
Mbretëria e Bashkuar i është bashkuar 26 vendeve të tjera europiane në një thirrje të përbashkët për rishikimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), me synimin që të lehtësohet dëbimi i migrantëve të parregullt dhe të hapet rruga për marrëveshje me vende të treta, të ngjashme me skemën e dështuar të Ruandës.
Sipas “The Guardian”, 27 nga 46 vendet anëtare të Këshillit të Europës kanë nënshkruar një deklaratë jozyrtare, ku kërkohet që disa dispozita kyçe të ECHR-së të “kufizohen”, veçanërisht në rastet që lidhen me migracionin dhe dëbimin e kriminelëve të huaj. Mes vendeve firmëtare janë Britania, Italia, Hungaria, Danimarka, Irlanda dhe Holanda.
Deklarata synon ngushtimin e interpretimit të Nenit 3 të Konventës, i cili ndalon trajtimin çnjerëzor dhe degradues, duke kërkuar që ai të zbatohet vetëm në “rastet më serioze”, në mënyrë që shtetet të mos pengohen të marrin vendime “proporcionale” për dëbime, përfshirë raste që lidhen me shëndetin apo kushtet e burgjeve. Po ashtu, kërkohet rishikim i Nenit 8, që mbron jetën familjare, për t’i dhënë më shumë peshë natyrës së veprës penale dhe më pak lidhjeve familjare të migrantëve me vendin pritës.
Një tjetër element kyç i dokumentit është hapja ndaj marrëveshjeve me “vende të treta”, ku azilkërkuesit e refuzuar mund të dërgohen jashtë Europës për përpunimin e kërkesave të tyre. “Një shtet nuk duhet të pengohet të bashkëpunojë me vende të treta për procedurat e azilit dhe kthimit, për sa kohë që ruhen të drejtat e njeriut të migrantëve”, thuhet në deklaratë.
Sipas “Daily Mail”, përfshirja e Britanisë në këtë nismë ka ngjallur polemika të forta, pasi kryeministri Keir Starmer anuloi marrëveshjen e Ruandës që në ditën e tij të parë të plotë në detyrë, duke e cilësuar atë si të pazbatueshme dhe problematike ligjërisht. Megjithatë, tani qeveria laburiste po mbështet në nivel europian parimin e marrëveshjeve me vende të treta, edhe pse këmbëngul se nuk do të rikthejë skemën e vjetër të konservatorëve.
Përçarja brenda Europës është e dukshme. Franca, Gjermania dhe Spanja refuzuan ta firmosin deklaratën e 27 vendeve dhe iu bashkuan një deklarate tjetër zyrtare, të nënshkruar nga të gjitha 46 shtetet anëtare, e cila riafirmon angazhimin e plotë ndaj ECHR-së pa propozuar ndryshime konkrete. Kjo, sipas “The Guardian”, tregon ndarje të thella mbi mënyrën se si duhet trajtuar migracioni i parregullt dhe mbrojtja e të drejtave të refugjatëve.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Alain Berset, deklaroi se Konventa është një “instrument i gjallë” që mund të përshtatet, por theksoi se çdo reformë do të kërkojë konsensus të gjerë dhe kohë, duke shtuar se puna konkrete nuk pritet të nisë para majit të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, organizatat e të drejtave të njeriut kanë reaguar ashpër. Sipas tyre, dobësimi i mbrojtjeve ligjore rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm global. “Zbehja e këtyre garancive i jep dritë jeshile regjimeve represive për të justifikuar abuzimet e tyre”, ka paralajmëruar organizata Freedom from Torture, sipas “The Guardian”.
Në Britani, çështja është kthyer në një armë politike. Konservatorët dhe Reform UK e kanë cilësuar të pamundur reformimin e ECHR-së dhe kërkojnë daljen e vendit nga Konventa, ndërsa qeveria laburiste këmbëngul se synimi është balancimi mes të drejtave individuale dhe interesit publik, pa u larguar nga sistemi europian i të drejtave të njeriut.


