Dasma e Huma Abedin, ish-këshilltares së Hillary Clinton, dhe Alex Soros, pasardhës i një dinastie filantropike liberale, mblodhi një përqendrim të rrallë pasurie dhe pushteti.

Këtë fundjavë, në Hamptons, u zhvillua një dasmë që ngjante me një dasmë mbretërore politike, ku u bashkuan botët e politikës me para të mëdha dhe figurave të rëndësishme të periudhës së Clinton-it.

Çifti i sapomartuar ishin Alex Soros, djali i George Soros-it, një prej donatorëve më të mëdhenj të Partisë Demokratike dhe Huma Abedin, ish-këshilltare politike që është përshkruar shpesh si “thuajse një vajzë e dytë” për Hillary Clinton, ish-Zonjën e Parë dhe Sekretaren e Shtetit. Ceremonia u zhvillua të shtunën në një pronë të familjes Soros në Water Mill, Nju Jork, dhe tërhoqi avionë privatë dhe dhjetëra ndihmës të Clintonëve, duke përqendruar në një vend të vetëm pasuri dhe pushtet të jashtëzakonshëm.

Përveç familjarëve të çiftit, të pranishëm në dasmë ishin Hillary dhe Bill Clinton; ish-Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj Doug Emhoff; senatori i Nju Jorkut, Chuck Schumer, lider i pakicës në Senat; ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi; figura të njohura si Nicky Hilton Rothschild; personalitete të kulturës si redaktorja e Vogue, Anna Wintour; miq të vjetër të Clintonëve si Susie Tompkins Buell nga San Francisko; si dhe personalitete ndërkombëtare si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kjo listë njerëzish të njohur u konfirmua nga katër pjesëmarrës në dasmë dhe përfaqësues të disa prej të ftuarve. Përfaqësuesit e çiftit nuk dhanë komente menjëherë.

Grupi muzikor Boyz II Men performoi në dasmë, sipas dy të ftuarve, ndërsa fjalime përshëndetëse mbajtën vëllai i dhëndrit, Jonathan Soros, Hillary Clinton, Anna Wintour dhe Edi Rama. Ushqimet e servirura përfshinin agnolotti me trumzë, supa të ftohtë me bizele angleze, si dhe mish viçi amerikan Wagyu dhe karkaleca në skarë.

Festimet përkonin me një fundjavë jashtëzakonisht të trazuar si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Në SHBA, protestues u mblodhën nëpër qytete për të kundërshtuar Presidentin Trump, i cili organizoi një paradë ushtarake të pazakontë në Uashington. Një ligjvënës nga Minnesota u vra në një akt të ri dhune politike, ndërkohë që konfliktet mes Izraelit dhe Iranit ndezën frikën për një përshkallëzim të luftës në Lindjen e Mesme.

Por në Hamptons gjithçka ishte e qetë, teksa autokolonat me SUV të zinj çonin të ftuarit përgjatë një rruge të ngushtë pyjore, përmes një porte të zbukuruar me lule të purpurta.

Alex Soros është një figurë intriguese në botën e donatorëve politikë. Ai ka një doktoraturë në histori dhe kohët e fundit ka marrë përsipër menaxhimin e donacioneve që më parë i drejtonte i ati, tashmë 94 vjeç, i cili ka mbështetur kauza liberale në mbarë botën dhe është bërë një figurë e urryer për të djathtën ekstreme. I riu Soros është shprehur se është “më politik” sesa babai i tij.

Në moshën 39-vjeçare, Alex Soros është treguar i qetë përballë vëmendjes publike, dhe është shumë aktiv në rrjete sociale ku ndan takimet e tij me liderë demokratë. Ai pritet të jetë një figurë qendrore në filantropinë liberale për dekada, dhe shumë në qarqet progresive kërkojnë të jenë pranë tij.

Romanca e tij me Huma Abedin, 49 vjeç, ka tërhequr vëmendjen e shoqërisë së lartë, në veçanti për shkak të martesës së saj të mëparshme që përfundoi në mënyrë dramatike: ish-burri i saj, ish-kongresmeni Anthony Weiner, u përfshi në disa skandale seksuale përmes mesazheve të papërshtatshme, përpara se ajo të njoftonte ndarjen në vitin 2016.

Alex dhe Huma shpallën fejesën në korrik të kaluar. Fillimisht kishin planifikuar të martoheshin fshehurazi, sipas Vogue, por ndryshuan mendim pas një feste fejese në dhjetor, të organizuar bashkë me Hillary Clinton, ku miqtë i nxitën të bënin një ceremoni më tradicionale.

“Unë mendoj se ajo e meriton,” i tha Hillary Clinton revistës. “E meriton të ketë një moment të tillë.”

Festimet e fundjavës përfshinë një ceremoni të vogël për të nderuar si fenë myslimane të Abedin-it ashtu edhe trashëgiminë hebraike të Soros-it.

Në kontrast me Alex Soros, Abedin ka treguar dëshirë për privatësi. Ajo filloi të punonte për Hillary Clinton në moshën 19-vjeçare si praktikante gjatë studimeve në Universitetin George Washington, dhe gradualisht mori role më të dukshme publikisht. Në vitin 2021 botoi autobiografinë e saj dhe aktualisht është kontribuese në MSNBC.

Martesa me Alex Soros do t’i vendosë ata përfundimisht si një “çift i pushtetshëm” në politikë dhe do t’i mbajë në vëmendjen publike.

Këtë fundjavë, Hamptons ngjante si një ribashkim i epokës së Clintonëve, ku të ftuarit mbushnin hoteleri luksoze dhe darka me bufetë e takime miqësore.

“Qarkullimi ka qenë kaos këto dy ditë,” tha Zach Erdem, një restaurator dhe personazh televiziv që banon në Southampton që nga viti 2002.

Kjo skenë e mbushur me para ishte veçanërisht befasuese, duke marrë parasysh debatin që po zhvillohet brenda Partisë Demokratike rreth mënyrës për të fituar sërish besimin e votuesve të klasës punëtore, me të cilët perceptohet gjerësisht se ka humbur lidhjen.

Teksa Maserati, Porsche dhe makina të tjera luksoze lëviznin jashtë vendit ku u mbajt dasma, disa kalimtarë ndalonin për të parë, por sigurimi i largonte shpejt. Një grua madje u përkul nga dritarja e makinës dhe bërtiti “Hi, Bill!” edhe pse nuk dihej nëse ish-presidenti Clinton ndodhej aty pranë.

Kjo dasmë mund të jetë ngjarja më e rëndësishme shoqërore e verës… por vetëm për pak javë. Më vonë gjatë muajit, disa nga të njëjtët të ftuar pritet të udhëtojnë drejt Venecias për një tjetër martesë të profilit të lartë: ajo e Jeff Bezos me Lauren Sánchez.

Shënim: Ky shkrim është pronësi intelektuale e The New York Times

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11