
Hetimi ndaj Erion Veliaj nga SPAK dhe paraqitja e tij këtë të enjte duke dëshmur për rreth 5 orë ka sjellë reagime të ndryshme edhe nga opozita. Ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë daljes së tij në konferencë për mediat, akuzoi se Veliaj ka ikur jashtë shtetit. “Pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama.“- tha Berisha.
Ai gjithashtu akuzoi dhe Ramën, si bashkëautorin e Veliajt, duke deklaruar se Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit si dhe bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës, në mënyrë që të ikte jashtë shtetit. “Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë.”- tha Berisha.
Gjatë mbylljes së deklaratës së tij, ai kërkoi rikthimin e Veliajt në Tiranë, si dhe dorëheqjen e Ramës. “Kërkoj dhe njëherë rikthimin me urgjencë të Erion Veliajt ose dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.Erion Veliaj u përcoll pra jo vetëm për t’i shpëtuar dënimit, por për të fshehur krimet e Edi Ramës.”- përfundoi Berisha.
Pas akuzave të Berishës, Veliaj ka reaguar duke arsyetuar se ikja e tij në SHBA është për arsye pune dhe nuk është si Berisha në “non grata”. “Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde.”- shkruan Veliaj.
Më pas ai sqaron se është i hapur ndaj hetimit të SPAKU-ut dhe se tani është rradha prokurorit dhe më pas, rradha e tij për të folur. “Do të kthehem për dy ditë, dhe me durimin e paepur në pritje që të më vijë radha mua, se unë nuk jam burrë legen si ti, që kur SPAK-u merret me ty e me hajdutët e farës tënde është SKAPi i partisë, kurse kur merret me mua e me familjen time është SPAK-u i drejtësisë! Unë e di radhën e punëve dhe tani e ka radhën prokurori special të bëjë çfarë të dojë, pastaj vjen radha ime për të thënë çfarë duhet.”-tha Veliaj.

Ndërsa paralajmëron Berishën se do të marrë goditjen e tij më të fortë në zgjedhjet që do të mbahen në Maj. “Aty rri se edhe ti s’ke nga lëviz, se je pa pashaportë dhe nuk del dot nga Shqipëria, se do të të dal si lugat në shtëpi natën e Vitit të Ri, kur edhe Syri i djalit tënd do jetë te Sheshi Skënderbej, duke transmetuar fishekzjarret e 2025-ës, kur do hash shqelmin më të fortë nga shqiptarët, sa të vijë maji!”- përfundoi Veliaj.


