
Ardi Veliu, administratori i kompanisë “KAYO” ka folur për akuzat e ish-kryeministrit Arben Ahmetaj për përfshirje në trafik armësh. I ftuar në “Opinion” Veliu tha se: “Deri tani përfshirja e KAYO-s është zero, pasi nuk ka asnjë lloj mundësie qoftë dhe teorike që t’i futet këtij procesi”. Ahmetaj në një intervistë për “Syri TV” hodhi akuza për një skemë trafiku ndërkombëtar, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.
Ahmetaj tha se në përgjime ku flitej për biznesmenin Ron Yeffet është diskutuar për mënyrën si është anashkaluar gara dhe procedurat e tenderimit duke krijuar kompaninë “Kayo. Veliu dha sqarime për çështjen e aksioneve ku nga 45% të parashikuara fillimisht, tani ka 20% të aksioneve ndërsa 80% i ka kompania TIMAK, ku është aksioner edhe biznesmeni izraelito-amerikano-shqiptar Ron Yeffet. Shuma prej 15 milionë eurosh që TIMAK Defence duhet të investojë në marrëdhënien e partneritetit , sipas Veliut është e ndarë në disa faza dhe do investohet për rivitalizimin e ambienteve të fabrikave.

Mes të tjerash Veliu tha: “Para se të konkretizonim një bashkëpunim, ne duhet të marrim një VKM ku na përcaktohet mënyra dhe kushtet sesi duhet të negociojmë. Pasi morëm VKM, kaluam në bordin e KAYO-s dhe u mor autorizimi që të ngrihej grupi negociator. Ne ngecëm në negociata, pasi në mes TIMAK u tërhoq dhe solli plan biznesi të ri, ku e trefishonte investimin, knoë hoë, gjë që çoi edhe në reduktimin e aksioneve të kompanisë. Në këto kushte u kërkua nga bordi ripërcaktim i kushteve të negocimit. Pasi doli VKM me kushtet e reja, u arrit ajo marrëveshje. TIMAK ka shitur aksionet në rrugë e sipër. Negociatat tona kanë nisur me TIMAK. Unë Ron Yeffet e kam takuar ditën kur është themeluar kompania se ishte aksioner. Se çfarë thotë x apo y në jetën e tij private, kjo është përgjegjësi e atyre, jo e jona. Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero. Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit, nuk kemi asnjë lloj mundësie, qoftë dhe teorike, që t’i futemi këtij procesi”.


