
Ditën e djeshme Ambasada Amerikane në Tiranë publikoi disa foto, të cilat tregonin se deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë që dolën nga zgjedhjet e 11 majit ishin thirrur në takim nga amerikanët.
Ajo që habiti ishte fakti se mes tyre kishte edhe deputetë të Partisë Demokratike, e cila është treguar e dyzuar sa i përket njohjes së zgjedhjeve apo jo, duke shfaqur herë pas here deklarata për grabitjen e zgjedhjeve.
Por çfarë thotë Besart Xhaferri sot? Pse e kishte pranuar ftesën dhe çfarë ka diskutuar me amerikanët?
“Në takimin e mbajtur në Ambasadën Amerikane, së bashku me kolegun Cara dhe Luku, u pyetem se cilat ishin pritshmëritë tona për jetën parlamentare që nis së shpejti në shtator. I njoftuam se jetë parlamentare nuk ka pasur prej 2019 në Shqipëri, sepse ai parlament është kthyer në vullnetin e një individi; kryeministrit. Kjo për faktin se deputetët e mazhorancës janë të vënë në resht për të ngritur kartonin edhe kur Shqipëria vidhet, coptohet apo edhe digjet. Ai parlament nuk voton më për ngritje komisionesh hetimore, madje as për interpelancë me kryeministrin e vendit! Pra, vetëm jetë parlamentare nuk ka dhe nuk do ketë.”, thotë Xhaferri.

Deputetët e PD-së gjatë takimit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, përveç Xhaferrit dhe Igli Cara dhe Manjola Luku
Ditën e djeshme publikimi i këtyre fotove ngjalli debat në hapësirën digjitale, ku mes komenteve pati edhe hije dyshimi mbi pranimin e ftesës nga deputetët e PD-së kur Berisha vazhdon të jetë ende Non Grata prej tyre por po ashtu pati hije dyshimi edhe mbi atë që do bëjnë amerikanët: do t’i njohin apo jo zgjedhjet?
Shpjegimi i plotë i Besart Xhaferrit:
Prej 2019 për fat të keq Shqipëria nuk është më një Republike Parlamentare, por Kryeministrore!
Në takimin e mbajtur në Ambasadën Amerikane, së bashku me kolegun Cara dhe Luku, u pyetem se cilat ishin pritshmëritë tona për jetën parlamentare që nis së shpejti në shtator. I njoftuam se jetë parlamentare nuk ka pasur prej 2019 në Shqipëri, sepse ai parlament është kthyer në vullnetin e një individi; kryeministrit. Kjo për faktin se deputetët e mazhorancës janë të vënë në resht për të ngritur kartonin edhe kur Shqipëria vidhet, coptohet apo edhe digjet. Ai parlament nuk voton më për ngritje komisionesh hetimore, madje as për interpelancë me kryeministrin e vendit! Pra, vetëm jetë parlamentare nuk ka dhe nuk do ketë.
Kaluam më tej me jetën politike në vend. Biseduam gjerë e gjatë për farsën zgjedhore të 11 Majit, ku u fokusuam në masakrën zgjedhore të bandave si në Durrës, Vorë dhe Elbasan. Folëm për pjesëmarrjen masive të administratës në fushatë, trysninë e ushtruar ndaj saj për të prodhuar vota për partinë-shtet, manipulimin e votës në Diaspore, faljen e gjobave, asfaltin elektoral, trenin bullgar, shpërndarjen e bonusit të pensionit dhe gjithë pikat e tjera ne raportin e OSBE-ODIHR.
I kërkuam partnerit tonë më të rëndësishëm SHBA të ushtrojë presion tek autokrati Rama për të rikthyer Shqipërinë në demokraci përsëri, pasi ajo është vend anëtar në NATO dhe aleate e saj strategjike në Ballkan.
I shpjeguam se vonesa për fat të keq do sjellë shpopullim më të madh dhe shuarje të shpresës në këtë vend, e cila do e zhysë shoqërinë në krizë edhe më të thellë demografike dhe ekonomike që vështirë se mund të dilet më vonë prej saj.

Deputetët e PS-së gjatë takimit në Ambasadën Amerikane, Ilva Gjuzi, Asfloral Haxhiu dhe Ana Nako
Amerikanët takuan edhe deputetë të PS-së por edhe deputetin e partisë “Mundësia”, Erald Kaprin.

Ndiq podkastin e plotë me deputetin e ri Erald Kapri


