Pas muajsh të tërë me spekulime, ish-presidenti Donald Trump konfirmoi në fillim të kësaj jave zgjedhjen e tij për zv.president, në rast se fiton garën që po bën për Shtëpinë e Bardhë.

Dhe këtë vendim e mori vetëm pas atentatit që iu bë në Pensilvani më 13 korrik. Personi që shkon krah më krah me Trumpin në garë është senatori më i ri i Ohio-s, i cili tërhoqi vëmendjen e amerikanëve në vitin 2016 me librin e tij të kujtimeve: “Hillbilly Elegy”, James David Vance.

Disa vite pas famës që mori për librin e tij, konkretisht në vitin 2022, Vance u mbështet nga Donald Trumpi kur ai vendosi të kandidonte për Senatin. Por marrëdhëniet e tij me Trumpin, nuk kanë qenë gjithmonë kaq të mira. Madje shpesh media i ka cilësuar si “armiq”, pasi Vance e ka kritikuar atë publikisht dhe me zë të lartë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Por për këtë do të mësojmë më poshtë në këtë artikull, si fillim le të njihemi pak me J.D.Vance, kush është dhe çfarë bënte ai përpara se t’i futej garës për zv.president? Jeta e tij nuk ka qenë aspak fushë me lule, përkundrazi si nëpër filma. Madje po, jetën e tij mund ta shihni edhe në filmin e titulluar “Hillbilly Elegy”, i njëjti titull që mban libri i tij me kujtime që e përmendëm pak më sipër.

Kush është J.D.Vance?

J.D. Vance është një senator i Shteteve të Bashkuara për shtetin e madh të Ohio-s. Ai u zgjodh në Senatin e SHBA-ve në vitin 2022 dhe u betua në detyrë më 3 janar 2023.

J.D u lind dhe u rrit në Middletown, Ohio, një qytet industrial amerikan dikur me ekonomi të lulëzuar, ku banorët e Ohio-s mund të jetonin të kënaqur, jetën e klasës së mesme. Me kalimin e kohës, shumë nga ato punë të mira u zhdukën dhe familja e Vancit i vuajti efektet së bashku me shumë të tjera.

Turbulenca ishte e zakonshme në shtëpi dhe në shkollë. Siç shkruhet në profilin e tij në faqen e Senatit, gjyshen të cilën e thërriste “Mamaw” (mama në shqip), e konsideronte si shpëtimin e tij. Dashuria dhe disiplina e kësaj gruaje të ashpër e mbajtën atë në rrugë të drejtë. Ajo përshkruhet si një demokrate e flaktë, zotëronte 19 pistoleta dhe kishte një besim të fortë të krishterë në veten dhe familjen e saj. Ajo vdiq në vitin 2005, pak pasi Vance u regjistrua në Trupat e Marinës së Shteteve të Bashkuara.

Vance dhe gjyshja e tij Bonnie, të cilën ai e quajti “Mamaw” ose “Mama”

Vance vazhdoi t’i shërbejë Amerikës në Luftën e Irakut, më pas u diplomua në Universitetin Shtetëror të Ohio-s dhe Shkollën Juridike të Yale. Ai shkroi një libër bestseller, të titulluar “Hillbilly Elegy”, i cili u shndërrua në një film të Netflix. Ai gjithashtu filloi një biznes kushtuar rritjes së vendeve të punës dhe mundësive në qendër të Amerikës. Vance beson se banorët e Ohio-s meritojnë më mirë.

Historia e jetës së tij që e bëri të famshëm

James David Vance nuk është emri me të cilin prindërit e rregjistruan, por James Donald Bowman. Ai lindi në Middletown, Ohio, nga një nënë që luftoi me varësinë ndaj drogës dhe alkolit dhe një baba që e braktisi që kur ishte i vogël.

Me prindër që nuk iu gjendën kurrë pranë, ai u rrit nga gjyshërit e tij që i thërriste “Mamaw” dhe “Papaw”, të cilët ai i portretizoi me simpati në librin e tij të kujtimeve “Hillbilly Elegy” të vitit 2016.

Kur ishte gjashtë vjeç, Vance u adoptua nga njerku i tij dhe hoqi dorë ligjërisht nga emri dhe mbiemri që e lidhte atë me babanë e tij biologjik. Kështu ai e ndryshoi emrin nga Donald (emri i babait biologjik) në David, duke ruajtur pseudonimin e tij J.D. Kurse mbiemrin e ndryshoi nga Bowman në Hamel, ky i dyti mbiemri i njerkut të tij. Mirëpo nëna e tij u nda nga njerku i atëhershëm disa vite më vonë siç shkruan transmetuesi publik britanik BBC.

Kur u martua pasi mbaroi shkollën juridike, së bashku me gruan e tij Usha morën mbiemrin Vance për të nderuar gjyshërit e tij nga nëna të cilët e rritën – Tanimë u bë James David Vance, ose J.D. Vance siç e njohim dhe sot.

Gjyshërit e tij ishin një nga familjet e shumta në Middletown, me rrënjë Appalachian, rajon që përfshin disa nga zonat më të varfra të vendit.

Në këtë foto shihen J.D. Vance me gjyshen e tij Bonnie. Vance dhe motra e tij Lindsey u rritën nga gjyshërit e tyre, James dhe Bonnie Vance.

Kjo origjinë ka ndikuar në jetën e tij familjare të përshkruar me detaje në libër. Vance rrëfeu gjithë sprovat, mundimet dhe vendimet e këqija të anëtarëve të familjes dhe miqve të tij. Libri i tij gjithashtu mori një pikëpamje konservatore – duke i përshkruar ata si shpenzues kronikë, të varur nga ndihmat sociale dhe duke mos u përpjekur ta nxirrnin veten nga kjo situatë.

“E vërteta është e vështirë, dhe të vërtetat më të vështira për njerëzit e malit janë ato që duhet të tregojnë për veten e tyre.”- shkruan ai në këtë libër.

Ndërsa përçmonte “elitat” dhe shoqërinë ekskluzive, ai e vendos veten në një pozicion kundërvënie ndaj dështimit kronik të atyre me të cilët u rrit.

Në kohën kur libri doli, Vance ishte shumë larg nga Middletown: fillimisht në marinë, më pas në Irak, dhe më vonë në Universitetin Shtetëror të Ohio-s ku mori një diplomë bachelor në shkenca politike dhe filozofi në vitin 2009. Më pas në vitin 2013 përfundoi Shkollën Juridike të Yale-it dhe fitoi një punë në firmën ligjore Sidley Austin LLP. Në fund i ktheu sytë nga sipërmarrja.

“Hillbilly Elegy” e bëri atë jo vetëm një autor bestseller, por një komentator shumë të kërkuar, i cili shpesh thirrej nëpër programe televizive për të shpjeguar kandidaturën e Donald Trumpit për votuesit e bardhë, të klasës punëtore.

Ai rrallë e humbiste shansin për të kritikuar kandidatin e atëhershëm republikan.

“Ajo që po bën është t’u japë njerëzve një justifikim për të drejtuar gishtin te dikush tjetër, për të drejtuar gishtin te emigrantët meksikanë, ose tregtia kineze ose elitat demokratike ose çfarëdo tjetër.”– shprehej Vance asokohe.

Nga armiq në partnerë në garën për Shtëpinë e Bardhë

“Nuk më ka pëlqyer kurrë” dhe “Oh Zot çfarë idioti” janë vetëm disa nga deklaratat që J.D. Vance bënte për Donald Trumpin, në kohën kur ky i fundit kandidonte për president në vitin 2016.

Madje në të njëjtin vit, ai e krahasoi Trumpin me Hilterin në disa mesazhe që shkëmbeu me Josh McLaurin, ish-shokun e të tij të dhomës në shkollën juridike (tani një senator i shtetit në Xhorxhia).

“Rri edhe mendoj me veten nëse Trump është një gomar cinik… apo Hitleri i Amerikës.”-shprehej ai në këto mesazhe, të cilat kanë riqarkulluar në rrjet, pasi ai u zgjodh si krahu i djathtë i Trumpit.

Disa vite më vonë, Vance u shndërrua në një nga aleatët e palëkundur të Trumpit.

Këtë ndryshim aq drastik në qëndrimin e tij, një zyrtar i Partisë Demokratike McLaurin e ka komentuar si ‘të pabesueshëm”.

Nga senator i Ohio-s, tani Vance është në krah të Trumpit si kandidat për zëvendës-president. Si rrjedhojë dhe një nga kandidatët e mundshëm për zgjedhjet e vitit 2028.

Donald Trump bëri paraqitjen e tij të parë që nga atentati krah kandidatit të tij JD Vance, në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee

Jeta personale

Kur Vance studionte në Yale, ai u njoh me Usha Chilukurin. Sipas gazetës amerikane New York Times ata u prezantuan në një takim diskutimi mbi “rënien sociale në Amerikën e bardhë” në vitin 2013.

Usha është vajza e dy emigrantëve indianë dhe u rrit në një periferi të San Diegos. Miqtë e saj nga fëmijëria dhe adoleshenca e përshkruajnë atë si një “lidere” dhe një “krimb librash” për shkak të kohës së madhe që kalonte duke lexuar. Me mendje ambicioze dhe pragmatike, ajo kaloi nga një studim jashtëshkollor katërvjeçar në Yale në një bursë në Kembrixh, ku u zhvendos në qarqe kryesisht liberale dhe të majta. Që nga viti 2014, ajo ishte demokrate e regjistruar.

Pasi u njohën në Yale, dyshja u martuan në Kentaki në vitin 2014 dhe u bekuan nga një ekspert hindu në një ceremoni të veçantë. Usha dhe J.D vendosën të dy të hiqnin dorë nga mbiemrat që kishin, duke zgjedhur Vance për të nderuar gjyshërit që e kishin rritur.

JD Vance dhe Usha Chilukuri Vance në ditën e tyre të dasmës

Zonja Vance ka luajtur një rol të qetë, por domethënës në ngritjen e bashkëshortit të saj në karrierë. Madje në universitet, ajo e ndihmoi Vance të organizonte idetë e tij për rënien sociale në Amerikën e bardhë rurale, të cilat përbëjnë bazën e librit të tij me kujtime “Hillbilly Elegy”.

Karriera e zonjës Vance e ka vënë atë në një kontrast të vështirë me personalitetin politik të bashkëshortit të saj. Vance ka qenë një nëpunëse ligjor për gjyqtarë të shumtë federalë, duke përfshirë kryetarin e drejtësisë John Roberts, gjyqtarin Brett Kavanaugh dhe gjyqtarin Amul Thapar.

Nëse J. D. Vance zgjidhet Zëvendës President, Usha Vance do të bëhej gruaja e parë me origjinë indiane që do të shërbente si Zonja e Dytë e Shteteve të Bashkuara. Deri të hënën, kur dha dorëheqjen e saj, zonja Vance ishte partnere në firmën me 200 avokatë “Munger Tolles & Olson”, ku fokusohej në çështjet gjyqësore civile dhe apelimet.

Dyshja kanë tre fëmijë sëbashku.

J.D. Vance's wife Usha introduces him at RNC

Usha Vance delivered her first major political speech tonight as she introduced her husband J.D. Vance. “His goals… are the same that he has pursued for our family: To keep people safe, to create opportunities, to build a better life, and to solve problems with an open mind.” https://politi.co/4cKU4Ek

Posted by POLITICO on E mërkurë, 17 korrik 2024

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14