
Mëngjesin e datës 27 tetor, u mbajt mbledhja e grupit parlamentar në Kuvend, ku në rendin e ditës u diskutuan raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, si dhe u miratuan komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Administrativo-Territoriale. Megjithatë, përveç çështjeve të parashikuara, nuk mungoi as diskutimi për çështjen “Balluku”, e cila ka marrë vëmendje të gjerë pas thirrjes së saj nga SPAK-u, ku zëvendëskryeministrja nuk është paraqitur dy herë radhazi.
Në mbledhje, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë për fshehje të korrupsionit në nivelet më të larta, duke e cilësuar rastin e Ballukut si “simbol të pandëshkueshmërisë në qeverinë Rama”. Ai kërkoi që SPAK-ut të veprojë pa frikë dhe pa urdhra politikë, duke nënvizuar se: “Heshtja ndaj një zëvendëskryeministreje që sfidon drejtësinë është turp kombëtar”.
Ndërkohë, deputeti i PL-së, Tedi Blushi, u shpreh se marrja si e pandehur e Ballukut, (nëse ndodh), është shumë e vonuar dhe pa efekt real, pasi sipas tij kontratat abuzive dhe tenderat klientelistE të firmosura prej saj do të vazhdojnë të rëndojnë mbi taksat e qytetarëve. Blushi shtoi se hetimi duhet të shkojë deri te kryeministri Rama, sepse peshku qelbet nga koka.
Nga ana e mazhorancës, deputetët e PS-së u përpoqën të shmangin debatin politik mbi çështjen, duke u mjaftuar me qëndrimin se “hetimet janë kompetencë e drejtësisë dhe jo e Kuvendit”. Megjithatë, mungesa e vetë Belinda Ballukut dhe kryeministrit Edi Rama në këtë mbledhje u vlerësua nga opozita si “shenja e qartë e frikës politike për t’u përballur me akuzat”.
Pavarësisht agjendës së ngjeshur, rasti “Balluku” mbeti një nga temat kryesore të ditës, duke treguar se tensionet politike rreth hetimeve të SPAK-ut vazhdojnë të mbajnë të ndarë kampin politik në vend.


