
Në Kuvend është depozituar një projektligj i ri për Barazinë Gjinore me kërkesë të LGBTQI, i cili zgjeron përkufizimin e gjinisë nga “burrë”, “grua” edhe në “gjithëpërfshirës”. Propozimi është pranuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Pas dorëzimit, projektligji do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare. Nëse miratohet, ai pritet të ndryshojë mënyrën dhe të drejtat se si trajtohet barazia gjinore në vend, duke hapur një kapitull të ri në njohjen e identiteteve dhe përfaqësimin e tyre. Drafti parashikon gjithashtu kuota më të larta për përfaqësimin gjinor, nga 30 deri në 50%, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat.
Reagimet e ekspertëve
Sociologia Entela Binjaku thotë për TV “Euronews” se ndryshimet e këtij lloji shpesh nuk kanë qenë të shoqëruara me konsultim të gjerë publik. “Jo të gjitha ndryshimet ligjore kanë sjellë realisht ndryshime, ose nuk janë shoqëruar gjithmonë me pasoja që prekin këdo. Shpesh, ndryshimet ligjore janë bërë pa konsultim të plotë me grupet e interesit dhe më pas i janë servirur publikut si fakte të kryera”, -u shpreh ajo. Binjaku theksoi se shoqëria shqiptare është mësuar të shohë “burrin” dhe “gruan” si identitete të ndara, dhe çdo transformim i ardhur nga vendet perëndimore shpesh has vështirësi për t’u kuptuar e pranuar.

Debati publik
Projektligji ka ndezur diskutime edhe në skenën publike. Analisti Leonard Olli përgjatë diskutimit në “News 24” ka kërkuar që ndryshime të tilla të dërgohen në referendum, duke theksuar se martesa është pjesë integrale e shoqërisë. “Ne nuk guxojmë t’i referohemi referendumit… Martesa është pjesë integrale e shoqërisë. Hajde ta ndryshojmë ligjin, por duhet pyetur populli, ashtu siç ndodh në Zvicër”, -tha Olli. Nga ana tjetër, aktivistja e komunitetit LGBTQ, Xheni Karaj, e kundërshtoi këtë qasje, duke argumentuar se martesa është një vendim personal. “Më fal, kur ti je martuar me bashkëshorten tënde, a e ke çuar në referendum? A e pyete të tjerët?… Po as unë nuk e mora me zor. E kam marrë me dashuri, madje e kam dhe korçare, është shumë e mirë dhe punëtore”, -tha Karaj. Aktivistja e LGBTQ i është përgjigjur edhe statusit të publikur nga pastori Akil Pano në rrjete sociale për projektligjin e Barazisë Gjinore. Në një postim në “Facebook” Karaj shkruan: “Do t’i kujtoja Akilit se një nga 10 Urdhërimet e Dhjatës së Vjetër thotë: “Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.” Kur një pastor zgjedh të gënjejë me vetëdije, nuk është më fjala e Zotit që shpërndahet, por thjesht dezinformim keqdashës i kamufluar me petkun e fesë. Në postimin e tij të fundit, pastori Akil Pano ka zgjedhur të keqinterpretojë qëllimisht kuotat gjinore të parashikuara në projektligjin për barazinë gjinore. E vërteta qëndron ndryshe. Ky ligj nuk ka asnjë lidhje me orientimin seksual apo me komunitetin LGBTI+. Kuotat gjinore nuk kanë të bëjnë me “seksualitetin” e njerëzve, por me barazinë mes grave dhe burrave në proceset e vendimmarrjes. Projektligji parashikon që përfaqësimi gjinor të mos bjerë nën 30% dhe të arrijë deri në 50% për secilën gjini (burra-gra) bazuar në legjislacionin aktual shqiptar. Kjo do të thotë që gratë të mos mbeten të nënpërfaqësuar në politikë, duke siguruar një balancë më të drejtë, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet ndërkombëtare. Të thuash se kjo është “favorizim për komunitetin LGBTI+” është një shpifje dashakeqe, që synon të manipulojë opinionin publik. Qëllimi i ligjit është i qartë: të garantojë që gratë dhe burrat pavarësisht identitetit gjinor të kenë të njëjtat mundësi për të marrë pjesë në jetën politike, ekonomike dhe publike të vendit. Ftoj publikisht Akilin të na tregojë nenin e projektligjit ku mbështet këtë gënjeshtër të radhës.”
Më herët pastori Akil Pano ka publikuar një mesazh në rrjete sociale mbi projektligjin e Barazisë Gjinore. Projektligji mbi Barazinë Gjinore – Gjinia e Shumëfishtë dhe Shkatërrimi i Familjes Tradicionale. Kush do të fitojë në Shqipëri!?Në historinë e qytetërimit, koncepti burrë–grua ka qenë themeli mbi të cilin janë ndërtuar familja, ligji, dhe vetë rendi shoqëror. Ky thelb nuk ka qenë vetëm një kategori biologjike, por një kategori kulturore, juridike dhe etike, që i ka dhënë formë institucioneve të shoqërisë. Në dekadat e fundit, në shumë vende perëndimore, ky koncept po zëvendësohet me termin “gjini e shumëfishtë”, duke krijuar një ndryshim të thellë në mënyrën se si kuptohet identiteti dhe marrëdhëniet njerëzore. Nuk bëhet fjalë më vetëm për të drejtat e minoriteteve, por për një ndryshim paradigmatik që prek familjen, edukimin, sportin, ligjin penal, ushtrinë dhe madje konceptin e vetë trupit njerëzor. Nëse projektligji mbi ‘barazinë gjinore’ që tashmë ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë do të miratohet, pasojat do të jenë fatale. Ndryshimet do të prekin fëmijët dhe familjen, ligjin, ekonominë dhe kulturën e përbashkët.
1- Pasojat e parikuperueshme mbi familjen.
Martesa është ndërtuar mbi parimin binar të dallueshëm burrë–grua, si bashkim komplementar që garanton riprodhimin dhe edukimin e brezave. Me zhdukjen ligjore të këtij dallimi, martesa humbet kuptimin e saj të natyrshëm dhe shndërrohet në një kontratë e cila mund të përfshijë çdo lloj kombinimi gjinish. Kjo çon në shkëputjen e martesës nga rendi harmonik i funksionit të saj biologjik e shoqëror duke vendosur mbi nje platformë konfuzioni pa kthim pas. Anulimi i koncepteve natyrore të “nënës” dhe “babait” gradualisht zëvendësohen nga terma neutralë si “prindi 1” dhe “prindi 2”. Kjo jo vetëm krijon konfuzion në edukimin e fëmijëve, por dobëson edhe modelin e qartë të identitetit gjinor që fëmijët kanë nevojë për të zhvilluar personalitetin e tyre. Studime të shumta psikologjike tregojnë se fëmijët që rriten pa një identifikim të qartë të figurave prindërore mashkull–femër, kanë më shumë gjasa të përballen me pasiguri identitare, depresion dhe vështirësi sociale në vijim të udhëtimit të tyre.
2. Pasojat mbi ligjin
Me hyrjen e kategorisë “gjini e shumëfishtë”, sistemi juridik humbet qartësinë. Dokumente si pasaportat, kartat e identitetit, kontratat martesore dhe ligjet mbi trashëgiminë hasin probleme të reja. P.sh., në vend që të ketë dy kategori të përcaktuara, ligji përballet me dhjetëra ose qindra vetëidentifikime. Kështu ligjëvënësit do të krijojnë një tension të pashmangshëm mes të drejtave individuale të qytetarëve dhe interesit publik. Kur ligji detyrohet të njohë çdo formë vetë-identifikimi gjinor, shpesh krijohen konflikte me të drejtat e komunitetit më të gjerë. Psh, kemi rastin e sistemit të pikëzimit për strehimin i cili nga Bashkia Tiranë është përdorur për të favorizuar individë homoseksualë dhe ka diskriminuar çiftet heteroseksuale dhe familjet në nevojë. Një rast tjetër tipik në botë është sporti, ku pjesëmarrja e personave që identifikohen ndryshe nga gjinia e tyre biologjike ka krijuar debate të ashpra mbi barazinë dhe drejtësinë dhe meritën. Ndryshimet ligjore do të çojnë në politizimi i gjuhës juridike. Përdorimi i termave neutrale gjinore në ligj (si “person që lind fëmijën” në vend të “nënë”) është një formë inxhinierimi shoqëror, ku gjuha shndërrohet në mjet ideologjik, duke larguar ligjin nga baza e tij natyrore dhe historike.
3. Pasojat mbi kulturën dhe identitetin kolektiv
Shumë kultura e kanë të lidhur vetëkuptimin e tyre me simbolet e burrit dhe gruas (p.sh. ‘Krijimi i njeriut’ folklori, ritualet e martesës). Me zhdukjen e këtij dallimi, shoqëria humbet një memorie kolektive e cila ka qenë burim i solidaritetit dhe kuptimit të jetës. Normalizohet ajo që njihet si relativizëm antropologjik. Kur gjinia nuk shihet më si realitet biologjik, por si përzgjedhje individuale dhe si ‘konstruksion social’ vetë nocioni i njeriut si qenie e trupëzuar vihet në dyshim. Kjo shpie në një kulturë ku gjithçka është e negociueshme dhe asgjë nuk është më e përbashkët. Më tej shpie në polarizim të skajshëm shoqëror. Debati mbi “gjinitë e shumëfishta” ka krijuar ndarje të thella mes atyre që e shohin si progres dhe atyre që e shohin si kërcënim ndaj rendit natyror. Ky polarizim përkthehet në përplasje politike, ideologjike dhe fetare, duke rritur tensionet shoqërore.
4. Sporti dhe drejtësia gjinore
Sporti është një nga fushat ku dallimi biologjik ka qenë më i dukshëm. Rasti i Lia Thomas (2022): Notari transgjinor fitoi tituj të rëndësishëm në kampionatet universitare të NCAA-së pasi kaloi nga kategoria mashkull në atë femër. Sportistja Riley Gaines denoncoi publikisht pabarazinë, duke theksuar se gratë humbasin podiumet që fituan me mund. (The Washington Post, 2022). Federata të ndryshme sportive, si ajo e çiklizmit në SHBA, kanë parë raste të ngjashme ku sportistë biologjikisht meshkuj kanë dominuar garat femërore. Ky fenomen krijon pabarazi sistematike, duke minuar dekada përpjekjesh për barazi gjinore në sport. (Harper, J., Journal of Medical Ethics, 2021).
5. Burgjet dhe siguria e grave
Zhvendosja e burrave biologjikë që identifikohen si femra në burgjet e grave në SHBA ka sjellë pasoja serioze. Në Kaliforni (2021), mbi 250 meshkuj u transferuan në institucione e vuajtjes së dënimit të grave. Raporte të Los Angeles Times tregojnë se kjo solli raste shtatzënie tek të burgosurat. Organizata feministe WoLF ngriti padi duke argumentuar se kjo praktikë minon të drejtën e grave për siguri (WoLF Report, 2022). Këto politika, në vend që të mbrojnë minoritetet, krijojnë viktimizim të grave dhe tension ligjor mes “të drejtave të grave” dhe “të drejtave trans”.
6. Ushtria dhe siguria kombëtare
Politikat amerikane pas 2021 lejojnë transgjinorët të shërbejnë hapur në ushtri. Pentagon ka raportuar se kostot e kujdesit shëndetësor arritën miliona dollarë në vit për trajtime hormonale dhe kirurgjikale (DoD Report, 2021) të transgjinorëve në ushtri. Kritikët theksojnë se tranzicioni gjinor shpesh sjell pasiguri operative dhe probleme në njësitë ushtarake (Sachs, Military Review, 2022). Ushtria, një institucion i ndërtuar mbi rregull, disiplinë dhe kapacitet fizik, gjatë viteve të fundit në SHBA, u ekspozua ndaj eksperimenteve sociale që dëmtojnë efikasitetin dhe mbrojtjen.
7. Edukimi dhe ideologjizimi i fëmijëve
Me ndryshimet ligjiore Shkollat u shndërruan në qendra të përplasjeve kulturore. Në Kanada (Ontario, 2019), fëmijëve 6–7 vjeç iu prezantuan materialet “Gender Unicorn” dhe “Genderbread Person” për të zgjedhur gjininë. (CBC News, 2019). Në Britani, shkollat me tualete neutrale raportuan rritje të frikës dhe bullizmit mes vajzave adoleshente (The Times, 2022). Në SHBA (Loudoun County, 2021) një djalë që identifikohej si vajzë përdori banjot e femrave dhe kreu një sulm seksual, rast që u mbulua fillimisht nga autoritetet arsimore. (Washington Times, 2021). Në vend që të mbështesin fëmijët në zhvillim, këto politika shpesh krijojnë konfuzion identitar dhe trauma (Sullins, P., International Journal of Research & Method in , 2020).
8. Tualetet neutrale dhe hapësirat publike
Në disa shtete të SHBA-së dhe Europës janë vendosur tualete neutrale. Raporte të shumta tregojnë për abuzime, shqetësime higjienike dhe pasiguri për vajzat (Guardian, 2020). Ekstremizmi kulturor ka çuar deri tek eksperimente absurde, si krijimi i “hapësirave për katër putrakët” në disa shkolla të SHBA-së për nxënës që identifikohen si “animal-kin”. Politika të tilla çojnë në një normalizim të absurdit, duke zëvendësuar sensin praktik me ideologji.
9. Bllokimet hormonale dhe ndërhyrjet kirurgjikale tek fëmijët
Ky është aspekti më kritik dhe me pasoja afatgjata. Bllokuesit e pubertetit si Lupron dhe Supprelin përdoren për të pezulluar zhvillimin seksual. Studime të Endocrine Society tregojnë rreziqe të tilla si osteoporozë, sterilitet dhe depresion (Hembree et al., 2017). Kirurgjitë e hershme: Klinika si “Boston Children’s Hospital” kanë kryer mastektomi tek vajza 13–15 vjeçare. (Boston Globe, 2022). Cass Review (Britania, 2023): një hetim kombëtar kritikoi qendrën Tavistock, duke e akuzuar për “praktika joshkencore” dhe mungesë të evidencës për sigurinë e trajtimeve të hershme. Statistikat nga SHBA tregojnë rritje dramatike: nga 2016 deri në 2020 numri i adoleshentëve që morën bllokues puberteti u rrit me mbi 300% (Reuters, 2022). Për shkak të ndryshimeve të ligjit mbi ‘gjininë e shumëfishtë’ maskuar nën termin barazia gjinore, fëmijët janë ekspozuar ndaj eksperimenteve mjekësore me pasoja të pakthyeshme mbi trupin, fertilitetin dhe shëndetin mendor.
Çështja e fundit:
10- Pse e majta ekstreme e ka agjendë shkatërrimin e familjes tradicionale?
Shumë studiues dhe sociologë argumentojnë se familja tradicionale është bastioni kryesor i autonomisë morale dhe sociale kundër shtetit totalizues (Berger & Luckmann, The Social Construction of Reality, 1966). Përmes kundërkulturës dhe wokizmit, e majta ekstreme synon të zhbëjë strukturat e trashëguara që kufizojnë fuqinë e ideologjisë së saj. Familja ofron modele të qëndrueshme roli, qëndresë ndaj ideologjisë dhe transmetim të vlerave të qëndrueshme (Durkheim, The Division of Labour in Society, 1893). Duke relativizuar gjininë dhe duke e zëvendësuar me identitete fluide, shteti merr rolin e prindit, duke kontrolluar formatimin e brezave të rinj. Për më tepër, shkatërrimi i familjes krijon individë të fragmentuar, më të lehtë për t’u manipuluar politikisht dhe ekonomikisht. E majta ekstreme e sheh familjen tradicionale si pengesën kryesore për instalimin e një shoqërie të re pa identitete të qëndrueshme. Përmes kundërkulturës dhe wokizmit, ajo kërkon të dobësojë rolin e burrit, gruas, duke e zëvendësuar me një identitet fluid, të kontrolluar nga shteti dhe ideologjia. Kjo nuk është barazi, por forma më efikase e inxhinierisë sociale që synon transformimin e shoqërisë nga themelet. Zhdukja e konceptit burrë–grua dhe zëvendësimi me gjini të shumëfishta në vendet e aplikuara nuk ka sjellë barazi, por ka prodhuar: Probleme në familje, pabarazi në sport, pasiguri në burgje, kosto të larta dhe rreziqe në ushtri, konfuzion në shkolla, abuzime në hapësirat publike dhe eksperimente shëndetësore mbi fëmijët.
Ky nuk është një transformim neutral, por një projekt ideologjik që ka pasoja shkatërruese për familjen dhe rendin shoqëror. Të gjitha arsyet që kam renditur në këtë artikull paraqesin një JO të MADHE e të arsyetuar për moslegalizimin e projektligjit mbi ‘Barazinë Gjinore.’ Me legalizimin e këtij projektligji humbasim të gjithë. Edhe ata të cilët mendojnë se do të kenë përfitime. Edhe qeveria. Më shumë, humbasin fëmijët, familja, e ardhmja. Humb Shqipëria. Zoti e bekoftë familjen! Zoti bekoftë Shqipërinë!”



Një reagim tjetër erdhi dhe nga moderatorja e njohur Albana Osmani, e cila u shpreh se nuk mund të pranojë një Evropë ku fëmijët dhe të rinjtë “shtyhen të identifikohen me diçka që nuk është pjesë e natyrës së tyre njerëzore”. Ajo thekson se ky projektligj u heq çdo kuptim nënës dhe babait, themeleve të familjes dhe vazhdimësisë së shoqërisë. Projektligji është në fazën e dytë të procesit dhe pritet të kalojë në komisionet parlamentare përpara se të vihet në votim në seancë plenare. Debati mbi vetëdeklarimin e identitetit gjinor dhe martesën e personave të së njëjtës gjini pritet të mbetet një nga temat më të diskutuara në javët e ardhshme.

Projektligji është në fazën e dytë të procesit dhe pritet të kalojë në komisionet parlamentare përpara se të vihet në votim në seancë plenare. Debati mbi vetëdeklarimin e identitetit gjinor dhe martesën e personave të së njëjtës gjini pritet të mbetet një nga temat më të diskutuara në javët e ardhshme.
Projektligji i plotë:


