
Arben Ahmetaj e ka quajtur dikur ministren Belinda Balluku “kryeredaktore e Top Channel”, duke ironizuar rolin e saj të perceptuar mbi kontrollin e informacionit në media. Sipas Ahmetajt, Balluku kishte marrë “pozicion mbi Veliajn” për shkak të forcimit të unitetit brenda PS-së, ndërsa televizionet kryesore, sipas tij, shpesh shërbenin në interes të qeverisë.
Mediat sot, pas vendimit të GJKKO-s për pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit të zv-kryeministres Balluku, vendosën të publikojnë më gjerësisht informacione nga dosja e saj, të cilave më parë u kishin dhënë më pak peshë. Tashmë, çdo lëvizje e saj po komentohet, që nga vendimi e deri tek paraqitja e saj në kryeministri pas publikimit të tij. Edhe pse ato po ruajnë një ton neutral pa akuza kanë një reagim ndryshe nga herët e tjera. Klan News dhe ABC News e trajtuan çështjen, duke theksuar faktin se Balluku është marrë e pandehur nga SPAK-u për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe duke raportuar masat. ABC kujtoi edhe deklaratat e saj në Kuvend për mbështetjen e reformës në drejtësi. Top Channel e vendosi ngjarjen në kontekst institucional, duke përmendur edhe arrestimet e dy zyrtarëve të tjerë. Ndërkohë BalkanWeb nxori në pah dyshimet për rritjen e vlerës së tenderit me 50 milionë euro, por i paraqiti si pjesë të hetimeve zyrtare.

Në përgjithësi, mediat u përqendruan te aspektet informative dhe procedural por kjo ka ndryshim nga raportimi në kohën pas daljes së mesazheve të dosjes së SPAK-ut. Dosje kjo që tregonte dyshime për Belinda Ballukun dhe Evis Berberin për ndërhyrje në tendera milionash. Në këtë kohë shumica e mediave kryesore shqiptare zgjodhën të mos i pasqyrojnë këto zhvillime. Përveç disa raportimeve të pjesshme nga News 24 dhe Report TV, si dhe një përmendjeje të shkurtër nga Top Channel, pjesa tjetër e televizoneve mes tyre ABC News, TV Klan, Vizion Plus dhe Euronews Albania ruajtën një qasje pasive, duke shmangur detajet më të ndjeshme të çështjes. Në tërësi, mediat kryesore duket se preferuan heshtjen ose mbulimin minimal, duke mos e ekspozuar publikun ndaj pjesës më kontroverse të hetimeve.

Situata e disfavorshme për zëvendëskryeministren Belinda Balluku nxorri në pah fenomene të tjera në shoqërinë shqiptare, ndër të cilat marrëdhëniet e medieve shqiptare me pushtetin dhe censurën. Edhe medie me flamurin e interesit të publikut e fshehën lajmin se u mor e pandehur javë më parë. Tani që nuk është më “kryeredaktore” dhe që gjasat e pushtetit kryesor, Ramës, janë se ka mbetur krahëkryqëzuar përballë vendimit të SPAK-ut, mediet e kanë të lehtë të të kryqëzojnë. Siç bënë edhe me Veliajn. Një film i parë.


