
Ergys Agasi është arrestuar nga Policia e Durrësit pasditen e kësaj të mërkure. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Klodiana Lala, e cila sqaron se Agasi u arrestua në zonën e Plepave, ndërsa në pranga u vu edhe ish-polici Uljan Shpataraku, i cili udhëtonte me të njëjtin automjet me të shumëkërkuarin e SPAK-ut. Policia ka publikuar edhe momentin e arrestimit të tyre.
Biznesmeni Agasi ishte shpallur në kërkim me udhër të SPAK që prej dhjetorit të vitit 2025, në kuadër të hetimeve për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Për Ergys Agasin dhe biznesmenin tjetër Emral Beqiraj janë ngritur akuzat për grup të strukturuar krimianl, shkelje e barazisë në tendera si dhe heqje e paligjshme e lirisë.
Vendimi i SPAK:
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në burg”, ndaj shtetasit në hetim Ergys Agasi, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. (pa ekzekutuar)
Pak javë më parë u arrestua në Francë edhe biznesmeni tjetër, Ermal Beqiri, i cili udhëtonte me një avion privat mbi një central bërthamor. Po ashtu, nga hetimet rezultoi se ai kishte në pronësi një kështjellë që arrin në vlera miliona euro.


