Kreu i Kadastrës, Artan Lame dëgjohet në një material audio duke këshilluar punonjësit e agjencisë që drejton që të mashtrojnë qytetarët që kanë aplikuar për leje legalizimi.

Në materialin audio të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, Lame dëgjohet teksa u thotë vartësve të tij që t’i mbajnë me premtime rreth 100 mijë qytetarë që kanë aplikuar për leje, në të kundërt ata mund të kalojnë në krahun e PD-së.

Gazetari Hoxha shkruan në postimin e tij se teksa po afron dita e zgjedhjeve fushata po bëhet më e paskrupullt dhe e egër.

Ai shton në komentin e tij se Artan Lame instrukton vartësit që të mashtrojnë 100 mijë qytetarë shqiptarë, duke thënë se ata që bëjnë namin janë patronazhistës e qeverisë.

“Sa më shumë afrohet 25 prilli, aq më e egër dhe e paskrupullt bëhet fushata zgjedhore…Me një fjalë, nga shitja e sapunit për djath, kemi evoluar në shitjen e sapunit për kaçkavall, po nga ai francezi ama. Ndërsa humbim kohë me “patronazhistet” e partisë, “patronazhistet” e vërtetë të qeverisë, po bëjnë kërdinë…

Më poshtë keni një rregjistrim audio, sesi një nga agjensitë më të rëndësishme qeveritare, Agjensia Shtetërore e Kadastres, instruktohet qartësisht sesi duhet t’i manipulojë, mashtrojë, apo mbajë me shpresë të kotë, pronaret e afro 100 mije ndërtimeve pa leje, të cilët kanë aplikuar për legalizim. Direktiva është e qartë, “nëse u themi që nuk legalizohen shtëpitë tuaja, i kemi hedhur direkt mish për top për kundërshtarin”…Prandaj duhet t’i mbajmë varur…Me një llogari të thjeshtë, 100 mijë ndërtime pa leje, janë minimalisht dy vota për shtëpi, ose 200 mijë vota në kuti, gati më shumë se 20 mandate në parlamentin e ardhshëm. Prandaj popull, qëndroni vigjilent deri të dielën…” – shkruan gazetari Hoxha në postimin e tij në “Facebook”.

Transkriptimi i plotë i audios ku flet kreu i Kadastrës, Artan Lame:

“Është bërë një takim për procesin e legalizimeve te kryeministri para rreth një muaji për legalizimet në vijim. Në këto 320 mijë objekte, që kanë bërë vetëdeklarim, pra që janë fizikisht dosje reale, janë mbyllur 150 që do të thotë se kanë mbetur 170 të tjera. Në këto 170 të tjera vetëm rreth 60, se sapo diskutonim që parë që kjo 60 mijëshe për sa kohë i mbyllim, vetëm rreth 60 mijë bëhen.

Të tjera janë të pabëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje, 100 mijë objektetë cilët ne me vetëdije do vazhdojmë t’i mbajmë se janë njerëz. Po i the që nuk bëhet ia hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër. Pra do vazhdojnë të trajtohen, do shikohet do të trajtojmë, do ta diskutojmë, do ta rishohim atë kur të rishihet legjislacioni.

Në momentin që ti shkon iu gërmon vetë tani dhe iu thua 100 mijë unë do i skualifikoj se nuk ju legalizohen, këta i ktheve në mall për palën tjetër.

Atëherë u ra dakord që në këtë takim që logjika është që ne do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë. Pra do të vazhdojmë të bëjmë këtë 60 mijëshe dhe do vazhdojmë të mbajmë situatën varur sepse mund të ketë ndryshime ligjore nesër, sepse do ta rishohim edhe njëherë e kështu me radhë. Por kjo bën, ka bërë, bën dhe do bëjë që shumë nga këta tanët do të thonë më erdhën një herë, më erdhën dy herë pse s’ma bëni, më kanë ardhur në shtëpi, prapa kësaj të jeni të bindur që në shumicën, në shumë raste qëndron kjo arsyeja pra që neve nuk duam t’i themi që shtëpia jote nuk legalizohet dhe ti do prishesh.

Millosheviçi t’i thojë që “ta legalizoj unë” ai bëhet me Millosheviçin, në rregull. Se ka shtëpinë.

Të jeni të qartë, kjo nuk përjashton faktin që ne po përgatisim nja 40 mijë objekte me bashkitë, kryesisht me Bashkinë e Tiranës, të cilat do i nxjerrim për skualifikim masiv. Edhe unë po të isha kandidat atje të nesërmen do vija t’i thoja që të gjithë juve ditën e parë pas zgjedhjeve do jeni të legalizuar, edhe ikën ata u bënë me atë. Natyrisht i intereson atij e ça është politika, ai thotë “të shpëtoj shtëpinë”.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)