Nga Auron Tare

“Asnjëherë mos i lër arkitektët të udhëheqin ëndrrat e tua. Ata gjithmonë kërkojnë përjetësinë e tyre.” Ishin këto fjalët e një burri të qetë, i cili atë mëngjes maji, duke shëtitur nëpër pyllin magjepsës të Butrintit, mahnitej nga natyra e qytetit antik. Personi që shikonte me kureshtje muret ciklopike ishte një arkitekt britanik. Kishte ardhur së bashku me një mik të përbashkët në Butrint dhe, pasi vizitoi të gjithë qytetin, shkuam në fushën e madhe të Vrinës për të parë gjurmët e ujësjellësit të ndërtuar në kohën e Perandorit August. Sapo i tregova se Butrinti kishte një ujësjellës romak, ai donte shumë ta shikonte, duke folur shpesh për zellin e madh të Augustit për ndërtimet monumentale, si një shprehje e dominimit të vullnetit të tij mbi hapësirat perandorake. Tek ndoqëm gjurmët prej 3 km në fushën e madhe të Vrinës, biseda mbi arkitekturën dhe ndikimin e saj në peizazh ishte një leksion i jashtëzakonshëm për mua.

Arkitekti që po mrekullohej me peizazhet e Butrintit quhej Richard Rogers, një emër që atëherë nuk më thoshte asgjë. Pas një dite të gjatë në këmbë, u kthyem në Korfuz, ku në darkën e shtruar në një ish-gurore të kthyer në një nga hapësirat me ujë më të bukur në Mesdhe, kam dëgjuar një nga leksionet më interesante mbi arkitekturën dhe ndikimin e saj në peizazh. Ishte një debat midis disa arkitektëve, të cilët, siç kuptova, kishin qenë shokë që në rininë e hershme dhe kishin punuar bashkë për shumë kohë në projekte të ndryshme nëpër botë. Diku ishin ndarë, pasi këndvështrimet e tyre nuk përputheshin më, por kishin mbetur miq të mirë. Më vonë, shumë më vonë, mësova se kisha pasur fatin të merrja pjesë në një përplasje “titanësh” të zhvilluar në atë tavolinë buzë ish-gurores mesjetare.

Përveç personit që kishte bredhur me mua në fushat e Vrinës në gjurmët e ujësjellësit romak, atë natë ishte edhe një arkitekt i quajtur Norman Foster. Në tavolinën prej guri, ndër temat që silleshin përqark shumë veprave moderne apo antike, Butrinti zinte vendin parësor. “E sheh,” m’u drejtua një çast Richard Rogers, duke buzëqeshur, “mbaj mend çfarë të thashë në mëngjes, mos i lër arkitektët të udhëheqin ëndrrat e tua. Ne kërkojmë pavdekësinë në ato që krijojmë.” M’u kujtuan të gjitha këto, kur rilexova jo vetëm letrën e arkitektit holandez mbi propozimin e tij për kurorën mbretërore shqiptare, por edhe faqet e atij libri që tashmë ka marrë vlerën e një dëshmie.

Fjalët e njërit prej mjeshtërve më të shquar të arkitekturës së shekullit XX Richard Rogers, më tingëllojnë ende në kujtese. Autokracitë nuk kënaqen duke sunduar njerëzit, ato kërkojnë të robërojnë edhe peizazhin, edhe kujtesën historike. Çdo despot ushqen iluzionin se pushteti i tij do të zgjasë më tepër se koha dhe se emri i tij do të mbetet i gdhendur në qytetet që ndërton apo pejsazhet qe shkatërron. Prandaj, “The Albanian File” nuk është thjesht rrëfimi i një projekti arkitekturor. Ai është anatomia e një mendësie. Një mendësi që nuk mjaftohet të ndryshojë peizazhin e trashëguar nga historia, por synon t’i imponojë historisë vulën e vet. Nuk i mjafton të prekë monumentet, kërkon të zotërojë edhe kujtesën që ato mbartin. Nuk i mjafton të ndërtojë mbi tokë, dëshiron të ndërtojë mbi ndërgjegjen e një kombi. Dhe kur pushteti fillon të besojë se historia është lënda e parë e ambicies së tij, atëherë arkitektura pushon së qeni art dhe shndërrohet në vegël të vanitetit politik.

Foto: Richard George Rogers (23 korrik 1933 – 18 dhjetor 2021) ishte një arkitekt britanik me origjinë italiane, i njohur për projektet e tij moderniste dhe funksionaliste në arkitekturën e teknologjisë së lartë. Ai ishte Partner i Lartë në kompaninë Rogers Stirk Harbour + Partners, e njohur më parë si Richard Rogers Partnership, deri në qershor të vitit 2020. Rogers njihet veçanërisht për projektimin e Centre Pompidou në Paris, të Lloyd’s Building dhe Millennium Dome në Londër, të ndërtesës Senedd në Cardiff, si dhe të ndërtesës së European Court of Human Rights në Strasbourg. Ai u nderua me medaljen RIBA Gold Medal, Thomas Jefferson Medal, RIBA Stirling Prize, Minerva Medal dhe Pritzker Prize.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5