
Menaxhimi i mbetjeve ishte sot temë kryesore e një takimi për Reformën e Trajtimin e Integruar të Mbetjeve. Kreu i qeverisë Edi Rama ka prezantuar një plan masash ligjore por edhe investimesh. Ai e ka cilësuar këtë hap një domosdoshmëri për rrugën drejt integrimit evropian të vendit.
Rama njoftoi se menaxhimi mbetjeve nuk do jetë më detyrë e bashkive, por sipas ligjit do parashikohet krijimi i një operatori kombëtar, një agjencie qendrore e cila do marrë përsipër procesin në nivel republike, duke e larguar atë si përgjegjësi të bashkive. “Jemi në një situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve në raport me përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve, ku përfshihen ambalazhet plastike, letrat, qelqi, pajisjet elektrike, elektronike, bateritë, automjetet në fund të jetës. Projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve do të harmonizojë legjislacionin shqiptar me atë europian, duke përcaktuar hierarkinë nga parandalimi deri te asgjësimi, si dhe krijimin e një fondi të ekonomisë së mbetjeve. Kjo ndërmarrje e re do të vihet në dispozicion të gjithë vendit dhe pushtetit vendor, me synim përqendrimin e procesit të trajtimit të mbetjeve dhe përmbushjen e misionit për integrimin evropian. Ndryshe nga modeli aktual, bashkitë nuk do të kenë më rol drejtues në menaxhimin e mbetjeve, por do të funksionojnë si klientë të operatorit të ri kombëtar.”-tha Rama.

Ndërgjegjësimi i qytetarëve
Një tjetër shqetësim i kreut të qeverisë ishte edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve. Edhe pse vlerësoi një përmirësim në zonat turistike duke veçuar Lezhën dhe më pas me një progres të lehtë Durrësin, Himarën dhe Shkodrën, pranoi se nuk ka një uniformitet në gjithë vijën bregdetare. Pastrimi dhe menaxhimi i mbetjeve është një nga kushtet për ntegrimin, ndaj Rama u ka bërë thirrje edhe banorëve të angazhohen.
Projekti i ri parashikon krijimin e një tregu të centralizuar të shërbimeve të mbetjeve, ku bashkitë do të blejnë shërbimin nga operatori kombëtar. Riciklimi është me rëndësi pasi pritet të gjenerohen edhe fonde të posaçme dhe avancim në teknologji. Gërshetimi i këtyre strategjive krijon vende të reja pune duke reduktuar edhe kostot afatgjata të menaxhimit të mbetjeve.

“Varrezat e makinave”, Rama shpall aksionin e radhës
“Varrezat e makinave” janë një tjetër pikë e planit të Ramës ku është njoftuar mbyllja e tyre. “Jemi i vetmi vend në Europë që ‘varrezat’ e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor, si fakte të kryera. Ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjitha atyre varrezave. Jemi një vend që nuk ka akoma asnjë informacion nga shpërndarësit, prodhuesit apo importuesit. Ka dhe hapa të tjera, por këto dy hapa janë themelore, duke filluar nga vendosja në kornizën ligjore dhe duke vijuar me të gjitha fazat dhe përgjegjësitë e implementimin. Për këtë kemi një ligj që do të kalojë në kuvend brenda këtij viti.”-tha ai.

Ndërkohë që Rama ligjëronte vendimet e tij më të fundit, disa nga televizionet në vend e jepnin live në transmetimet e tyre. “SyriTV” dhe “MCNTV” kishin në transmetim çështje të tjera.



