
Aranita Brahaj në garë për Avokate Populli. Brahaj eksperte me një karrierë 28-vjeçare në fusha që përfshijnë shoqërinë, median, administratën publike dhe auditimin ligjor e financiar, ka spikatur gjithashtu edhe në themelimin dhe drejtimin e Organizatës Joqeveritare AIS, promotor të Open Data Albania, një nga organizatat me më shumë impakt në fushën e transparencës publike gjatë 14 viteve të fundit.
Prej vitit 2011, AIS ka krijuar disa prej databazave dhe platformave më inovatore e me ndikim në vend, si Open Spending Albania, Open Procurement Albania dhe Open Corporates Albania, të cilat ofrojnë akses të hapur në të dhëna mbi shpenzimet, kontraktimet dhe subjektet publike. Si autore e metodologjive për vlerësimin e riskut në tenderime dhe zbatimin e standardeve të Open Contracting, Brahaj ka kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e praktikave të reja për transparencë dhe kontroll publik.

E diplomuar në Drejtësi (UT, 2009) dhe në Gjuhësi e Letërsi Shqipe (UT, 2000), Brahaj mban gjithashtu titullin MSc në të Drejtë Publike (UET, 2011). Krahas angazhimit në AIS, ajo është e angazhuar pjesërisht si asistente pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Departamentin e Gazetarisë (2021–2024), duke kontribuar në formimin e brezave të rinj të gazetarëve me parime të forta etike dhe profesionale.
Brahaj ka qenë lider në projekte të shumta të lidhura me shoqërinë civile që synojnë parandalimin e korrupsionit, kontrollin e integritetit të zyrtarëve të lartë, fuqizimin e të rinjve në antikorrupsion dhe përdorimin e teknologjisë për zgjedhje të drejta.
Puna e saj ndër vite përfaqëson një model të qëndrueshëm profesionalizmi, integriteti dhe vizioni qytetar, duke e pozicionuar ndër figurat më të rëndësishme në fushën e transparencës dhe qeverisjes së hapur në Shqipëri.

Në garë me të për titullin Avokat i Popullit janë edhe 22 kandidatë të tjerë, si Endri Shabani, apo avokati Saimir Vishaj, por edhe emra të tjerë të njohur për publikun: Adriana Kalaja, Anton Koster, Anton Lleshaj, Besim Ndregjoni, Dardan Mustafaj, Endri Papajorgji, Fatjona Male, Genta Tafa, Gerti Shella, Ismail Tafani, Jola Hysaj, Juliana Hoxha, Laureta Roshi, Lulzim Hamitaj, Myrteza Myftari, Shkëlqim Sulo, Suela Koçibellinj, Tartar Bazaj, Valentina Teodoresku dhe Skënder Haluci. Ende nuk dihet data se kur kuvendi do të votojë për të zgjedhur avokatin e ri të popullit


