
Nga Auron Tare
Në një video të hedhur në qarkullim nga zoti Gonxhe, nën tingujt e një muzike dramatike dhe me atë solemnitetin e rënduar të propagandës së mirëorganizuar,hedh në konsum një mori shifrash. Qëllimi duket i qartë, të na bindin se lloji i zgjedhur për të administruar trashëgiminë tonë kombëtare qenka, më në fund, shpëtimtari i saj.
Vizitorët janë rritur kaq herë, të ardhurat janë shtuar kaq shumë herë, e kështu me radhë. Shifra mbi shifra, si fishekzjarre statistikore, për të krijuar te publiku përshtypjen se dorëzimi i sovranitetit shqiptar mbi Butrintin ka qenë një vendim jo vetëm i mençur, por pothuajse hyjnor.
Por kush e njeh Butrintin dhe ka ndjekur nga afër administrimin e tij, nuk mund të mos pyesë, ku është e vërteta në gjithë këtë tymnajë? Nje administrim i mire nuk ka lidhje thjesht me vizitushmerine por me Ruston,Promovimin si dhe kthimin e nje qendre te trashegimise ne mundesi ekonomike per komunitetet lokale.
Nderkohe nëse numri i vizitorëve nuk ka pasur ndonjë rritje të jashtëzakonshme, si shpjegohet rritja kaq e madhe e të ardhurave?
Zoti Gonxhe nuk na e shpjegon dot sepse e di mire qe kjo pergjigjie lidhet me paraardheset e tij dhe lidhjet e tyre me fondet e Butrintit.
Gjithashtu nuk na thotë se sa kanë qenë të ardhurat e Butrintit vit pas viti, sa është shuma e përgjithshme e arkëtuar gjatë këtyre katër viteve dhe, mbi të gjitha, ku kanë shkuar këto para.
Kjo është një pyetje fare e thjeshtë. Aq e thjeshtë sa ndoshta për këtë arsye mungon në video.
Nëse Butrinti ka prodhuar këto të ardhura, publiku shqiptar ka të drejtë të dijë? sa u mblodhën, ku u depozituan dhe për çfarë u përdorën?
Po fondi i premtuar nga AADF-ja? Sa është? Sa është disbursuar? Ku janë përdorur këto fonde?
Ekziston edhe një fakt tjetër, që videoja propagandistike kujdeset të mos e prekë.
Parku i Butrintit, megjithëse zoti Gonxhe ulet në krye të tryezës dhe flet me solemnitetin e administratorit të një perandorie, nuk administrohet drejtpërdrejt nga institucionet shqiptare.
Administrimi i tij i është besuar një fondacioni të huaj të regjistruar në Delaware dhe kjo është çështja thelbësore.
Nuk është fjala për të kundërshtuar një fond, një individ apo një organizatë sepse është e huaj. Fjala është për diçka shumë më të rëndësishme, çfarë pjese të sovranitetit mbi trashëgiminë tonë kulturore kemi zgjedhur t’ua dorëzojmë të tjerëve dhe çfarë kemi marrë në këmbim?
Dhe këtu propaganda e shifrave nuk mjafton. Kalojme me tutje.
Zoti Gonxhe nuk na tregon se sa monumente janë restauruar.
Sa janë mirëmbajtur?
Sa nga objektet e dëmtuara nga vizitorët janë konservuar?
Sa para janë shpenzuar konkretisht për konservimin dhe restaurimin e monumenteve?
Ku është ekipi i restauratorëve që dikur punonte në Butrint?
Sot mirëmbajtja bëhet përmes tenderëve. Dhe kështu një profesion që kërkon dije, përvojë dhe vazhdimësi institucionale trajtohet sikur të ishte blerje kancelarie.
Është pothuajse komike që edhe gëlqerja që përdoret sot në Butrint, merret nga supermarketet, ndërkohë që në Butrint ishte ndërtuar prej kohësh një traditë e mirë e materialeve dhe teknikave të restaurimit, që nga puna e hershme e Institutit të Monumenteve dhe e specialistëve të tij.
Dikur Butrinti kishte ranger-a të trajnuar, ndër të tjera, edhe me përvojën e Shërbimeve Amerikane të Parqeve Kombëtare. Ata kishin një rol të qartë në ruajtjen e parkut dhe në marrëdhënien me vizitorin.
Sot shërbimi është dhënë në duar private..
Butrinti z Gonxhe nuk mbaron te bileta. Butrinti nuk është vetëm ajo copë rruge që përshkon turisti nga hyrja deri te teatri antik.
Parku ka një territor të gjerë.
Dhe ndërsa në video na tregohen shifrat e vizitorëve, pjesë të territorit të parkut, si zona e Kalivos, Diaporitit, Bufit e të tjera, janë lënë pas dore.
Më keq akoma, në zonën e Kanalit të Vivarit, një subjekt privat ka hapur rrugë, ka rrethuar sipërfaqe të konsiderueshme, ka vendosur porta e roje dhe ka kufizuar kalimin drejtpërdrejt edhe me Lagunën e Butrintit, një zonë me status Ramsar?
Zoti Gonxhe nuk na thotë asgjë për këtë.
Ashtu siç nuk na thotë pse në Kanalin e Vivarit qarkullojnë dhjetëra mjete lundruese me motor, ndërkohë që vetë plani i menaxhimit të zonës së mbrojtur duhet të përcaktojë qartë se çfarë lloj aktivitetesh dhe mjetesh lejohen aty.
Po banorët?
Dikur Butrinti nuk ishte vetëm një monument për t’u fotografuar por arriti te behej edhe një promotor i jetës së komunitetit.
Nderkohe sot, sa projekte janë ndërmarrë në dobi të banorëve vendas?
Sa vende pune janë krijuar për ta?
Sa prej tyre marrin pjesë realisht në administrimin e parkut?
Nëse drejtimi i institucionit vjen pothuajse tërësisht nga jashtë zonës dhe punësimi i banorëve vendas është i papërfillshëm, atëherë për çfarë zhvillimi lokal po flasim?
Një Park Kombëtar nuk mund të jetë i suksesshëm duke i kthyer banorët e tij në spektatorë të jetës së vet.
Dikur z Gonxhe në Butrint ekzistonte një Mision Arkeologjik Shqiptar, me një traditë kërkimi dhe me një rol të rëndësishëm në studimin e qytetit antik. Punimet drejtoheshin nga arkeologë shqiptarë të njohur, si profesor Neritan Ceka, dhe financoheshin edhe nga burimet që krijonte vetë Parku i Butrintit.
Sot ky mision nuk ekziston më por jo vetem nuk ka më atë trupë restauratorësh, nuk ka më atë shërbim ranger-ash.nuk ka më atë trupë guidash të parkut.
Nuk ka më atë vazhdimësi profesionale që e bënte Butrintin jo vetëm një vend për t’u vizituar, por edhe një vend ku prodhohej dije shqiptare mbi trashëgiminë shqiptare.
Dhe kjo është ironia më e madhe, kemi arritur të kemi më shumë tabela, më shumë prezantime, më shumë shifra dhe më shumë konferenca, por më pak nga ajo që në fund të fundit ka rëndësi punën shqiptare mbi trashëgiminë shqiptare.
E në fund z Gonxhe kemi skenën e videos.
Në tryezën ku diskutohet administrimi i Butrintit shfaqet edhe Richard Hodges.
Nuk kam ndërmend të bëj këtu një gjyq personal për një arkeolog të huaj. Por pikërisht sepse bëhet fjalë për Butrintin, për historinë dhe identitetin e Shqipërisë, prania e tij ngre një pyetje që zoti Gonxhe duhet t’i përgjigjet:
Pse në këtë tryezë nuk është një nga arkeologët shqiptarë që kanë dhënë kontributin e tyre për Butrintin?
Pse nuk është Neritan Ceka?
Pse jo Prof Meksi, Prof Guri Pani, Gjerak Karaiskaj apo te tjetër prej atyre që kanë kaluar një jetë duke studiuar arkeologjinë shqiptare?
Pse jo specialistët shqiptarë që kanë punuar në Butrint, kanë botuar për të, kanë restauruar gurët e tij dhe kanë formuar breza të tërë studentësh?
A mos vallë për trashëgiminë shqiptare qenka bërë kusht që shqiptari të jetë i pranishëm vetëm si spektator?
Kjo per mua eshte më shumë se servilizëm eshte kolonializmi kulturor i pranuar me duartrokitje shqiptare.
Dhe kjo është pjesa që duhet të na shqetësojë më shumë se çdo statistikë.
Sepse Butrinti mund të ketë 10 mijë, 100 mijë apo një milion vizitorë. Mund të ketë të ardhura të mëdha ose të vogla. Mund të ketë një fondacion shqiptar apo të huaj.
Por pyetja themelore mbetet:
Kush e administron Butrintin dhe për kë?
Nëse përgjigjja është se Butrinti administrohet në emër të shqiptarëve, por pa shqiptarët, se të ardhurat mblidhen, por nuk shpjegohet ku shkojnë; se monumentet vizitohen, por mirëmbajtja e tyre mbetet në mjegull; se parku është aty, por një pjesë e territorit lihet pas dore ose rrethohet, se arkeologjia shqiptare tërhiqet dhe në tryezën e vendimmarrjes shqiptarët shndërrohen në dekor atëherë kemi të drejtë të mos entuziazmohemi nga muzika dramatike dhe shifrat e bukura.
Butrinti nuk ka nevojë për propagandë, mbi të gjitha, ka nevoje për respekt ndaj sovranitetit kulturor të këtij vendi.
Sepse një popull që ia dorëzon të tjerëve kujdesin për kujtesën e vet, një ditë mund të zbulojë se i kanë mbetur shumë mirë monumentet por nuk i ka mbetur më kujtesa.


