
“Rama n’burg, Berisha n’burg”, prej 100 ditësh qytetarët shqiptarë kërkojnë largimin e kastës së vjetër politike dhe drejtësi. Me pankarta ku shkruhet “Shqipëri e Re” kanë protestuar pa pyetur për temperaturat e larta të verës. Ata anë paralajmëruar përshkallëzim të protestave me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Një pjesë e mirë e tyre kanë treguar mosbindje ndaj policisë duke rrethuar godinën e kryeministrisë. Disa u shoqëruar forcërisht në polici ku në video është parë aktivistja Arvina Lleshi e cila ngriti zërin duke mos patur mundësi as të njoftonte familjen dhe të ëmën me probleme shëndetësore. Rrugët e Tiranës jehojnë prej 100 ditësh nga thirrjet për zonat e mbrojtura dhe krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për 35 vite tranzicion.
Po Rama me Berishën?
Kryeministri Edi Rama ka gjetur kohë të zhvillojë një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga. Përmes videove të shkurtra që qarkullojnë në rrjet ai dëgjohet të thotë se ish-presidenti Ilir Meta ishte një talent i madh politik. Ai ironizon Metën duke thënë se ai nuk e mbajti dot peshën e pushtetit, u katandis në një personazh qesharak. Rama shkon më tej duke thënë se: “Pushteti është një forcë që ka “ngrënë” shumë burra dhe, në rastin e Metës, e ka katandisur atë në një personazh qesharak”. Përveçse është marrë me Metën, Rama ka folur edhe Sazanin e Zvërnecin. “Ata nuk po blejnë ishullin, ata as nuk po marrin pronësi mbi ishull. Ai ishull do jetë pronë e Republikës së Shqipërisë”, tha ai, ndërsa protestuesit dhe BE ka kthyer ligjin për Zonat e Mbrojtura pasi ai ka hapësira për abuzime.

Nga ana tjetër kreu i demokratëve Sali Berisha ka udhëtuar drejt SHBA-ve për një vizitë dyditore. Mbërritja e tij u shpërnda në video në rrjete sociale. Më qellim pjesëmarrjen në konvnetën e republikanëve, ai është takuar me disa emigrantë shqiptarë që jetojnë atje. Sali Berisha udhëtoi drejt SHBA pas 5 vitesh “non grata”. Në fjalën e tij mes shqiptarëve të Amerikës Berisha tha se kush na tregoi barin, sot është pa punë. Duke folur për Blikenin e Kim ai tha: “Ata që më shpallën ‘non grata’, janë të padëshiruar në vendin e tyre!”. Edhe pse protestuesit e kanë future në një thes me Edi Ramën, Berisha ka vijuar të hedhë akuza ndaj kryeministrit. “Në Shqipëri ekstremi i majtë që ka lindur nga krimi, ka sunduar me krimin, është shartuar, është shartuar me kartelet e drogës, duke sjellë kështu në jetë një monstër të rrezikshme që ushqehet me paratë e shqiptarëve ditë e natë, që lë spitalet pa ilaçe dhe mjeron të sëmurët shqiptarë. Kjo monstër hibride midis ekstremit të majtë dhe karteleve të drogës është narkoshteti shqiptar, me në krye Edi Ramën, i cili po shpopullon Shqipërinë me ritme apokaliptike”, është shprehur ai.
Nesër më 8 shtator nis kuvendi ku është planifikuar miratimi i procesverbaleve të 27 korrikut. Në sallë priten nga të dy, batutat hidh e prit, si zakonisht, ndërkohë që qindra mijëra në shesh kërkojnë një gjë fare të thjeshtë; që të dy të dorëhiqen nga politika.



