Në konferencën për shtyp, në kuadër të zhvillimeve parlamentare për shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Gazment Bardhi deklaroi se qytetarët do të thirren për protestë për të mbrojtur drejtësinë dhe për të reaguar ndaj vendimeve të mundshme të Kuvendit për imunitetin e ish-zyrtarëve të lartë. Ai theksoi: “Ditën kur Kuvendi shqyrton kërkesën për mandatin, qytetarët janë të ftuar në protestë para selisë së Kuvendit. Që nga ai moment, nëse mbahet qëndrim pro Ballukut, ai institucion do të quhet bunker i të korruptuarve.” Bardhi u shpreh gjithashtu se qëllimi i protestës nuk është vetëm kundërshtimi politik, por edhe mbrojtja e shtetit ligjor. “Ky do të ishte momenti më i rëndë në demokraci, që do të vinte në dyshim ekzistencën e shtetit ligjor. Ndaj, sot dua që përmes kësaj konference për shtyp të njoftoj se ditën kur Kuvendi të shqyrtojë mandatin apo imunitetin e Ballukut, PD-ja do të thërrasë qytetarët para selisë së Kuvendit.”

Ai argumentoi se refuzimi i kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres do të tregonte se Kuvendi po mbron korrupsionin. “Nëse shkon skenari i refuzimit të kërkesës së SPAK-ut, qytetarët do ta trajtojnë Kuvendin si bunker ku janë strehuar të korruptuarit, i cili do të duhet edhe të shembet,” u shpreh ai. Bardhi nuk i kurseu as akuzat ndaj Edi Ramës, duke e përshkruar si peng të ish-zëvendëskryeministres, duke thënë se Rama po mbron veten e tij, jo vetëm Ballukun. “Ai po mbahet peng nga Balluku, sepse nëse ajo shkon në burg, do të shkojë edhe ai pas saj.”

Në pjesën tjetër të deklaratës, Bardhi shpjegoi rëndësinë e procedurës parlamentare dhe bazën ligjore të kërkesës së SPAK-ut. “Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, ka vetëm një detyrë, të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare,” shpjegoi Bardhi.

Ai gjithashtu argumentoi se Prokuroria kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të justifikuar arrestimin. “Prokuroria tregon në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe ai bazohen në një set provash që janë depozituar bashkëlidhur kërkesës dhe relacionit shoqërues, gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume.” Ai theksoi edhe rrezikun e mundshëm për procedimin penal dhe ndikimin e deputetes duke e akuzuar ate edhe për prishje të provave. “Lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktual në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës publike… është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal,” u shpreh ai.

Bardhi shtoi se mosdhënia e autorizimit do të ishte një goditje e rëndë ndaj drejtësisë dhe integritetit të Kuvendit. Ai theksoi se ky akt kompromenton autoritetin dhe legjitimitetin e Parlamentit në sytë e publikut dhe në marrëdhëniet institucionale me organet e tjera, pasi shkelet parimi kushtetues i barazisë përpara ligjit dhe parimi i ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, pa ndonjë motiv ligjor. “Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e Parlamentit në sytë e publikut dhe në marrëdhëniet institucionale me organet e tjera, për shkak se shkelet pa asnjë motiv ligjor parimi kushtetues i barazisë përpara ligjit dhe parimi i ndarjes e balancimit mes pushteteve.”

Në përfundim, deklarata e Bardhit ishte një thirrje e qartë për qytetarët që të reagojnë kundër çdo pengese të drejtësisë dhe për të mbrojtur standardet demokratike. “Vetëm nëse përmbushet rekomandimi për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin apo heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, secili deputet, por edhe Kuvendi si institucion, tregon standardin më të lartë të sjelljes etike dhe bëhet model për të tërhequr në mjedisin politik njerëz të rinj dhe me vlera.”

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11