
Pasuria e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku është marrë nën shqyrtim nga SPAK-u. Përveç kontrolleve në banesa, zyra, kompani të dyshuara, vila luksoze në jug të vendit janë marrë në pyetje edhe shumë persona të afërt të jetës së përditshme të Ballukut, mes tyre sanitarja e shtëpisë dhe shoferi. Ata janë thirrur për të dhënë shpjegime në kuadër të hetimit të nisur ndaj Ballukut e akuzuar për “Pabarazi në tendera”. Në operacione janë angazhuar edhe 2 prokurorë të SPAK-ut ndërsa agjentët nuk kanë patur dijeni se ku do zhvilloheshin kontrollet.

Pas hyrjes në ambiente të ndryshme, janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumente, telefona apo edhe kompjutera më qëllim analizimin e tyre të detajuar. Kontrollet u miratuan nga gjyqtari i çështjes, Erion Çela, ndërsa grupi i prokurorisë ka ndaluar edhe te djali i tezes së Ballukut, sipërmarrësi Mired Reçi si aksioner i kompanive “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk në ortakëri me kunatin e ish-zv.kryeministres, Meland Qirkon. Sipas hetimeve të dyja kompanitë i janë dhuruar një personi të tretë, e më pas janë pezulluar. Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e MIE-s, aktualisht drejtore e KESH është marrë në pyetje nga prokurorët për lëvizjet e Ballukut, si një prej bashkëpunëtoreve të afërta të saj.

Bashkë me Haxhiademin në pyetje është marrë edhe biznesmeni Arbër Abazi, emri i të cilit është fitues i disa tenderave nga Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë Kujtim Hasa, përfaqësues i kompanisë “Rruga Ura” në Elbasan, ka vënë në dispozicion të hetimit pajisje kompjuterike me rëndësi të hetimit. Nuk u ka shpëtuar kontrolleve as Laureta Omeri, ish-këshilltare dhe e njohur si bashkëpunëtore e ngushtë e ish-ministres. Balluku është e akuzuar nga SPAK-u për abuzime në tendera publike në vlera të mëdha monetare, siç janë tuneli i Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe.


