
Një deklaratë e para pak ditëve e ish-kryeministrit Sali Berisha e parë si kërcënim ndaj gazetarëve, i ka futur këta të fundit në sherr mes veti. Konkretisht Berisha iu drejtua gazetarëve që publikojnë detaje nga akuza e Prokurorisë së Posaçme prej 500 faqesh e tij duke thënë se do merret me ta dhe do t’i trajtojë ata si anëtarë të SPAK-ut.
Lidhur me këtë deklaratë të Berishës, analisti Andi Bushati bëri një shkrim me titull “Pse iu turr Berisha celulës së gazetarëve të SPAK” në të cilin edhe pse e kritikonte, në njëfarë mënyre i jepte të drejtë kryedemokratit, duke thënë se një pjesë e gazetarëve bëjnë papagallin e SPAK-ut (lexo këtu). “Në fakt, në njërën anë Berisha ka të drejtë. Prej disa kohësh në media është shpërfaqur kategoria më e re e gazetarëve dhe analistëve, atyre që bëjnë papagallin e SPAK. Ashtu sikurse qeveria, opozita, madje edhe grupet kriminale apo federatat sportive kanë përfaqësuesit e tyre të infiltruar në profesionin tonë edhe SPAK ka aritur të ndërtojë një brigadë të gatshme. Po të shihje disa nga emisionet e mbrëmjes, pas publikimit të aktakuzës ndaj Berishës, haseshe me personazhe qesharakë që e kishin lënë logjikën në shtëpi, pasi hynin në studio dhe pa u rekur të argumentonin, përsërisnin në mënyrë mekanike shprehejn standarte: ‘Unë po raportoj ato që thotë SPAK’.”-janë fjalët që shkruan Bushati. Të njëjtin qëndrim ai ka mbajtur dhe në një studio televizive.

Por kjo deklaratë e Bushatit nuk është pritur mirë nga kolegët të cilët para pak vitesh i dolën në krah, kur ai u thirr në SPAK lidhur me dosjen e patronazhistëve. Gazetarja Anila Hoxha, në një reagim në rrjetin e saj social në “Facebook”, i ka kujtuar Bushatit pikërisht këtë moment por ajo ia shpreh në doza ironie (kliko këtu).
“NE, Banda e gazetarëve të SPAK-ut, kur prokurorët të kërkuan të paraqiteshe, NE të morëm peng dhe të pyetëm me dhunë atë ditë e në vijim. Ti ishte thirrur nga SPAK për çështjen e të dhënave personale, dhe ne anulluam menjëherë pushimet dhe jetën luksoze prej banditësh. Zumë si pikë strategjike derën e SPAK-ut dhe u vendosëm aty. Ca nga një anë e ca nga ana tjetër. Nja 20 kameramanë gati për të qëlluar, u vendosën përballë. Qëndruam palëvizur jo në ajër si papagajtë por në këmbë, se na thanë ky sport është më i kërkuari. Madje, madje nuk u lodhëm asnjë cikë duke të pritur.”-shkruan gazetarja.
Duke iu drejtuar vetes dhe kolegëve me fjalët “kjo bandë e rrezikshme, nga më të rrezikshmet që ka parë Shqipëria”, thotë se ata raportuan hap pas hapi dinamikën e veprimeve të prokurorisë e gjyqësorit. “Në finale edhe Strasburgun në mënyrë aq te organizuar saqë konkurron edhe Cosa Nostrën.”-shton ajo.

Kjo nuk është hera e parë që gazetarët konfliktohen me njëri-tjetrin pas “shashkave” të hedhura nga politika. Po në këtë rast, në ka një gazetar të cilit Berisha i është drejtuar me emër, ai është Carlo Bollino. Konkretisht në ndjesën e tij publike, Berisha mohoi të ketë kërcënuar gazetarët dhe tha se kurrë s’do kërcënonte gazetarë dhe se ishte keqkuptuar. Ama pavarësisht kësaj nuk u tërhoq nga deklarata duke thënë se: ”Konstatoj se tek tuk prej tyre (fjala është për gazetarë) që keqpërdoren në mënyrë ekstreme nga Skapi. Keqpërdoren se janë të marrë peng realisht dhe unë këtë do të ua faktoj. Me këtë unë ju them kaq; do t’i trajtoj njëlloj si anëtarë të organizatës kriminale, Skapi i partisë.’ Del qartë se këtu fjalën e kam jo për gazetarë të vërtetë, por për individë delinkuent të vërtetuar si gjobvënës edhe nga drejtësia, por në vend të ndëshkimit ligjor për krimin që kanë kryer mbahen peng nga Dumani për t’i keqpërdor siç don ai vetë.”
Në fund duke iu drejtuar Bollinos, ai shtoi se: “Thashë edhe njëherë, këtu nuk bëhet fjalë për gjobëvënësit e Linda Ramës, për Bolinot, jo. Ata do të trajtohen njëlloj si anëtarë të organizatës kriminale, Skapi i Partisë. Por këtu bëhet fjalë për të gjithë gazetarët e tjerë të cilët me përkushtim, raportojnë njoftojnë, kryejnë detyrën e tyre.”

Carlo Bollino ka reraguar pas akuzave të ish-kryeministrit Berisha ndaj tij, duke thënë me ironi se e mirëkupton familjen Berisha e cila është në panik. Madje shtoi se kjo histori i kujton fillimet e tij si gazetar. “Duke i dëgjuar se më etiketojnë njëkohësisht si anëtar i ‘bandës kriminale të SPAK’-ut por dhe si ‘peng’ i saj, më bën të ndjehem i ri. Më kujtohet në fillimet e mia si gazetar në Shqipëri, flasim për vitet 1994-1995, kur Berisha me mediat e tij më etiketonin si fashist-komunist: Berisha kurrë nuk ka pasur ide të qarta ndaj meje. Po i mirëkuptoj, ata si familje janë komplet në panik!” – tha Bollino për median e tij Shqiptarja.com.
Shumë gazetarë kanë reaguar lidhur me komentet e Berishës. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë përmes një reagimi publik tha se etiketimet “Jeni të kapur nga SKAP-i Partisë” dhe shantazhet “do t’ju trajtoj si organizatë kriminale” nga kreu i opozitës janë të papranueshme dhe i kërkoi atij të vetëpërmbahet nga mesazhe të tilla.



