
Lidhur me skandalin e diplomave që çoi në pranga 9 persona në Itali, ku përfshiheshin Universitetet e huaja, por mes të cilëve dhe Universiteti në Tiranë “Wisdom”, pati reagime nga zyrtarët e arsimit në Shqipëri, (lexo më shumë) ku përveç ish-ministres Evis Kushi dhe Shqiponja Telhajit, ka reaguar dhe Bordi i Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Ishte vetë Telhaji e cila postoi në profilin e saj në “Facebook” deklaratën e bordit, ku thuhej se në ditën që pretendohet të jetë zhvilluar darka, ajo ndodhej në Mbretërinë e Bashkuar dhe sipas bordit kjo mund të verifikohet shumë thjeshtë nëpërmjet sistemit TIMS. Ata gjithashtu sqarojnë se Telhaji që prej vitit 2021 ushtron detyrën si kryetare, që do të thotë se ajo nuk mund të marrë e vetme vendimin në lidhje me akreditimin institucional të Universitetit “Wisdom”, por në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të bordit. Ata i bëjnë gjithashtu thirrje autoriteteve përkatëse që të hetojnë mbi çështjen dhe të korrigjojnë gabimet mbi dosje.

Disa ditë më parë, ka reaguar dhe Ogerta Manastirliu, Ministrja e Arsimit dhe Sportit e cila gjatë një interviste në emisionin “Opinion TV” deklaroi se masat për këtë institucion janë marrë që në muajin korrik dhe se grupi i punës ka arritur në përfundimin e mbylljes për shkak të shkeljeve të konstatuara.
“Për këtë institucion i kemi jo vetëm të evidentuara por edhe masat janë marrë. Grupi i punës që ka qenë në kontrroll përgjatë gjithë këtyre muajve ka arritur në përfundimin që rekomandimi për arsye të shkeljeve të konstatuara, është mbyllja e këtij institucioni. I kemi marrë masat që në Korrik.”- tha Manastirliu.



