Avokati Sokol Mëngjesi

Sokol Mëngjesi, avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha u dhunua fizikisht mëngjesin e kësaj të mërkure nga disa persona. Incidenti ndodhi në zonën e ish-bllokut ku ai banon, fill kur sapo kishte dërguar të birin në kopsht.

“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”– informoi sot policia e Tiranës.

Si ndodhi ngjarja

Avokati është dhunuar me levë dhe me sende të forta, kur sapo kishte lënë djalin në kopsht. 

Sipas pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë, 3 autorët kanë qenë të veshur me kapele dhe me rroba të zeza. Ata i janë afruar Mëngjesit dhe fillimisht e kanë qëlluar me shpulla. Por avokati duket se i ka njohur dhe pasi komunikon me ta, më pas ata e kanë qëlluar edhe me sende të forta. 

Sipas dëshmitarëve okularë, avokati është goditur me doreza hekuri në pjesë të ndryshme të trupit.

Policia ka identifikuar 4 persona si të dyshuar për dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi.

Sipas uniformave blu, ata janë shtetasit Drivald Alia (21 vjeç), Dorian Alia (32 vjeç), Elton Kasaj (33 vjeç) dhe Romario Tabaku (26 vjeç). Ky i fundit shoqëroi tre të parët me makinë, duke i ndihmuar të largohen nga vendi i ngjarjes.

Policia ka thënë se avokati është goditur për shkak të detyrës.

“Nga veprimet rezulton se Sokol Mëngjeis me profesion avokat është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces gjyqësor një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces që është fituar nga pala që mbronte avokati. Ish-klientët nuk kanë pranuar që ta paguajnë.   

Pala fituese nuk ka respektuar detyrimet kontraktore që ka pasur me studion ligjore. Jo e gjithë pala, por disa nga kontraktorët. Kjo degë që ka kryer sulmin nuk kanë rënë dakord me detyrimet që kanë pasur nënshkruar. Në vijim të veprimeve është shoqëruar Dritan Jani Nano, i cili u ndalua si organizator i kësaj ngjarje të rëndë kriminale.”- tha Tonin Vocaj, drejtor i policisë Tiranë.

Po ashtu, Policia ka vënë në dispozicion 20 mijë euro për këdo që jep informacion që çojnë në kapjen e autorëve. Vetëm nëri prej tyre, Dorian Alia është vetëdorëzuar në polici.

Si organizatori i dhunimit është identifikuar një person i pestë,  Dritan Nano, 58 vjeç.

“Autorët me lidhje krushqie me njëri-tjetrin janë ish-klientë të cilët studio ligjore e tij i kishte përfaqësuar në një proces gjyqësor, për çështje prone në Tiranë por kishin refuzuar ta paguanin.”– tha Vocaj.

Si është gjendja e Mëngjesit?

Mëngjesi është shtruar tek spitali i Traumës me frakturë në kokë dhe dëmtime të tjera në trup. Nga spitali ka raportime se gjendja e Mëngjesit është përkeqësuar dhe tanimë ai është futur në intubim.

Pas incidentit, avokatin Mëngjesi ka shkuar ta shohë në spital Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Berisha. Ajo ka mbërritur e vetme tek Trauma dhe ka komunikuar me mjekët e familjarët e tij. Por nuk ka mundur ta takojë dot.

Pas daljes nga Trauma, ajo tha për gazetarët se Mëngjesi ndodhej në reaminacion kur shkoi ajo. Ajo shtoi se “duhet të presim për të parë gjendjen e tij”.

“Kush e njeh Sokolin e di sa njeri korrekt është, s’ka asnjë konflikt tjetër.”- ka deklaruar Malltezi para gazetarëve, të cilët e pyetën për ngjarjen. Më poshtë video nga momenti kur Malltezi shkon në spital.

Përveç Malltezit, edhe Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka shkuar në spitalin e Traumës për ta parë avokatin Mëngjesi. Kur shkoi Vocaj, Mëngjesi ishte ende duke iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Por tanimë disa media raportojnë për përkeqësim të gjendjes së tij.

Ndërkohë për ngjarjen ka patur shumë reagime.

Reagimi nga Dhoma e Avokatisë

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar lidhur me dhunimin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi duke thënë se ky nuk është një rast i izoluar.

“Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dhunën e rëndë fizike të ushtruar, mëngjesin e ditës së sotme, ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës. Avokati është goditur disa herë në kokë me levë dhe për shkak të plagëve të marra është shtruar në spital.

Ky nuk është rast i izoluar i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj avokatëve në Shqipëri, duke rikujtuar aktin e fundit të paprecedentit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj një avokati në Dhomën e Avokatisë Lezhë, në muajin Prill të këtij viti. Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cënojnë rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht.”– thuhet në reagimin e Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, që më pas i kërkoi autoriteve të zbardhë ngjarjen brenda një kohe sa më të shkurtër.

Dhoma e Avokatisë e konsideron këtë një këmbanë alarmi për organet ligjzbatuese, jo vetëm për këtë rast por edhe për raste të tjera që cënojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre.

Reagimi nga Floriana Garo

Zëdhënësja e Partisë Demokratike të drejtuar nga Rithemelimi, Floriana Garo, po ashtu ka reaguar përmes një deklarate për shtyp ku e ka konsideruar këtë ngjarje një akt të shëmtuar të urdhëruar direkt nga kryeministri, Edi Rama.

Duke ia drejtuar gishtin Ramës, Garo thotë se me këtë akt Rama beson se me dhunë mund të frikësojë zërin e të vërtetës dhe të fshehu krimet e tij politike.

“Sot në mëngjes, tre banditë, të urdhëruar nga Edi Rama, kanë sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të Partisë Demokratike është një proces kryekëput politik i bazuar ne një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani.

Duke e goditur me banditë, me urdhër të tij direkt profesor Mëngjesin, dhe duke i shkaktuar atij lëndime të renda, Edi Rama dëshmon frikën dhe panikun që përjeton nga aktet e tij politike kriminale.

Ai beson se me dhunë do mund të frikësojë zërin e të vërtetës dhe fshehë krimet e tij politike.

Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt banditesk kriminal ndaj profesor Sokol Mëngjesit dhe deklaroj sot se, Edi Rama, ai dhe vetëm ai, personalisht do mbahet përgjegjës për këtë akt të shëmtuar kriminal.”– tha Garo.

Reagimi nga Taulant Balla

Lidhur me incidentin ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Sipas Ballës, policia po punon për zbardhjen e ngjarjes. Ai shtoi se ka komunikuar me mjekët e kolegët e Sokol Mëngjesit dhe i uron atij shërim të shpejtë.

“Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi. Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve. Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falenderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor!”- shprehet Balla.

Reagimi nga Ulsi Manja

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjithashtu ka reaguar duke dënuar dhunën ndaj avokatit Mëngjesi.

Manja shkruan se çdo formë dhunë meriton ndëshkimin e drejtësisë.

“Çdo formë dhune mbi avokatët meriton ndëshkimin e drejtësisë! Mbështes fjalë për fjalë Dhomën Kombëtare të Avokatisë, për dhunën e ushtruar mbi avokatin dhe pedagogun, Sokol Mëngjesi!”-janë fjalët që shkruan ministri.

Reagimi nga Universiteti i Tiranës

Universiteti i Tiranës po ashtu dënoi sulmin ndaj pedagogut dhe avokatit duke i uruar një shërim sa më të shpejtë të kolegut të tyre.

“Universiteti i Tiranës dënon sulmin agresiv ndaj pedagogut të Fakultetit të Drejtësisë dhe avokatit Sokol Mëngjesi. Ne presim dhe besojmë që policia dhe prokuroria të zbardhi sa më shpejt autorët dhe motivet e këtij sulmi kriminal dhe të rrezikshëm.  Stafi i Universitetit të Tiranës është në këto momente pranë familjes së Sokol Mengjesit.”- thuhet në njoftimin për median. 

Avokati Sokol Mëngjesi

Kush është Sokol Mëngjesi

Sokol Mëngjesi është diplomuar në vitin 2004 në Fakultetin e Drejtësisë Democritus në Greqi.

Po në shtetin fqinj, nga viti 2004 deri në vitin 2006 ka ndjekur Masterin Shkencor në të Drejtën Penale dhe Kriminalistikë, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti Democritus.

Atje ai ka marrë edhe titullin ‘Doktor i Shkencave’ Juridike në mars 2010, e në korrik 2016 ka marrë titullin akademik ‘Profesor’.

Në po të njëjtin universitet ku studioi dhe ku u formua, Mëngjesi ka qenë pedagog i Jashtëm në Departamentin e së Drejtës Penale në periudhën nëntor 2005 deri Janar 2008.

Në periudhën Shtator 2004 deri Janar 2008 ka punuar si asistent avokat pranë Av. Prof. Dr. Stefano Pavlu, Selanik – Greqi.

Mëngjesi ka qenë dekan në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe prej 2010 është pedagog në Departamentin e së Drejtës Penale, Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Mëngjesi është gjithashtu autor i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe monografish e tekstesh shkollore në Shqipëri dhe Greqi.

Nga viti 2009, Mëngjesi ka marrë licencën e avokatit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë Shqipëri, dhe është njëri prej mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Por Sali Berisha nuk është figura e vetme e njohur që mbrohet nga Mëngjesi. Ai është gjithashtu avokat edhe i Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos në çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Leave a Reply

  • (not be published)