Xhetan Ndregjoni, një biznesmen shqiptar që kishte prej 7 vitesh në kërkim të nipit dhe mbesës nuk e ka pritur që ditën kur do të përqafonte nipin 13 vjeç kthyer nga kampi i Al Hawl-it në Siri do t’i drejtoheshin prozhektorët mbi fytyrë.
Mes lotëve ai hyri në sallën për të cilën kompozimi ishte kryer me qellimin që audienca të shihte se ç’kishte bërë qeveria; shpëtimin e jetës për 4 fëmijët shqiptarë.
Fundja, kjo është çfarë ka bërë 8 vitet e fundit qeveria Rama në Shqipëri: çdo punë të kryer e ka ndriçuar dhe e ka filmuar.
Por, këtë radhë nuk është diçka që mund të kalojë me vetëm disa duartrokitje për drejtimin e prozhektorëve sepse kjo qeveri ka shkelur me të dyja këmbët çdo gjë të vulosur nga ligjet apo konventat për të drejtat e fëmijëve duke i përdorur në formën më brutale; me zë, me figurë ndërsa këta fëmijë vinin të traumatizuar nga kampet e kur kishin nevojë për psikologë e jo prozhektorë.
“Top Channel”-in me vete, drejtues të misionit të shpëtimit në foto me fëmijët, video të Ramës me fëmijët në divan transmetuar nga ERTV-ja e në fund edhe pamje nga takimi nënë-fëmijë ku i mituri i traumatizuar as nuk reagon ndaj të ëmës që e ka sjellë në jetë sepse është ndarë prej saj në moshën 6 vjeç.
Propaganda para zgjedhjeve
Ajo që të bën përshtypje nga përfaqësuesit e qeverisë është kërkesa që kanë ndaj medieve për të qenë të kujdesshme me publikimin e të dhënave të shqiptarëve që kanë mbetur në kamp por nga ana tjetër janë vetë të parët që përdorin brutalisht fëmijët e kthyer.
Gjithçka po ndodh para zgjedhjeve të përgjithshme të prillit, ku qeveria Rama po përdor për propagandë jo vetëm ndërtimet e tërmetit, të cilat financohen nga buxheti i shtetit dhe Bashkimi Europian por pikërisht edhe këto pamje për të kapur ndjenjat e shqiptarëve, të cilët do të votojnë pas 6 muajsh.
Sigurisht, zyrtarët e qeverisë dhe shërbimit informativ reagojnë keq ndaj gazetarëve që kanë informacion mbi numrin e shqiptarëve në kampin e Al Hawl-it por po ashtu reagojnë keq kur gazetarët i pyesin pse nuk u morën më shumë shqiptarë nga kampi.

I biri i Ramës, i biri i Veliajt
Është artikuluar shpesh që publikimi i fotove të pasardhësve të mitur të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj bëhet i qëllimshëm herë pas here, për të ngjallur idenë e familjes e për t’i parë këta udhëheqës që shpesh marrin vendime të rënda për shqiptarët si baballarë, në rolet e tyre të njerëzve të butë, të dhembshur, të krijuesve të jetës. Po aq janë parë ata në publikimin e këtyre fotove si pushtetarë që duan të zbusin ngarkesat negative ndaj tyre e duan të japin imazhin e njeriut, që ka ndjenja por edhe që gabon. Shpesh debatohet që publikimi i fotove të fëmijëve kryhet edhe për vëmendje, në periudha kur sondazhet tregojnë rënie të popullaritetit të tyre.
Por ka një diferencë në të gjithë këtë. Kur vjen puna te fëmijët e tyre të mitur, Rama dhe Veliaj qëndrojnë të kursyer. Kryesisht publikojnë foto të pasardhësve të tyre, të cilat i tregojnë me kurriz, ose tiparet janë pak të identifikueshme, siç duhet të ndodhë në fakt për çdo fëmijë dhe në raste të rralla publikojnë video, të cilat po ashtu ruajnë privatësinë e bijve.
Pse nuk ndodh kjo në rastin e fëmijëve të tjerë?! Pse kryeministri Rama e ka të thjeshtë të ulë në divan 4 fëmijë të pambrojtur dhe të traumatizuar e t’i filmojë në të katërt këndet?! Pse kryeministri shqiptar fton familjarët e tyre në çarkun me prozhektorë dhe momentin më sublim, të takimit të një nëne e fëmijës së saj e filmon dhe ia hedh “hienave” për ta shqyer? Pyetjet e kanë një përgjigje: për propagandë.
8 vjet në përdorim të fëmijëve
Përdorimi i fëmijëve nga të gjithë politikanët shqiptarë ka qenë një procedurë e zakonshme. Socialistët në këto 8 vite e kanë përqafuar edhe më fort këtë zgjedhje; në daljet në rrugë, te fëmijët e goditur nga pasojat e lëkundjeve sizmike në Shqipëri, te inagurimet e shtëpive njëkatëshe të ndërtuara pas tërmetit. Kemi parë nga të gjitha: kryeministrin që shoqëron fëmijë në shkollë, foto e video të kryebashkiakut thuajse të përjavshme me prezencë fëmijësh, ministra që hyjnë në klasa e publikojnë foto pa pikë leje nga prindërit e kujdesi ndaj privatësisë së fëmijëve.
Kemi parë edhe medie që tregohen etike duke mbuluar me strisha fytyrat e fëmijëve por po ashtu edhe medie që as e njohin konceptin e kujdesit ndaj të miturve.
Ajo që nuk kemi parë është reagimi i shoqërisë civile dhe shoqatave që janë prezente në vend e që mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Mungon në Shqipëri edhe reagimi i fortë i shoqërisë, të cilët mund të bëhen bashkë në protesta kundër pedofilëve por s’e quajnë ndonjë problem të madh përdorimin brutal të fytyrave të fëmijëve të tyre nga polikanët.
Tek e fundit është fantastike të të dalë fëmija në foto me Edi Ramën apo jo?! Po me Erion Veliajn sa “cool” është?!
S’ka pikë balance mes të mirës që bëri qeveria Rama duke sjellë 4 fëmijët nga Siria dhe neverisë që shkakton në publik me përdorimin e kësaj të mire. Peshorja pas pak kohësh do anojë më shumë nga neveria.
Propaganda ushqen vetëm militantin, jo njeriun që mendon.