
Zv. kryeministrja Belinda Balluku rrezikon arrestimin nëse komisioni i Mandateve dhe kuvendi e dorëzojnë atë të drejtësia edhe pas përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për ta mbajtur në qeveri. Ai iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të anulonte vendimin e GJKO-së për pezullimin e Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Energjisë. Prej ditësh Rama u ankua se gjykata me vendimin e saj kishte penguar punën e qeverisë dhe firmosjen e disa vendimeve.
Pse gjithë kjo përpjekje?
Kreu i demokratëve Sali Berisha ka publikuar sot disa përgjime të bisedave të Ballukut me ish-drejtorin e ARRSH-së Evis Berberin duke folur për një “R” i cili ka patur direkt komunikim me Berberin pa dijeninë e ministres. Sipas Berishës “R-ja” është Rama dhe se nga sekuestrimi i telefonit të Berberit dhe rrjedhja e mesazheve, del se urdhri për tenderat e Unazës së Madhe është dhënë nga kreu i qeverisë. Duke iu referuar Berishës, në dosjen e SPAK-ut për Ballukun, në mesazhet e datë 13. 10. 2021 mësohet se Rama ka bërë premtime për tenderin. “Balluku: Kanë mirëmbajtjet supervizion? I ke hapur ti? Epo një do ta marrë super k….”- citon Berisha duke theksuar fjalorin e papërshtshëm për drejtues qeverie. Pas mesazhit, përgjigjet Berberi: Po, BB i kishte një të madhe, unë ndava që të akomodonim sa më shumë dhe Balluku ia kthen: Nuk më pëlqen fare që unë nuk di çfarë bën ti.

Berisha shprehet se: “Këto janë të gjitha në Unazën e Madhe. Tuneli u nda, 97 milionë. Tani janë të Unazës këto. Të freskëta.” Ai argumenton se këto mesazhe faktojnë përfshirjen direkte të kryeministrit Edi Rama në afera dhe se kjo është arsyeja pse ai po e mbron Ballukun. Pas kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e krahut të tij të djathtë, Rama shkroi në “X” se: “Këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi ”. Në shkresën e firmosur nga Altin Dumani ish-kreu i SPAK-ut 3 ditë para se të largohej nga detyra, sqarohet se Ballukut i janë shtuar edhe 7 tendera të rinj ku ajo dyshohet se ka abuzuar. Berisha ka zbërthyer sot mesazhet e këmbyera mes Ballukut e Berberit duke i dhënë një tjerër dozë përforcuese akuzave të hershme të opozitës për përfshirjen direkte të Ramës në çështjet që po fundosin Belinda Ballukun.

Kuvendi “fsheh” dosjen e SPAK-ut për Ballukun
Komisioni i Mandateve mblidhet të premten më datë 19 dhjetor për Ballukun, ndërsa mësohet se dosja e saj nuk u është shpërndarë deputetëve anëtarë të Këshillit i cili ka kompetencën ligjore për të vendosur mbi imunitetin e saj. Deputetët e opozitës kanë denoncuar rastin publikisht duke u shprehur se zyra e Kryetarit të Kuvendit u ka vënë në dispozicion vetëm relacionin përmbledhës të dosjes për shkak të mosnxjerrjes së sekretit hetimor. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një postim në rrjetin e tij social e ka konsideruar të gabuar vendimin e Peleshit dhe në kundërshtim me rregulloren dhe praktikat parlamentare. “Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike!”- shkruan Bardhi, duke vijuar: “SPAK, sipas ligjit, ka detyrimin të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse. Këto nuk i sjellë për ti mbyllur në kasafortën e Protokollit të Kuvendit, por për tia vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur, që të jenë të përgatitur për vendimmarrjen në mbledhje”.


