
Tenderat e aferat korruptive kanë vënë në rreth të kuq zv.kryeministren Belinda Balluku. Ajo ka fletëthirrje nga SPAK-u për t’u paraqitur me një avokat, por kjo nuk ndodhi më datën e caktuar, 27 tetor. “Shpërdorimi me tenderat” bëri që mediet të listonin një sërë projektesh si aeroprti i Vlorës, e parku Fotovoltaik i Zadejës, Tuneli i Llogarasë që mjaftojnë për të kuptuar se kemi të bëjmë me vlera shumë të mëdha parash. Në përgjigje të gjithë zhurmës që po ziente, pati vetëm heshtje. Balluku na u rishfaq vetë pas pak orësh në një udhëtim me tren në Zvicër duke na siguruar se shumë shpejt edhe ne do lidheshim me hekurudha moderne si ato të BE-së.

Njësoj si zv.kryeministrja Balluku, edhe kreu i qeverisë, Edi Rama ishte jashtë vendit. Gjatë një pushimi teksa merrte pjesë në aktivitetin për Inteligjencën Artificiale në Berlin, kryeministri dha një intervitë të shkurtër për “Deutsche Welle”. “Ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet”, -tha Rama duke hequr për të disatën herë përgjegjësitë. “Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet. Deri kur çështje të caktuara të marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe medieve që i shërbejnë politikës,” -tha ai.

Edhe pas fjalës së Ramës, Balluku nuk bëri asnjë koment. Agjenda e saj vijoi qetësisht me prezantime drejtorësh. I pari ishte Liburn Aliu, ish-ministër i Infrastrukturës në qeverinë e Albin Kurtit në Kosovë, për Portin e Durrësit. “Liburni, Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si treg të përbashkët zhvillimi. Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën me të njëjtin pasion dhe dëshirë, për t’i parë shqiptarët sa më lart”-tha Balluku.


Po kaq e ngjeshur vijon edhe agjenda e kryeministrit. Ai ishte pjesë e Edicionit të 9-të të “Future Investment Initiative”, në Riad të Arabisë Saudite. Atje me nostalgji kujtoi kohën kur e kritikonin për fasadat e pallateve të lyera me lloj e lloj ngjyrash, ndërsa e krahasoi me modelin e Arabisë sot që ka kaluar nga përmbysja e shkretëtirës në ndërtimin e një arkitekture madhështore. “Fillova të lyej me bojë ndërtesat e qytetit dhe njerëzit më thonin se ishte fasadë. Megjithatë imagjinojeni një mëngjes që njerëzit dalin nga shtëpia pa u kujdesur për mënyrën se si duken. Unë kam bindje të patundur për këtë. Mendoj se kemi konsumuar të gjitha ato nga ata që menduan për të bukurën dhe tani jemi te inercia e mërzitshme”, -tha Rama. Nga Riadi në Paris, Rama u bë viral me një video ku gjatë darkës me presidentin francez, Emmanuel Macron. Gjatë qëndrimit për punimet e Forumit të Paqes, ata kanë darkuar nën melodinë e violinës së Olen Çezarit, ku Macron shihet duke e ndihmuar të interpretojë.
Belinda nga ana tjetër nuk ndalet me prezantime drejtorësh. Në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor ((DPSHTRR), vjen Kreshnik Bajraktari. “DPSHTRR-në” Balluku e konsideron si shembull që duhet ta marrë edhe vetë Rama. “DPSHTRR solli si risi inovacionin. Qe një dallëndyshe e parë. Kemi hapur zyra dhe drejtori rajonale. Ka qenë një reformë e thellë e bërë me pasion, vullnet dhe përpikëri që ka sjellë DPSHTRR në një nivel ndërmarrjeje, që kryeministri Rama dhe ne të tjerët e marrim si shembull se si duhet të ofrohen shërbimet publike.”-tha ajo.


Vijon parada e drejtorëve të rinj. Balluku prezanton ish-deputetin socialist Etjen Xhafaj në detyrën e re si drejtor të Përgjithshëm të Postës Shqiptare pas largimit të Ardit Demirit. Ajo e cilëson Postën si një ndër kompanitë më vitale shtetërore, që shërben në çdo cep të Shqipërisë, duke ofruar si shërbime postare, ashtu edhe financiare.
Edhe pse vijon të mungojë një deklaratë publike për akuzat, Balluku gjeti një hapësirë në rrjete sociale për të dhënë një reagim që dukë ka kaluar në heshtje. Pasi kuvendi me 79 vota pro nuk lejoi shkarkimin e kreut, Niko Peleshi pas kërkesës së opozitës, Balluku komenton fjalën e tij në foltore duke e cilësuar më shumë se një fjalim, por një dorë të shtrirë për të mos nxitur edhe më tej urrejtje dhe kaos.“Ishte thirrje për të vendosur në shina komunikimin dhe aksionin publik të deputetëve, ishte një dorë e shtrirë për bashkëpunim dhe konstruktivitet në debatin politik, për të mos nxitur më tej urrejtje dhe kaos, për të mos nxitur më tej urrejtje që reflektohet në çdo grupmoshë të shoqërisë tonë, për të mos nxitur gjuhën e urrejtjes që degradon më pas në veprime të pakontrolluara. Niko Peleshi sot mbajti një fjalë historike për të gjithë ata që kanë veshë për të dëgjuar e vullnet për të kuptuar!”-shkruan Balluku.


