Përfaqësues të gjigantit të Inteligjencës Artificiale “Anthropic” u kanë prezantuar në mënyrë diskrete ligjvënësve në Capitol Hill një projektligj për rregullimin e sigurisë dhe mbrojtjes së modeleve më të avancuara të Inteligjencës Artificiale, sipas tre personave në dijeni të përpjekjeve, të cilëve iu garantua anonimati për të diskutuar bisedime konfidenciale.

Projektligji konfidencial, i siguruar nga POLITICO dhe i bërë publik për herë të parë nga kjo media, përfaqëson një përpjekje të rëndësishme të laboratorit të IA-së për të ndikuar në hartimin e rregullave që do të qeverisin teknologjinë e tij, ndërsa Kongresi shqyrton mënyrën se si duhet t’i përgjigjet këtij sektori që po zhvillohet me shpejtësi.

“Ky projektligj përmban propozimet e paraqitura në kuadrin e “Anthropic” për Inteligjencën Artificiale të Avancuar, të cilat i kemi mbrojtur në diskutimet me ligjvënësit federalë dhe shtetërorë që prej muajit qershor”, deklaroi një zëdhënës i “Anthropic”. “Këto janë politika të arsyeshme, për të cilat besojmë se Kongresi duhet të veprojë.”

Projektligji do t’i lejonte qeverisë të bllokonte publikimin ose përdorimin e një modeli vetëm nëse ai përbën një rrezik të parashikueshëm dhe të menjëhershëm, që mund të shkaktojë dëme me vlerë mbi 1 miliard dollarë ose të vrasë apo plagosë rëndë më shumë se 50 persona.

Rreziku duhet të lidhet me krijimin ose publikimin e një arme biologjike, shmangien e kontrolleve të vendosura nga zhvilluesi i modelit ose një sulm kibernetik. Kjo gjuhë pasqyron dispozitat e ligjeve të Kalifornisë për IA-në, përfshirë ligjin SB 53, i cili u miratua vitin e kaluar.

Laboratorët kryesorë të IA-së bënë të ditur këtë verë një sërë incidentesh, gjatë të cilave agjentë të inteligjencës artificiale hakuan ose hetuan faqe interneti dhe platforma online. Deri më tani, asnjë prej incidenteve të raportuara nuk duket se ka shkaktuar vdekje në shkallë të gjerë ose dëme mbi 1 miliard dollarë.

Anthropic nuk ka mbështetur ende publikisht iniciativa të veçanta legjislative në Kongres, por ka mbështetur disa ligje shtetërore për sigurinë e IA-së, përfshirë dy ligje në Kaliforni. Drejtuesi i marrëdhënieve të kompanisë me qeveritë shtetërore dhe lokale në SHBA i tha më herët POLITICO-s se kompania shpreson që shtetet të vazhdojnë të miratojnë ligje gjithnjë e më të forta për sigurinë e IA-së, duke ngritur standardin në nivel kombëtar.

Sipas projektligjit, vlerësues të pavarur, të regjistruar pranë Departamentit të Tregtisë, do të ngarkoheshin me vlerësimin periodik të laboratorëve dhe modeleve të tyre më të avancuara. Ata mund të paguheshin nga vetë kompanitë, me kusht që pagesa të mos varej nga rezultatet e vlerësimit.

Nëse vlerësuesit përcaktojnë se modelet e një kompanie paraqesin një “rrezik të menjëhershëm të përcaktuar”, ata duhet ta raportojnë këtë pranë Departamentit të Tregtisë brenda 72 orëve nga përfundimi i vlerësimit.

Departamenti i Tregtisë mund t’i kërkojë një gjyqtari të ndalojë publikimin e një modeli, pasi të ketë përcaktuar se ai përbën rrezik. Megjithatë, projektligji ndalon shprehimisht çdo departament, agjenci ose zyrtar tjetër amerikan që të pezullojë zhvillimin, vendosjen në përdorim ose përdorimin e brendshëm të modelit. Pezullimin mund ta urdhërojë një gjyqtar federal i Gjykatës së Distriktit për Distriktin e Kolumbias.

Gjatë verës, “Anthropic” iu nënshtrua kontrolleve të gjera të eksporteve, të cilat çuan në mbylljen e dy prej modeleve të saj më të avancuara. Vendimi u mor pas një serie të shpejtë telefonatash mes zyrtarëve të administratës dhe drejtuesve të kompanisë. Kjo ngriti shqetësime në një pjesë të industrisë së teknologjisë se qasja në teknologjitë e tyre mund të kufizohet sipas vullnetit të zyrtarëve qeveritarë.

Projektligji i “Anthropic” do të kufizonte gjithashtu zbatimin e disa ligjeve shtetërore për IA-në, që lidhen me publikimin e informacionit mbi rreziqet, vlerësimet nga palë të treta dhe raportimin e incidenteve kritike.

Kjo çështje është kthyer në një pikë të nxehtë debati në Capitol Hill. Demokratët kanë kundërshtuar disa propozime, nga frika se ato do të dobësonin rregulloret e miratuara në shtete si Kalifornia, Illinois dhe Nju Jorku.

Nga ana tjetër, disa organizata të industrisë së teknologjisë argumentojnë se një sistem me ligje të ndryshme nga shteti në shtet është më i vështirë për t’u zbatuar sesa një standard i unifikuar kombëtar.

Legjislacioni do t’u kërkonte gjithashtu laboratorëve që zhvillojnë modelet më të avancuara të IA-së të hartojnë kuadro sigurie, të publikojnë raporte transparence për modelet e reja, të vendosin masa mbrojtëse për sinjalizuesit dhe të raportojnë incidentet kritike të sigurisë pranë Departamentit të Tregtisë.

Në Capitol Hill, këtë verë ka pasur një intensifikim të përpjekjeve për hartimin e legjislacionit mbi sigurinë e IA-së.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratja Lori Trahan nga Masaçusetsi dhe republikani Jay Obernolte nga Kalifornia udhëhoqën nismën e njohur si FRONTIER Act. Projektligji do t’i jepte qeverisë kompetencën për të ndaluar vendosjen në përdorim të modeleve të rrezikshme dhe do të kufizonte zbatimin e disa ligjeve shtetërore për IA-në.

Në Senat, lideri i shumicës John Thune dhe senatorët Amy Klobuchar, demokrate nga Minesota, dhe Ted Cruz, republikan nga Teksasi, kanë negociuar një projektligj për sigurinë e IA-së, që synon të zvogëlojë rreziqet katastrofike.

Megjithatë, nisma është përballur me kundërshtime nga disa organizata të angazhuara për sigurinë e IA-së dhe nga senatorja Maria Cantwell, demokrate nga Uashingtoni dhe demokratja më e lartë në Komisionin e Tregtisë të kryesuar nga Cruz. Ata kërkojnë një rol më të madh të qeverisë në shqyrtimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

Progresistë të tjerë, përfshirë përfaqësuesin Greg Casar nga Teksasi dhe senatorin e pavarur Bernie Sanders nga Vermonti, kanë shkuar më tej se kolegët e tyre, duke kërkuar pezullimin e zhvillimit të IA-së së avancuar dhe ndalimin e superinteligjencës, një formë teorike e inteligjencës artificiale që do të tejkalonte ndjeshëm aftësitë njohëse të njerëzve.

Ky shkrim është në pronwsi intelektuale të “Politico”

LËR NJË KOMENT

Esmeralda Hasani është emëruar në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e saj, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit. Para...
/ Nov 12
Nga Elvana Tivari Po i marr me radhë, me Pishë Poro-Nartën si shembull, sepse aty shihet më mirë se çfarë mbron ky ligj. ① Arsyeja e parë e KM-së: projektligjet...
/ Nov 18
Cilët janë të rinjtë tanë ekselentë? Nëpër çfarë rrugësh të vështira kalojnë ata sot dhe për çfarë kanë nevojë? A i njohim realisht të rinjtë tanë dhe shpirtin e tyre...
/ Nov 16
Pas lajmeve për konfirmimin e një rasti me malarie në Shqipëri dhe dyshimeve për një pacient të dytë të prekur nga kjo sëmundje, Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar të...
/ Nov 18