
Belinda Balluku kallëzohet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka depozituar sot në SPAK një kallëzim për zv.kryeministren Balluku, e cila mban njëkohësisht detyrën e Ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë.
Balluku kallëzohet se ka kryer veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsionit pasiv” për prokurimin e tunelit të Llogarasë. Për këtë prokurim, Bardhi thotë se ministrja ka paracaktuar fituesin, ndërsa llogarit dhe një dëm ekonomik prej 30 milionë eurosh në kosto të fryra, që i shkuan një kompanie turke, e cila nuk bëri asnjë punim.
Denoncimi i parë publik për Tunelin e Llogarasë ka ardhur nga Arben Ahmetaj, ish-zv.kryeministri në arrati (lexo këtu). Në intervistën e tij të dytë nga arratia, Ahmetaj nxori detaje mbi mënyrën si u kopsitën letrat për Tunelin e Llogarasë dhe si një kompani turke fitoi miliona pa punuar vetë. Sipas Ahmetajt, Balluku ka kryer 10 miliard lekë tendera të dyshimtë.


Në njoftimin që opozita ka publikuar sot mbi këtë kallëzim, thotë se janë evidentuar 10 fakte e prova të abuzimit. Faktet nisin me shpalljen e tenderit me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në dhjetor të vitit 2020. Në këtë procedurë paraqiti ofertë shoqëria “Gjoka Konstruksion”, me vlerë rreth 140 milionë euro. Por ministrja Balluku vendosi anulimin e tenderit dhe kompania e skualifikuar nga gara nuk bëri ankim për këtë.
Në Qershor 2021, Balluku rishpalli tenderin dhe më pas në garë morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, 4 prej të cilëve u skualifikuan dhe vetëm Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK dhe ASL INSAAT TAAHHUT u kualifikua dhe u shpall fitues në Tetor 2021, me ofertë rreth 170 milionë euro. Pra një ofertë fituese për 30 milionë euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” në procedurën e parë.
Një muaj më vonë, operatorët fitues të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, themeluan shoqërinë e thjeshtë “INTEKAR – ASL”. Siç thotë PD, dokumentacioni për regjistrimin e shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit është bërë nga shtetasja Rovena Dorëzi, e cila rezulton të jetë e punësuar si juriste në shoqërinë “Gjoka Konstruksion”. Po ashtu punimet e nënkontraktimit janë kryer nga shoqëria shqiptare “Gjoka Konstruksion”, logot dhe punonjësit e të cilës shfaqen në të gjitha inspektimet që janë kryer ministrja Balluku.
Opozita thotë gjithashtu se shoqëria “INTEKAR – ASL” nuk rezulton të ketë asnjë licencë aktive, të cilat janë të domosdoshme për kryerjen e punimeve të ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe se të gjitha punimet janë kryer po nga “Gjoka Construction”. PD kërkon nga SPAK nisjen menjëherë të hetimit dhe vendosjen para përgjegjësisë të ministres Balluku.


