CNN i ka dedikuar një artikull të veçantë “Bjeshkëve të Namuna”, një shteg ndërkufitar mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, duke e cilësuar një nga zonat e fundit të natyrës së egër në Europë. Nuk ka pika të dukshme kontrolli apo kalime kufitare që të prishin bukurinë e shtegut “Majat e Ballkanit”, ku mëngjesi nis me një tryezë të bollshme në njërin shtet dhe më tej nis ecjen, duke përfunduar në shtetin tjetër, ku të pret darka në një shtëpi të shndërruar në bujtinë pritëse. Ky shteg prej rreth 193 km kalon herë në Mal të Zi, herë në Shqipëri dhe Kosovë, ndonjëherë duke kaluar në disa vende kufitare edhe brenda së njëjtës ditë ecjeje, nëpër një vargmal të njohur si Bjeshkët e Nemuna.

Ky emërtim “Bjeshkët e Namuna” fillimisht mund t’i ketë stepur të gjithë, përveç aventurierëve më të apasionuar, kryesisht nga Europa Veriore. Shtegu, i cili ndryshon vazhdimisht, tani po tërheq vizitorë nga e gjithë bota, për të eksploruar majat e larta gëlqerore, liqenet akullnajore, livadhet me lule të egra dhe pyjet e dendur të mbuluara nga mjegulla. Ato ofrojnë një qetësi dhe heshtje që rrallë mund të gjenden në pjesët jugore të kontinentit. Në të vërtetë, malet e kanë marrë emrin e tyre nga terreni i thyer dhe dimri i egër. Ky emër lidhet gjithashtu me izolimin e epokës së Luftës së Ftohtë, kur pjesë të këtyre maleve ishin të paarritshme për pushtuesit.

Sot, këto male janë shtëpia e asaj që, me të drejtë, është cilësuar si një nga zonat e fundit të natyrës së egër në Europë, një peizazh që e ka ngritur shtegun “Majat e Ballkanit” pothuajse në krye të listës së shtigjeve më të mira të ecjes ndërkufitare në botë. Ngjitja e këtyre maleve nuk është një shëtitje në park, por kërkon pak aftësi teknike. Dëshira për të ngjitur këto male kërkon një palë këpucë të forta, një çantë shpine të mbushur plot dhe formë të mirë fizike. Ngjitjet janë të pjerrëta dhe i gjithë shtegu ka një rritje prej gati 35,000 metrash. Këshillohet pak stërvitje para udhëtimit, si dhe një palë shkopinj për ecje. Kjo bëhet e nevojshme në vapën e një dite vere, kur malet mund të duken sikur shtrihen pafundësisht, duke e bërë ecjen më të ngadaltë. Zbritjet gjithashtu nuk janë të lehta, pasi kërkojnë ecje të kujdesshme dhe ekuilibër të qëndrueshëm.

ZONAT E RREZIKUT

Mundi për t’i ngjitur ia vlen, pasi çdo majë të ofron pamje madhështore, një mundësi për të marrë frymë thellë dhe për të admiruar natyrën dhe qetësinë e saj. Pjesa më e bukur e ditës është pushimi, dreka dhe ndalesa për të notuar në liqenin Hrid në Malin e Zi, që ndodhet mbi një milje mbi nivelin e detit, një arsye më tepër për ta vizituar këtë vend. Qielli blu pa re, pylli i gjelbër dhe uji kristal i pastër, ngjasojnë si një kartolinë.

Shumë pjesë të shtegut “Majat e Ballkanit”, të cilat mund të përshkohen brenda 10 ditësh ose të ndahen në udhëtime më të vogla ndjekin rrugët tradicionale tregtare, të cilat u mbyllën për shkaqe historike gjatë shekullit të 20-të. Rajoni ishte një zonë rreziku e ruajtur me shumë kujdes gjatë Luftës së Ftohtë, diçka që mbetet shumë e dukshme në Shqipëri, ku gjenden të shpërndarë bunkerë betoni të ndërtuar gjatë udhëheqjes komuniste të vendit nga Enver Hoxha. Për më shumë se katër dekada, shqiptarëve iu ndalua të dilnin përtej kufijve, për shkak të politikave famëkeqe izoluese të diktatorit, duke bërë që Shqipëria të konsiderohej si “Koreja e Veriut e Europës”. Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi u prekën rëndë nga rënia e bllokut sovjetik, shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat pasuese të viteve 1990 dhe fillimit të shekullit të 21-të.

Në fakt, në vitin 2006 kur nisën përpjekjet e para për të ndryshuar perceptimet për Ballkanin, kjo rrugë u quajt “Shtegu i paqes”. “Pjesa më e madhe e botës e njeh këtë rajon për shkak të konfliktit dhe luftërave”, thotë Dušan Dragosavljević, një banor i zonës që na rrëfeu rrugën, i cili na tregon ekzaktësisht brenda një pylli të dendur se ku është kufiri me shtetin fqinj. “Pra, mendoj se shtegu “Majat e Ballkanit” është një mënyrë vërtet e mirë për të ndryshuar perceptimin për Ballkanin”, tha ai.

Një botë ndryshe

Në varësi të buxhetit të dikujt, angazhimi i një guide profesioniste si Dragosavljević, mund të jetë një zgjedhje e mirë, pasi ai e njeh zonën që nuk ka një sinjalizim të mirë, por edhe si një njohës i mirë i historisë së rajonit.

“Ka shumë vende të tjera për t’u eksploruar, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë”, thotë Dragosavljević. “Ballkani ka shumë për të ofruar, jo vetëm në aspektin e natyrës dhe bukurisë, por në mikpritje dhe në kulturë.”

“Nuk jam i sigurt nëse njerëzit e dinë, se nëse mbetesh jashtë apo pa ushqim, ballkanasit të ndihmojnë, janë shumë mikpritës.” Ai thotë se shtegu ka transformuar jetën e shumë njerëzve në rajon. Fermerët që dikur e siguronin jetesën duke u kujdesur për të korrat dhe bagëtinë në terrenin e ashpër, tani po i shtojnë të ardhurat e tyre përmes turizmit.

Adis Balić drejton një restorat dhe thotë se jeta e tyre ka ndryshuar që prej lulëzimit të turizmit në zonë. Balić, i cili drejton edhe një lokal tjetër në qytetin e Gucisë thotë se familje si e tija ishin në gjendje ekonomike mjaft të dobët përpara se shtegu të hapej zyrtarisht, kur vizitat e alpinistëve ishin të rralla.

“Gjatë ditës mund të shihje ndoshta dy ose tre alpinistë me çanta shpine dhe ne i shihnin çuditshëm, duke pyetur ‘çfarë po bëjnë në këtë vend?’. Kishim një përceptim tjetër asokohe. Restoranti dhe bujtina, e cila u hap shtatë vjet më parë, mban emrin e ujëvarës që magjeps vizitorët vendas dhe turistët e huaj. Edhe pse kemi 4 dhoma dhe 15 shtretër, pjesa më e madhe e turistëve preferojnë të flenë në çadra kampingu, thotë ai.

Ai beson se zona mund ta zgjerojë atraktivitetin përtej sezonit të ecjes në natyrë, me disa investime në sportet dimërore. “Thjesht duhet një pistë skish dhe njerëzit do të vinin më shumë. Megjithatë mbetet një prespektivë e largët.

Ky artikull është pronësi intelektuale e “CNN“

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11