
Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është përballur me akuza të reja sot nga SPAK-u. Në dosjen e saj hetimore janë hapur çështjet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje apo deklarim të rremë të pasurisë.
Më herët Balluku u akuzua për Shkelje të Barazisë në tendera për disa procedura prokurimi, përfshirë ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës dhe tendera të tjerë (në të paktën 8 raste të hetuara), korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë: Për shkelje dhe favore në tendera në këmbim të ryshfeteve (përfshirë periudhën kur drejtonte “Albcontrol”).
Ndaj ish-krahut të djathtë të Ramës, vijon procedura për komunikimin e akuzave. Bashkë me Ballukun në këtë çështje ka edhe një sërë personash të tjerë si bashkëpunëtorë. Ballukut i është njoftuar zgjatja e hetimeve nga ana e SPAK, deri në janar të 2027-ës.
Deklarata e SPAK-ut
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:
• “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
• “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
• “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
• “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
• “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.


