

Ka zgjatur rreth 3 orë protesta e PD-së e cila ka nisur rreth orës 20:20 para Kryeministrisë.
Në këtë protestë ka patur disa momente të ndryshme tensionesh dhe përplasjesh mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë, ndërsa thirrja kryesore ishte ajo për krijimin e një qeverie teknike.
Protestuesit u mblodhën fillimisht tek selia blu dhe më pas marshuan drejt Bulevardit.
Kur kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bë pjesë e protestës përmes një videomesazhi pasi për shkak se nuk largohet dot nga banesa, prej masës së “arrestit shtëpiak” të vendosur ndaj tij, në drejtim të godinës së Kryeministrisë janë hedhur molotovë.
Në protestën e sotme ishte i pranishëm dhe djali i tij, Shkëlzen Berisha. I cili bashkë me mbështetësit e PD-së, kërkoi lirimin e të atit të tij pasi shumë prej protestuesve mbanin pankarta me mbishkrimin “Free Berisha”. Lirimi i Berishës dhe qeveria teknike ishin dy mesazhet dhe thirrjet kryesore të kësaj proteste.

Kërkesa për qeveri teknike
Kryedemokrati Sali Berisha në videomesazhin që u transmetua para protestuesve, i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me Partinë Demokratike për të kërkuar një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
“Prandaj kushtrimi im sot, shkon për çdo parti opozitare, tradicionale apo të reja qofshin ato, për shoqërinë civile dhe mediat. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.
Bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë! Kushtrimi im sot, shkon për çdo demokrate dhe demokratë, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që janë. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.
Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!”– tha Berisha.

Ai vazhdoi më tej duke iu drejtuar në emër kryeministrit Edi Rama dhe duke i bërë thirrje atij që ta pranojë këtë kërkesë. Sipas tij, Rama e ka mbyllur ciklin e tij dhe zgjidhja e vetme dhe urgjente është krijimi i qeverisë teknike.
“Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm i çmenduri mund ta imagjinoj se Edi Rama do qeverisë 4 vite të tjera. Prandaj, sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës:
Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty. Ke bërë genocid ndaj shqiptarëve Edi Rama.
Nëse vetë ndërgjegja jote, do zgjohej një çast për të kuptuar çfarë i ke bërë Shqipërisë, ajo do ulërinte. E përsëris Edi Rama, në emër të shqiptarëve, mos e drejto Shqipërinë drejt abisit, greminës. Prano qeveri teknike. Me urgjencë.”– tha Berisha.
Në këtë protestë mori pjesë edhe ish-presidenti Ilir Meta. Po ashtu të pranishëm ishin dhe deputetët e PD-së, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Jorida Tabaku dhe Luçiano Boçi.


Meta kritikon këshilltarët opozitarë që munguan dhe quan “vagabondë” prokurorët e SPAK-ut
Protestës iu bashkua edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili si zakonisht ishte i shoqëruar nga Tedi Blushi, por dhe eksponentë të tjerë të kësaj force politike.
Ai mbajti edhe një fjalim, ku kritikoi këshilltarët opozitarë të bashkisë të cilët nuk kanë marrë pjesë sot në protestë.

“Turp për ata që ankohen çdo ditë, dhe përtojnë të vijnë këtu për të përmbysur regjimin më kriminal dhe më anti kombëtar që ka njohur kjo tokë. Turp, për të gjithë ata këshilltarë opozitarë që nuk janë atje, me Tedi Blushin, Dor Telitin, me Klevis Balliun, përballë krye hajdutit të Tiranës.
Turp, për të gjithë ata këshillatër opozitarë që nuk janë çdo ditë përballë kryehajdutëve të Rilindjes, në çdo bashki. Turp, për çdo opozitar që ka hallin e autoritetit të SPAK., të cilit SPAK.?
Më keni dëgjuar kur them regjimi i Dum-Dumanit! Ata që e dijnë historinë e diktaturave e dinë se Naiti, ishte regjimi i një krimineli, i një diktatori, i një narko-trafikanti siç ishte Duvalier. Dhe, Duvalier e mbante Haitin në terrorrin e Tom-Tomakutëve.
Ata vishnin disa syze të errëta, dhe frikësonin kudo njerëzit, që ai të vidhte pa mëshirë si kriminel. Ky e ka bazuar pushtetin e tij kriminal, tek Dum-Dumanët, të cilët thonë se, afër mendsh gjykatat do të vendosin atë që kërkojnë ne Prokuroria. Turp për çdo opozitar, që i bëjnë furçe SPAK-ut. Ose ka ndonjë hall me SPAK, ose ka hallin se mos nuk i japin vizën për të shkuar gjëkundi.”-tha Meta.
Ai e vazhdoi fjalimin duke sulmuar ashpër kreun e SPAK-ut Altin Dumanin dhe prokurorët e tjerë, duke i quajtur horra e vagabondë.
“I themi çdo Prokurori si ai i Metamorfozës, dhe ata shokët e McGonigal që janë në SPAK. Do ta paguani, do të jua bëjmë vetingun, edhe juve.
Që fshihni krimet e Edi Ramës, dhe që mbani të arrestuar Sali Berishën, për llogari të Edi Ramës. Ju horra dhe vagabonda, pa personalitet që ju merret goja, që në 7 fjalë, 6 i keni ambasada e një Edi Rama, se ju Kushtetutë nuk njihni.”-tha ai.

U hodhën molotovë drejt Kryeministrisë dhe drejt bashkisë së Tiranës
Kur kreu i Partisë Demokratike, Berisha, u bë pjesë e protestës përmes videomesazhit, në drejtim të godinës së Kryeministrisë janë hedhur molotovë, me dhjetëra.
Protestuesit hedhin molotovë drejt Kryeministrisë
Posted by Gogo.al on E enjte, 11 korrik 2024
E njëjta gjë ndodhi edhe kur protesta u zhvendos më vonë drejt bashkisë së Tiranës, ku gjithashtu kishte thirrje për dorëheqje ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, për shkak të afërës së inceneratorëve dhe dosjes “5 D”.
Protestuesit kanë hedhur molotov madje te dritarja e Bashkisë, ku janë djegur edhe disa flamuj, ndërsa thirrnin në korr “Poshtë hajdutët”.
Mes protestuesve dhe efektivëve të policisë ka pasur edhe disa përplasje e shtyrje.

Përplasje mes protestuesve dhe policisë
Mbi 1 mijë efektivë ishin vënë në gadishmëri për të siguruar mbarëvatjen e protestës së sotme dhe për të garantuar sigurinë.
Efektivët ishin vendosur në 4 rreshta për të blinduar godinën e Kryeministrisë, ndërsa kishte prezentë të lartë të policisë edhe në godinat e tjera të rëndësishme përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kur protestuesit hidhnin Molotov, me megafon, policia ka kërkuar që të mos hidhen më lëndë të tilla për të ruajtur sigurinë e qytetarëve. Por shpërthimet me Molotov vazhduan dhe efektivët u detyruan të ndërhyjnë, për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. Pati momente ku protestuesit kanë hedhur edhe molotovë fare pranë policëve, duke i rrezikuar ata.
Në një moment pati dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe policëve siç e shikoni në foto, e cila nuk zgjati shumë.

Mbyllja e protestës nga selia blu
Protesta u mbyll pas afro tre orësh, në të njëjtin vend ku nisi: në selinë blu.
Belind Këlliçi than ë një prononcim për mediet, se kjo nuk do jetë e fundit protestë, por do të ketë të tjera.
Fjalimin përmbyllës e mbajti sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka. Sipas tij përmes protestës foli shumica e shqiptarëve.
“Falënderoj qindra dhe mijëra qytetarë, opozitarë dhe kundërshtarët të këtij regjimi që morën pjesë në këtë protestë madhështore. Të gjitha ata që protestuan se shpirti i qëndresës, treguan se shqiptarët e lirë nuk nënshtrohen, protestuan kundër këtij regjimi. Mesazhi i cdo qytetari ishte që Shqipëria kërkon demokraci dhe Shqipëria nuk mund të pranojë që të këtë liderin e opozitës të burgosur politik, Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend që zgjedhjet vidhen.”– tha Noka.
Protesta u mbyll me paralajmërimin se do të ketë një tjetër protestë të enjten e ardhshme në orën 10:00, përpara Bashkisë së Tiranës.
“Kjo nuk është protesta e fundit, pas 1 jave ne do të protestojmë sërisht para Bashkisë së Tiranës. Protesta foli vetë përmes pjesëmarrjes së lartë, përmes simbolikave të ndryshme. Vajtja e qytetarëve nga Kryeministria te Bashkia ishte spontane.”- tha Këlliçi.

Siç ndodh zakonisht, kjo protesë gjatë dhe pas saj u shoqërua me komente dhe diskutime në media mbi numrin e saktë të pjesëmarrësve të qytetarëve.
Kishte shumë kritika se pjesëmarrja nuk ishte aq e madhe sa shitet nga opozita, por deputetët opozitarë janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen që ishte, duke marrë parasysh temperaturat e larta dhe faktin që shumë qytetarë janë larguar nga Tirana për në pushime.
Selami Jenisheri gjen zgjidhjen kundër vapës në protestë
Posted by Gogo.al on E enjte, 11 korrik 2024


