
Vizita e dy senatorëve amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Shqipëri, në kuadër të një turi ballkanik ngjalli shumë diskutime, lidhur me figurat me të cilët zgjodhën të takoheshin dhe institucionet që vizituan. Gjatë takimeve të zhvilluara në Shqipëri dy senatorët u shoqëruan nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë Eric Wendt, ndërsa zhvilluan bisedime me kreun e SPAK-ut Klodjan Braho dhe drejtuesin e BKH-së, Joni Keta. Ata u pritën edhe nga Presidenti Bajram Begaj, i cili i dekoroi për kontributin e tyre.
Ndryshe nga shmangia e takimeve me Ramën e Berishën, senatorët ftuan në bisedime edhe deputetë të opozitës, si Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso dhe deputeten e pavarur, të larguar nga radhët e socialistëve Mariana Koçeku. Burime bëjnë me dije, se gjatë këtij takimi ka pasur edhe bisedime kokë më kokë mes ambasadorit të sapoemëruar në Tiranë Eric Wendt dhe deputetes Koçeku, një zë që doli kundër qëndrimeve të Edi Ramës, deri në largimin përfundimar të saj nga PS-ja. E pyetur nga Gogo.al, Koçeku tha se duke qenë takim në konfidencialet nuk mund të komentojë mbi të.
Ftesa ndaj Koçekut nuk ka qenë rastësore dhe nuk mund të jetë e tillë, për sa kohë dy senatorët amerikanë përkrahin nismën “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” që synon të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe llogaridhënien.

Qëndrimet e Marjana Koçekut ndryshe nga “kufijtë e diktuar” nga Partia Socialiste nisën pa shpallur mëvetësinë si deputete, duke refuzuar fillimisht të marrë pjesë në votimin e projektligjit për Barazinë Gjinore, ndërsa më herët ishte shprehur se besonte në vlerat dhe idealet e familjes tradicionale. Ky vendim u pasua edhe nga shumë butona të kuq kundër shumë nismave qeveritare të propozuara për votim, duke e bërë një emër të diskutuar për guximin, ndryshe nga shumë kolegë të saj të ulur në ndenjëset e Kuvendit prej 30 vitesh.


