
Biznesmeni Dionis Teqja ka paditur disa gazetarë e medie duke kërkuar një dëmshpërblim që në total arrin deri 680 mijë euove me pretendimin se i është prishur imazhi. Gjyqtari Flamur Kapllani është shprehur se biznesmeni kërkon heqjen e lajmi të publikuar në media se ai ishte shpallur në kërkim. Kjo bëhet nga pala paditëse jo i bazuar mbi vërtetësinë ose jo të lajmit apo një vendimi të formës së prerë për shpifje, por përmes një kërkese për “sigurim padie”.

Në një reagim Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë shprehet se: “Gjykata e Shkallës së Parë e juridiksionit të përgjithshëm në Tiranë, me vendim “për sigurimin e padisë”, në datën 24.04.2026, ka marrë në shqyrtim në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, çështjen civile me Nr 12320 me paditës shtetasin Dionis Teqja dhe të paditur “Hekla” shpk person juridik, Zëri Media shpk, MCN 24 shpk,”Media Solution” shpk, “Dosja”shpk, Vox Neës” shpk,”Newsbomb” shpk, EM Media” shpk, si dhe gazetarët Ariglon Pali, Arsen Rusta., duke i detyruar subjektet të paguajnë paditësin me shumë të konsiderueshme. Ky është vendimi i parë i këtij lloji dhe që mbart penalizim financiar në shumë të konsiderueshme deri në 500.00 euro për shpifjet e publikuara”. Pas njohjes me çështjen UGSH bën të ditur se i është drejtuar një zyre asistence juridike për t’ia nënshtruar tekstin e vendimit një reçence juridike dhe kanë njoftuar se do u drejtohen zyrave pranë KE-së dhe BE-së.

“Safejournalists.net” e ka konsideruar kërkesën për heqjen e lajmin si një rast që ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe garanton se po e ndjek çështjen para se ajo të jetë vendosur në themel. Duke analizuar situatën “Safejournalists.net” thekson se raportimi mbi procedurat gjyqësore duhet të jetë i saktë, i verifikuar dhe i kontekstualizuar qartë, përfshirë në tituj dhe në ripublikime dhe shton se çdo kufizim që prek përmbajtjen mediatike duhet të jetë i nevojshëm, proporcional, i përcaktuar ngushtë dhe i arsyetuar me kujdes. Përdorimi në këtë fazë i termave si “të pavërtetë”, “mashtrues” dhe “artikuj me tituj mashtrues” për raportimin ngre shqetësim se arsyetimi gjyqësor mund të krijojë përshtypjen e karakterizimit të përmbajtjes së kundërshtuar përpara shqyrtimit të plotë të padisë civile”, citohet në vijim.

Gazetari Klodian Tomorri shkruan se: “Gjykatësi ka vendosur sigurimin e padisë dhe thotë në vendim të hiqet lajmi mashtrues. Pra pa e gjykuar çështjen në themel, e ka caktuar ky që është lajm mashtrues”. Sipas Tomorrit çdo njeri ka të drejtë të kërkojë kompesim kur dëmtohet, kjo nuk ka asnjë diskutim. Ai vijon duke shkruajtur se: “Zotit Teqja, suksesi fillimisht i buroi kur u lidh me familjaret e një ish- kryebashkiaku dhe në këmbim mori monopolin e plehrave të Tiranës në Sharrë. Dhe lidhja korruptive ose minimalisht konflikti i interesit aty ka qenë aq flagrant, sa që familjarët ishin në bordin e kompanive të zotit Teqja. Kurse i mirënjohur ai u bë nga fakti, që në kompaninë e tij punonin të mitur, të cilët kryenin punë të rëndë fizike”. Tomorri vëren se: “Megateku i sipërmarrësit të njohur ka aksidentuar rëndë dy të mitur në punë dhe ka marrë jetën e një punonjësi 32-vjeçar. Por zotit Teqja nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë për këto bëmat që e bënë të njohur dhe të suksesshëm”.


