve, mungesa e karizmës dhe personaliteti i gjymtuar. Por s’do zgjatem në këtë pikë se meriton një shkrim më vete. Dhe javët e fundit kanë plot histori që mund të tregohen për këtë gjë…”

Ai çuditet me faktin që Rama merret me daljet e ministrave, kur vendi është i përmbytur, zv.kryeministrja Balluku ka një kërkesë nga SPAK-u për arrestim dhe shumë skandale të tjera shtetërore: “U çudita që me 1/3 e Shqipërisë nën ujë; me një zjarr që shkumboi miliona dollarë të tregtarëve të vegjël të Tiranës, me krizën parlamentare të shkaktuar nga kërkesa e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj një anëtare të Kabinetit dhe nga akuzat për problemet në AKSH, problemi i vetëm që meritonte polemikë ishin daljet në TV të Ministrave.”

Fevziu akuzon ministrat se nuk i pranojnë gazetarët dhe i përcjellin lajmet pa asnjë mundësi verifikimi: “Po, daljet në çdo ekran të ministave që bëjnë muhabet me vete, ose që diskutimet e zyrës i bartin në ndonjë cep të Shqipërisë duke shpenzuar kohën që duhet t’ua kushtojnë qytetarëve, është vërtet një shëmtim. Shumica nuk i pranojnë gazetarët, i montojnë lajmet me ekipet e tyre dhe i përcjellim pa asnjë mundësi verifikimi. Ndaj dje, vura bashkë me imazhin e tyre, atë të Presidentit të SHBA, ose Prokurores së Përgjithshme, ku tregohej se kudo, shtetarët i japin llogari shtypit, jo kameramanit të Ministrisë.”

Fevziu i kujton Ramës rastin e Veliajt në eventin e Bashkisë live, kur BKH-ja e kishte marrë në zyrë: “Akoma më shëmtim, është fakti që këto kronika transmetohen edhe disa ditë më pas, kur protagonistët e tyre janë në impenjime të tjera ose s’janë fare në Shqipëri. Nëse doni një shembull, mjafton të kujtoni se si Veliaj ishte në një event të bashkisë “Live”, kur BKH e mori nga zyra e tij. Dhe shikuesit nuk kuptonin më lëjmet që ju vinin me njoiftim për arrestimin, ndërkohë që ai vijonte të fliste në ekran. E njëjta gjë ka ndodhur edhe kur Ministra të tjerë kanë qenë në Vienë apo Emirate dhe ndërkohë shfaqeshin në ekran.”-shkruan Fevziu.

“Por të jap të drejtë, kjo s’ka ndonjë rëndësi. Rëndësi kanë dy fake:

1. E para që llogaridhënia përpara shtypit nga ministrat është zero, po zero

2. E dyta që shtypi është përgjegjësi më i madh se Ministrat që ua transmeton kronikat e tyre. Po, përgjegjësia është e JONA!”-vijon gazetari duke analizuar pikat kyçe të këtij debati në distancë.

Ai përgënjeshtron Ramën që pretendoi se Fevziu ishte live, ndërsa ndodhej në një udhëtim në Venezuelë, duke thënë se ai udhëtim në Amerikën e Jugut është bërë në muajin gusht: “Ndërkohë postimi i Ramës dhe mesazhet që mora, më bënë të kuptoj më mirë pse shoqëria shqiptare ka një ngërç që shumë shoqëri të tjera e kanë kapërcyer. Për fat të keq, Rama ishte pre e mendësisë së qeverisë së tij. Duke rrëmuar në profilin tim në Instagram kishte parë postimet e mia të ditëve të fundit gjatë një turi në Amerikën e Jugut. Turi është bërë në gusht, kur ishim pushim, ndërsa postimet e videove shtesë i postova këto ditë. Dmth ishin si videot e ministrave të tij, por me një ndryshim: Unë s’kam qenë kurrë në 33 vitet e fundit punonjës publik, as jam paguar nga taksat e qytetarëve dhe as e kam detyrim t’u përgjigjem atyre. Dhe mund të postoj kur të dua sepse nuk gënjej njeri. Aq më shumë që pjesa më e madhe e tyre mbajnë shënimin: Gusht 2025. Unë jam një qytetar i lirë, që e ndërtoj jetën si dua, dhëntë Zoti ta kem ndërtuar mirë. Kur Rama të jetë edhe ai i lirë, do ta kuptojë që kjo jetë e imja, është më interesante se sa ajo që ka zgjedhur ai, dhe të cilën, ai e di shuuumë mirë, unë e kam refuzuar më shumë se sa një herë. Kam bërë gabim a jo, pak rëndëesi ka. Dhe vijoj ta refuzoj.”

Ai u jep përgjigje edhe komentuesve në llogarinë e tij në Facebook duke shkruar: “Së fundi, më lanë pa mend komentet dhe kurioziteti i njerëzve se përse më kishin kthyer mbrapsht nga Venezuela. Të dashur ndjekës, nuk e di pse Rama zgjodhi Venezuelën, çështje subkoshience, por po tallej. Dhe e thoshte vetë që tallej. Mos i merrni edhe talljet dhe shakatë për të vërteta se pastaj problemi nuk është ai që bën shaka, por ai që e beson dhe e bën temë bisede shakanë. Kategoria e fundit e këtij postimi janë “konspiracionistët”. Ata që më thoshin: “Mos iu përgjigj se heq vëmendjen!” ose të tjera që thoshin: “Është strategji për të hequr vëmendjen”. Zonja dhe zotërinj, nëse një diskutim se si duhet të dalin ministrat në TV,  tërheq vëmendjen më shumë se hallet dhe problemet tuaja, pastaj problemi nuk është Rama, por jeni JU!”

Gatishmërisë së Ramës për t’u ballafaquar në debat, Fevziu iu përgji duke thënë: “E fundit, Rama e di shumë mirë se si ka qenë përballja e shtypi me politikën. Dhe mbase ende është i vetmi që vijon të ketë kurajo të përballet në emision me gazetarë ose intervista. Ndaj unë e pres në studio me 4 nga panelistët e djeshëm, për të folur për gjithçka që e shqetëson. Të paktën deri më sot, Rama nuk e ka patur vesin e vartësve të tij, që kërkojnë të caktojnë edhe gazetarët me të cilët do dalin në TV. Nëse vjen mirëse të vijë…”

Pse vjen debati Rama-Fevziu në kohën kur vëmendja mediatike është te intervista e Çim Pekës me ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetajn për dhjetëra skadale të qeverisë që ai ka denoncuar publikisht?

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5