
Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi se pallati i dëmtuar nga zjarri në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi dhe se banorët nuk do të lihen vetëm në këtë situatë, ka ardhur edhe reagimi i kompanisë ndërtuese “Arlis Shpk”. Në deklaratën e saj, kompania sqaron fillimisht se, sipas të dhënave paraprake, objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit dhe standardet ligjore në fuqi, ndërsa thekson se nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen që shkaktoi dëmet në pallat. Sipas kompanisë, të gjitha punimet janë kryer nga subjekte të licencuara dhe të certifikuara nga institucionet përkatëse.
Megjithatë, “Arlis Shpk” shprehet se, pavarësisht qëndrimit për mungesë përgjegjësie ligjore, do të marrë përsipër në kuadër të përgjegjësisë sociale çdo shpenzim për rikthimin e objektit në gjendjen fillestare. Kompania garanton rindërtimin e plotë të fasadës dhe apartamenteve të dëmtuara, si dhe mbështetjen për familjet e prekura nga zjarri.

Në fund të deklaratës, theksohet se kompania mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet dhe ekspertët për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes, duke siguruar transparencë dhe angazhim maksimal për rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës për banorët.


