
Bashkimi Evropian ka shfaqur shqetësim gjithnjë e më të madh për situatën politike dhe institucionale në Serbi, ndërsa po vlerësonte mundësinë e rishikimit apo pezullimit të pagesave financiare në kuadër të instrumenteve të zgjerimit dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Evropian ka analizuar nëse Serbia i përmbush ende kushtet për përfitimin e fondeve të BE-së. Sipas saj, shqetësimet lidhen me prapambetjen në reforma, sidomos në fushën e gjyqësorit, ku ligje të reja të kontestuara janë vlerësuar si një hap prapa në garantimin e pavarësisë së drejtësisë.
Kos theksoi se Brukseli është “gjithnjë e më i shqetësuar” për zhvillimet në Serbi, duke përmendur jo vetëm ndryshimet ligjore në drejtësi, por edhe raportimet për presion ndaj mediave të pavarura, trajtimin e protestave dhe tendenca që prekin funksionimin demokratik të institucioneve. Ajo paralajmëroi se vendi do të humbasë deri në 1.5 miliardë euro fonde të lidhura me reformat, nëse nuk ka përparim të qartë. “Për momentin i kemi pezulluar të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes, sepse Serbia ka shënuar regres në fushën e drejtësisë, dhe derisa ta përmirësojë këtë, nuk do të mund të marrë mbështetje financiare nga BE-ja”, tha Kos gjatë një fjalimi në Universitetin e Friburgut në Zvicër.

Në të njëjtën kohë, Brukseli po pret opinionin e Komisionit të Venecias mbi ndryshimet në paketën ligjore për gjyqësorin, i cili mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimet përfundimtare të financimit. BE-ja ka kërkuar që Serbia të zbatojë rekomandimet ndërkombëtare dhe të harmonizojë legjislacionin me standardet evropiane.
Në raportet e Komisionit Evropian dhe në analizat e publikuara nga media ndërkombëtare, theksohet gjithashtu se Serbia ka marrë më shumë se 586 milionë euro grante nga BE-ja në periudhën 2021–2024, si dhe miliarda euro investime dhe ndihmë të përgjithshme që nga viti 2000. Megjithatë, një pjesë e fondeve është pezulluar ose ulur për shkak të mosrealizimit të reformave të kërkuara, përfshirë edhe Planin e Rritjes për rajonin.
Sipas REL në janar, Serbia mori pak më shumë se gjysmën e fondeve të alokuara nga kësti i parë i Planit të Rritjes, pasi u zbulua se kishte përmbushur vetëm tri nga shtatë reformat e planifikuara. Në vend të 112 milionë eurove të planifikuara, ajo mori 61.1 milionë euro. Së bashku me fondet e parafinancimit, 7% e shumës së përgjithshme të ndarë shuma totale që Serbia ka marrë deri më tani nga Plani i Rritjes është 167.59 milionë euro. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e Bashkimit Evropian, e miratuar në fund të vitit 2023, me qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë.

Një tjetër element që ka rritur tensionet mes Brukselit dhe Beogradit është politika e jashtme e Serbisë, veçanërisht marrëdhëniet e saj të vazhdueshme me Rusinë, ndërkohë që BE kërkon harmonizim më të qartë me qëndrimet e saj. Sipas Komisionit, vendet kandidate duhet të jenë të përafruara me politikën e jashtme evropiane.
Ndërkohë, në kuadër të procesit të zgjerimit, Serbia vazhdon të mbetet prapa në negociatat e anëtarësimit, pasi prej katër vitesh nuk ka hapur kapituj të rinj. Raportet e BE-së kanë përmendur gjithashtu tensione të brendshme politike, incidente gjatë zgjedhjeve lokale dhe përplasje mes autoriteteve dhe protestuesve si faktorë që ndikojnë negativisht në progresin e vendit.


