
Misioni i NASA-s, i quajtur Artemis II, shënoi një nga momentet më të rëndësishme të eksplorimit modern hapësinor, duke rikthyer njerëzit në një udhëtim drejt Hënës pas më shumë se pesë dekadash. Më 1 prill 2026 nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, katër astronautë Reid Wiseman (SHBA), komandanti i misionit, Victor Glover (SHBA), piloti i misionit, Christina Koch (SHBA), specialiste e misionit dhe një nga astronautet me përvojë të madhe në hapësirë, Jeremy Hansen (Kanada), përfaqësues i Agjencisë Hapësinore Kanadeze, u ngritën në hapësirë me raketën Space Launch System dhe kapsulën Orion, duke nisur një mision që do të testonte kufijtë e teknologjisë dhe qëndrueshmërisë njerëzore në hapësirë. Qëllimi nuk ishte ulja në Hënë, por një fluturim i plotë rreth saj, për të provuar çdo sistem jetik të anijes në kushte reale, nga mbështetja e jetës, te komunikimi dhe kontrolli manual i kapsulës. Që në orët e para të udhëtimit, misioni u konsiderua një sukses teknik, ndërsa ekuipazhi raportoi stabilitet të plotë dhe funksionim normal të sistemeve në raport me Toka, shkruan “DW”.
Video e realizuar nga dritarja e kapsulës Orion
Gjatë rrugëtimit drejt Hënës, astronautët përjetuan disa nga pamjet më mbresëlënëse të realizuara ndonjëherë nga njeriu. Midis tyre, fotografia e famshme e “lindjes së Tokës”, ku planeti ynë shfaqej mbi horizontin hënor, dhe një eklips diellor i parë nga hapësira, ku drita e Diellit krijonte një kurorë rreth skajit të Hënës. Këto imazhe u krahasuan shpesh me foton ikonike të misionit Apollo 8, e cila për herë të parë i tregoi njerëzimit Tokën si një planet të vetëm në errësirën e hapësirës.

Një nga momentet më kritike të misionit ishte kalimi pas anës së largët të Hënës, ku komunikimi me Tokën u ndërpre përkohësisht. Gjatë kësaj faze, kapsula Orion funksionoi në mënyrë autonome, duke testuar aftësinë e saj për të përballuar kushte pa ndihmë tokësore një hap thelbësor për misionet e ardhshme të thella në hapësirë.

Pas përfundimit të orbitimit rreth Hënës, më 10 prill ekuipazhi nisi kthimin drejt Tokës, duke hyrë në fazën më të rrezikshme të misionit. Kapsula Orion u përball me një hyrje ekstreme në atmosferën e Toka, ku shpejtësia arriti rreth 39,000 km/orë dhe temperaturat u rritën në nivele shumë të larta për shkak të fërkimit me ajrin. Gjatë kësaj faze ndodhi një ndërprerje e shkurtër e komunikimit, një fenomen i pritshëm për shkak të jonizimit të ajrit përreth kapsulës. Megjithatë, gjithçka shkoi sipas planit mburoja termike e Orion përballoi nxehtësinë ekstreme, sistemet e stabilizimit funksionuan pa probleme dhe parashutat u hapën në momentin e duhur, shkruan “Reuters”.

Ulja në Oqeanin Paqësor u realizua me sukses të plotë, duke përmbyllur një mision që zgjati rreth 10 ditë dhe që u konsiderua si një nga testet më të rëndësishme të programit modern hapësinor amerikan. Ekuipazhi u konfirmua në gjendje të mirë shëndetësore dhe misioni u vlerësua si një sukses i madh teknik dhe shkencor.



