
Gazetari Artan Hoxha reagon për herë të parë publikisht ndaj hetimeve të SPAK-ut për dy veprat penale. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit në televizionin “MCN”, Hoxha deklaroi se ishte paralajmëruar dhe nga Erion Veliaj lidhur me këtë hetim. “Erion Veliaj më ka paralajmëruar që në emisionin e datës 14 dhjetor 2023. Ka qenë i ftuar në një TV tjetër, ka thënë “ gazetarët që njihen si me lidhje me krimin dhe që dalin në bisedat e SKY ECC”. E kam thënë disa herë që po presin të më arrestojnë. Populli thotë, po gjuajte lart, lart të vjën goditja. Mua më kanë lajmëruar dhe prandaj e dinte zoti Veliaj, hetimi ka një vit e gjysmë – tha ai.
Gjithashtu Hoxha u shpreh se ka shumë armiq të cilët do të rrezikonin për t’i dëmtuar atij imazhin publik. “E kisha idenë që do të më godisnin dhe kur të më godisnin do të përdornin të gjithë mjetet për të rrënuar imazhin publik, për të shkatërruar, për t’u bërë i pabesueshëm, për të hedhur poshtë çdo gjë që kam bërë deri tani.”
Ndërsa lidhur me hetimin ndaj SPAKU-t, Hoxha deklaron se nuk është pyetur mbi këtë çështje dhe se komunikimi i tij i fundit me SPAKU-n ka qenë në datën 3 Tetor.
“Nuk jam pyetur fare. Komunikimi im i fundit me SPAK-un, është bërë në datën 3 tetor të këtij viti dhe kam qenë në SPAK dhe besoj se kjo i ka penguar. Pse nuk është vepruar deri në 3 tetor që isha në SPAK? Unë jam thirrur për kasetën e 21 janarit. Po të mos e dorëzoja do të shtyhej. Kam dhënë katër orë dëshmi dhe kam thënë kush duhet pyetur për 21 janarin. Këto ditë kam dëgjuar, kaq shumë shfrenim fantazie, madje të disa që hiqen si baballarë të gazetarisë, që prezumojnë pafajësinë, këto nuk janë as prova, janë dyshime, unë nuk jam i pandehur por person nën hetim. Këto u trajuan si prova të mirëfillta dhe unë jam bos i krimit të organizuar.“- tha Hoxha.
Fundjavën e kaluar dhe në nisje të kësaj jave, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zhvilloi një operacion që vuri në pranga një ish-gjyqtare dhe një ish-zyrtar të lartë policie në Elbasan dhe rreth 20 persona të tjerë, si dhe mori në hetim dhe vendosi masë sigurie “detyrim paraqitjeje” për dy gazetarë: Artan Hoxhën dhe Elton Qynon (lexo “këtu” për më shumë).
Operacioni ndaj organizatës së pretenduar të Suel Çelës erdhi pas analizimit të bisedave të zbuluara në aplikacionin “SKY ECC”, ku dyshohet se zyrtarë të policisë dhe drejtësisë janë të lidhur me grupin kriminal të Suel Çelës, i cili është i dyshuar për përfshirjen në trafik droge dhe ngjarje të tjera kriminale. Por pse u vunë masa sigurie dhe ndaj gazetarëve? SPAK ka deklaruar se në bazë të hetimeve dyshohet se organizata e Suel Çelës manipulonte informacionin dhe ndikimin në opinionin publik, përmes gazetarëve Artan Hoxha dhe Elton Qyno. Konkretisht ata akuzohen se “kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.” (lexo “këtu“ për më shumë.)


