
Nga Gjergj Erebara
Kjo puna e ANTIFA-së si organizatore e një serie protestash (në të cilat, deri më sot kam dëgjuar shumë shpesh thirrjet “poshtë komunizmi” dhe “PD-PS, klysha komunizmi” dhe ku shumica dërrmuese e atyre që njoh vijnë nga familje të persekutuara gjatë kohës së komunizmit, me elementin përbërës kyç fëmijët e rritur në tranzicion të këtyre familjeve) natyrisht që është lloji i gënjeshtrës, e cila duke u përsëritur, nuk bëhet më e vërtetë, por thjesht sa tenton të zërë sadopak hapësirën e të vërtetës. Kjo është gjithashtu lloji i gënjeshtrës që Rama dhe klounët e tij mediatikë ia bëjnë vetes. Sepse, antifashizmi është tipar i demokracive perëndimore. Ka antifashistë në Francë, në Gjermani, në Itali e në vende të tjera. Por nuk kam hasur kurrë lëvizje të tilla në ndonjë vend të Evropës Lindore postkomuniste, ose më saktë, lëvizje të tilla në këto vende janë ku e ku më të vogla se sa në Perëndim. Në këto vende, falangat e krimit të organizuar në shërbim të sekretarëve të Partisë së Punës të transformuar në kapitalistë monopolistë janë tipari kryesor.
Gënjeshtra ndaj vetvetes për Ramën dhe klounët e tij konsiston në faktin se duke akuzuar antifashistët si organizatorë protestash në Tiranë përpiqen t’i mbushin mendjen vetes se nuk janë provincialët postkomunistë, tip Lukashenko apo Ilham Aliev, por janë “perëndimorë” që përballen me probleme “perëndimore!”


