
Në Shqipëri audienca është shumë e interesuar për programe që ofrojnë mënyra për të mbrojtur dhe përmirësuar shëndetin mendor përmes këshillave praktike ose intervistave me profesionistë. Nga pyetësori i plotësuar online nga 769 të anketuar, 89% prej tyre u përgjigjën me “Po” dhe vetëm 10.30 % thonë “Jo”. Në bazë të këtij rezultati të dalë nga aktetimi vihet re se ndihet mungesa e trajtimit të temave të tilla në medie. Nga analiza e të dhënave të marra 81 % mendojnë se tematika është e nënvlerësuar dhe 7.7 % e shohin si të mjaftueshme. Formate që trajtojnë gjerësisht çështje si depresioni apo ankthi, ulin stigmën që lidhet me to dhe rrisin ndërgjegjësimin në popullatë. E kundërta ndodh me programe ku krijohen pritshmëri joreale e cila krijon pakënaqësi dhe çon në vetëizolim deri në vetëvlerësim të ulët. Një tjetër shqetësim i përmbajtjeve jo të pranueshme në medie është edhe ndikimi negativ në formimin e mendimeve dhe qëndrimeve duke krijuar pritshmëri të gabuara nga idealizimi i stereotipeve apo diskriminimi.
Në preferencën e audiencës për t’u relaksuar janë filmat dhe serialet në 37.3 %, dhe më pas renditen programet e humorit në 26.30 %. Dokumentarët janë të preferuar nga 20.9 % ë të anketuarve, në një përqindje shumë të ulët, 5.3 % janë reality show-t dhe 8.1 % programet informative. Si zgjidhje për të zbutur klimën e përmbajtjeve të dhunshme dhe pa etikë, për të mbrojtur shëndetin mendor, sugjerojnë një qasje pozitive në trajtimin e temave dhe debateve. 50.5 % prej tyre e shohin me vlerë këtë ide, ndërsa 41.2% shohin si alternativë të mirë intervistat me specialistë të fushës. 16.8 % kërkojnë të prodhohen më shumë materiale të bazuara mbi histori njerëzore. “Sugjerimet shtesë kërkojnë përmbajtje më etike, më pak banalitet dhe një qasje profesionale dhe të paanshme, sidomos në trajtimin e temave që lidhen me fëmijët dhe shoqërinë”, thuhet në studim. Nga anketimet vërehet se arti është I preferuar në një përqindje jo shumë të lartë në vetëm 29.3% e të pyeturve.

Për të bërë një balancë në përmbajtje e cila reflektohet edhe në perceptimin e publikut, kërkohet të ketë produkte ku promovohen histori suksesi apo edhe dëshmi personale si ia kanë dalë të marrin veten. Në studimin e “Gogo.al i mbështetur nga AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizuale), titulluar: “Roli dhe ndikimi i medias audiovizive në mbrojtjen e shëndetit mendor “trajtohet nevoja për ruajtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Në këtë situatë gazetarët duhet të shmangin stigmën dhe terminologjinë diskriminuese. Është fyese dhe etiketim sanksionues që persona me probleme të shëndetit mendor të quhen “viktima të shoqërisë”. Kërkohet që në kronika të ketë imazhe shpresëdhënëse dhe jo izolim dhe braktisje.
Një aspekt tjetër që prek audiencat është edhe autonomia për ta zgjedhur vetë një program që dëshiron të ndjekë. Nëse janë ndjerë ndonjëherë në presion nga shoqëria për të ndjekur programet që janë në modë ose që diskutohen shumë nga të tjerët, 74% thanë se nuk janë pjesë e kësaj kategorie, ndërsa 26% e pohojnë. Sa i përket problemeve që u krijohen nga përmbajtjet që kanë ndjekur 34.6 % thonë se konsultohen me familjen, 33.3% me miqtë, 6.2% kërkojnë përgjigje në internet dhe një pjesë e konsiderueshme prej tyre, 22.9% nuk konsultohen fare me asnjë. Me psikologët rezulton që konsultohen vetëm 3% ku duket qartë se njerëzit preferojnë të diskutojnë problemet e tyre të shëndetit mendor në një rreth të ngushtë dhe më të njohur, në vend që të kërkojnë ndihmë profesionale nga psikologët.


